Teksti i ri me lajm të vjetër, vetëm për ca klikime më tepër

Recension: “Shqiptarizohet” Zoran Zaev, bën fushat me flamurin kombëtar shqiptar

Mediat tanimë nuk zgjedhin metoda për të tërhequr një klikim plus në ueb faqet e tyre. Profesionalizmi, në këso rastesh, rregullisht bëhet çështje dytësore. Teksti që po recensojmë është shembull tipik se si nuk duhet të duket një lajm, produkt gazetaresk i cili, mes tjerash, duhet t’i sjellë publikut risi dhe të kumtojë të vërtetën.

Zoran ZaevLinku deri te artikulli origjinal: ““Shqiptarizohet” Zoran Zaev, bën fushat me flamurin kombëtar shqiptar

Data dhe koha e publikimit: 06.03.2016

Data e recensionit: 09.03.2016

Recensues: Xhenis Sulimani

Teksti mëton të riaktualizojë një lajm për një ngjarje që ka ndodhur një vit më parë. Dhe, qartazi, shihet tendenca e gazetarit . ““Shqiptarizohet” Zoran Zaev, bën fushat me flamurin kombëtar shqiptar”, titull ky i tekstit që s’ka të bëjë me të vërtetën, por që tërheq një klikim më tepër.

“Fotografia e Zoran Zaevit me një flamur kombëtar shqiptar është bërë hit në rrjetet sociale. Kjo foto po shpërndahet me të madhe, ku nga njëra anë nga komentuesit e ndryshëm përshëndetet si gjest për bashkëjetesë më të mirë për shqiptarët, transmeton zhurnal.mk”

Fotografia, në të cilën aludon tesktshkruesi, daton nga viti i kaluar dhe s’ka të bëjë me informacionin që ai është duke e plasuar në opinion. Madje, në ditën kur është publikuar teksti, ose një ditë më parë, foton nuk mund ta gjejmë në asnjë faqe zyrtare të liderit të LSDM-së. Që do të thotë se s’kemi të bëjmë me fushatë eventuale parazgjedhore të Zoran Zaevit me flamurin kombëtar shqiptar.

Më tutje, gazetari potencon se ka kritika ndaj “shqiptarizimit” të Zaevit, por askund duke mos theksuar  se kush i shpreh ato. Dhe, autori në asnjë moment nuk tregon se ka tentuar të marrë mendimin e atij që akuzohet, ashtu siç mëson kodi etik gazetaresk – se pala e dytë që akuzohet e ka të drejtën që të shprehet.

“Nga ana tjetër, ka edhe kritika të ashpra se Zoran Zaevi po shfrytëzon shqiptarët për përfitim votash për zgjedhjet që do të mbahen me 5 qershor të vitit 2016”.

Qasja e këtillë e gazetarit është jokorrekte dhe joprofesionale, dhe mund të vështrohet si një manipulim i vetëdijshëm me opinionin. Sipas parimeve etike dhe rregullave bazike të gazetarisë, dezinformimi është jashtë çdo standardi profesional.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button