Tërhiqet Karson, Kruz i afrohet Trampit

Kruz ka fituar në dy shtete dhe i është afruar Trampit në dy shtetet tjera. Kandidatura e Rubios duket në krizë, ndërsa Klinton vazhdon pa probleme drejt nominimit.

Në garë mbesin vetëm katër republikanë. Votimet e super të martës kanë marrë viktimën e rradhës në garën republikane. Pas disa ditë ekuivokimesh nga gara përfundimisht u tërhoq Ben Karson, i cili nuk arriti të shënojë as ndonjë vend të tretë në shtetet ku u votua të martën. Të mërkurën pas zgjedhjeve Karson fillimisht deklaroi se do të vazhdojë të qëndrojë në garë, të enjten tha se nuk sheh si mund të fitojë dhe nuk morri pjesë në debatin e rradhës republikan, për të dalur haptaz të premten me vendim që të tërhiqet krejtësisht nga gara.

Kandidati Karson gjithsesi ishte rast i veçantë në fushatën republikane të këtij viti. Ai ishte njëri nga autsajderët, neurokirurg pa përvojë paraprake në politikë. Poashtu ishte i vetmi kandidat zezak, ndërsa u dallua me retorikën e tij të butë dhe të qetë. Në garën e egër republikane ai ishte i vetmi që pëherë mbajti nivelin, nuk ngriti zërin dhe kurrë nuk sulmoi kundërshtarët, madje as në vetëmbrojtje.

Karson që në fillim arriti të grumbullojë fonde të mëdha për fushatë, të mahnitshme për një kandidat pa përvojë dhe pa lidhje paraprake politike. Deri në fund të shkurtit fushata e tij kishte grumbulluar rreth 58 milionë dollarë, ndërsa grupe të jashtme që mbështesin atë (SuperPAC-ët) edhe 10 milionë të tjera. Ai fitoi menjëherë simpatitë e krahut evangjelist të partisë, që në fillim të tetorit e ngjitën në vendin e parë në anketa, duke tejkaluar për një kohë edhe Trampin. Por Karsoni nuk përballoi me sukses vëmendjen që vjen nga të qenit në majë. Ai bëri disa deklarata të gabueshme në politikën e jashtme, e cila u bë temë kryesore pas sulmeve në Paris. Pas kësaj morri tatëpjetën dhe nuk arriti më të rikuperojë.

Elitat partiake sulmojnë Trampin. Pas rezultateve të super të martës, rreziku nga fitorja e Trampit përfundimisht zgjoi nga gjumi elitat e partisë republikane. Me ose pa koordinim, ai brenda javës u gjend në shënjestër të disa figurave të rëndësishme republikane. Së pari kundër tij doli udhëheqësi republikan në Senat Miç Mekkonell, i cili këshilloi kolegët e tij të distancohen nga Trampi në zgjedhjet e përgjithshme. Pas tij nga Trampi u distancua Pol Rajan, spiker i Dhomës së Ulët dhe ish-kandidat për nënkryetar. Sulmi më i ashpër erdhi nga Mit Romni, kandidat republikan për kryetar në 2012. Në një pres-konferencë të posaçme ai sulmoi Trampin nga të gjitha anët, duke e quajtur mashtrues dhe hileqar dhe duke deklaruar publikisht se nuk do të votonte për të edhe nëse bëhet kandidat zyrtar republikan.

Votimet e uikendit – shkëlqen Kruz. Votimet në të dy partitë kanë vazhduar gjatë uikendit. Republikanët kanë votuar të shtunën në katër shtete dhe të dielën në territorin e Porto Rikos. Yll i këtij uikendi gjithsesi ishte Ted Kruz. Megjithëse anketat parashikonin fitore të Trampit në çdo shtet, Kruz e ka deklasuar në dy shtete dhe i është afruar tepër në dy tjerët. Në Kanzas Kruz e ka mundur Trampin me 25% diferencë, ndërsa në Mejn me 13%. Në Kentaki dhe Luiziana Tramp ka fituar me 3%, por anketat parashikonin fitore të tij me 20% diferencë.

Të shtunën një natë tmerrësisht të dobët ka patur Rubio, i cili nuk arriti 20% të votave në asnjërin shtet. Deri diku rikuperoi të dielën me fitore bindëse në territorin e Porto Rikos.

Votat sDonald-TrumpTramp sTed-CruzKruz sMarco-RubioRubio sJohn-KasichKasiç
Kanzas 23% 48% 17% 11%
Mejn 33% 46% 8% 12%
Kentaki 36% 32% 16% 14%
Luiziana 41% 38% 11% 6%
Delegatë total 384 300 151 37

Kandidati republikan zgjidhet nga delegatët në konventë. Andaj më me rëndësi se numri i shteteve të fituara është numri i delegatëve të fituar. Tërheqja e Karsonit dhe sulmet ndaj Trampit si duket i kanë shkuar për shtati Kruzit. Ai ka ngushtuar tani epërsinë e Trampit me delegatë dhe akoma ka gjasa t’a tejkalojë nëse tërhiqen Rubio dhe Kasiç. Nëse Kruz vërtet po ngjitet si kandidat apo rezultatet kanë qenë rastësi do të shihet më mirë të martën kur votojnë disa shtete tjera.

Pa befasi te demokratët. Gjatë uikendit demokratët kanë votuar në katër shtete. Sanders ka fituar në Kanzas, Mejn dhe Nebraska, ndërsa Klinton vetëm në Luiziana. Mirëpo rezultatet kanë dalur ashtu siç pritej, madje fitoret e Sandersit kanë qenë me margjina më të vogla se ç‘është pritur. Klinton vazhdon të mbajë udhëheqje bindëse me numrin e delegatëve të fituar dhe po bëhet gjithnjë e më vështirë të mendohet se Sanders mund t’a tejkalojë atë në vazhdim të garës.

Votat sHillary-ClintonKlinton sBernie-SandersSanders
Kanzas 32% 68%
Mejn 36% 64%
Luiziana 71% 23%
Nebraska 43% 57%
Delegatë total 671 476

Testi i ardhshëm i Sandersit është të martën në Miçigan. Nëse ai nuk mund të fitojë me elektorat si Miçigani, me popullsi të bardhë të klasës punëtore, ai nuk ka çka kërkon më tej në garë.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button