Sot Super e Marta, votojnë 13 shtete

Tramp dhe Klinton pritet të fitojnë edhe këtë rundë votimesh, por me rëndësi do të jenë margjinat e tyre të fitores. Beteja më e madhe sonte do të zhvillohet në Teksas.

Mbaron faza e parë votimeve. Me votimet demokrate të shtunën në Karolinën e Jugut, ku Hillari Klinton dërmoi Sandersin me rezultat 74%-26%, ka përfunduar faza e parë e votimeve brendapartiake në të dy partitë. Në këtë fazë është votuar në katër shtete kryesisht të vogla: Ajova, Nju Hempshër, Karolina e Jugut dhe Nevada. Nga tre fitore kanë shënuar Tramp te republikanët dhe Klinton te demokratët, ndërsa nga një fitore shënuan Ted Kruz dhe Berni Sanders. Në këtë fazë janë ndarë një numër shumë i vogël delegatësh për konventat partiake, sepse siç kemi thënë më herët faza e parë ka vetëm rolin e pastrimit të fushës dhe eliminimit të kandidatëve pa gjasa për fitore. Në fund të kësaj faze në anën demokrate kanë mbetur vetëm Klinton dhe Sanders, ndërsa te republikanët pesë kandidatë: Tramp, Rubio, Kruz, Kasiç dhe Karson.

 

Sot fillon faza e dytë. Në fazën e dytë e cila fillon sot votojnë shumë shtete përnjëherësh dhe fitohet numër më i madh delegatësh. Më 1 mars votojnë 13 shtete, ndërsa do të ndahen përafërsisht 25% e delegatëve te të dy partitë. Gara kryesisht do të jetë e përqëndruar në shtetet jugore. Prej tyre vëmendja do të jetë më e përqëndruar në shtetin më të madh, Teksas, njëkohësisht shtëpia e kandidatit republikan Ted Kruz. Në veri votojnë vetëm dy shtete, ndërsa njëri prej tyre është Vermonti, shteti i Berni Sandersit. Shtetet e mbetura janë më larg në perëndim. Sot poashtu voton territori i vogël i Samoas amerikane, ndërsa tek demokratët votojnë amerikanët jashtë shtetit-diaspora amerikane.

 

Gjendja te republikanët. Fazën e parë të garës republikane padyshim e ka dominuar Donald Tramp. Ai ka shënuar tre fitore nga katër konteste dhe për momentin udhëheq bindshëm me numrin e delegatëve të fituar. Por gjithmonë duhet patur parasysh se për fitore te republikanët duhen 1.237 delegatë, pra jemi akoma larg ditës kur njëri kandidat do të sigurojë edhe matematikisht fitoren.

Kandidati Kandidati Delegatë 29 shkurt Targeti i plotësuar
 sDonald-Trump Donald Tramp 82 114%
 sTed-Cruz Ted Kruz 17 21%
 sMarco-Rubio Marko Rubio 16 41%
 sJohn-Kasich Xhon Kasiç 6
 sBen-Carson Ben Karson 4

 

Tramp jo vetëm që udhëheq garën, por sipas analizës së sajtit 538 ka fituar 114% të delegatëve që duhej t’i kishte fituar në katër shtetet e para. E pasojnë Rubio dhe Kruz.

Çka të ndiqet të martën. Tramp vazhdon të udhëheqë në anketa thuajse gjithkund ku votohet. Por një përjashtim i rëndësishëm është Teksasi që ndan 155 delegatë dhe ku udhëheq vendasi Kruz. Sidoqoftë pritet që Tramp të fitojë të paktën 10 nga 13 shtetet ku votohet dhe të fitojë numrin më të madh të delegatëve. Për të vijuar rrugën drejt nominimit atij i duhet të fitojë 225 delegatë nga 595 që fitohen sot.

Për Ted Kruzin çështja është shumë më e komplikuar. Një kohë llogaritej se 1 marsi do të jetë momenti i tij për të shkëlqyer pasi Jugu me numrin e madh të evangjelistëve është terreni i tij natyral. Por si duket ai ka mbetur pas Trampit dhe është detyruar të mbrohet madje edhe në Teksas. Për të është çështje ekzistenciale që të fitojë shtetin e vet dhe të kalojë sa më mirë në shtetet tjera të Jugut. Në veri ka fare pak gjasa. Për t’u rikthyer si pretendent sot i duhet të fitojë 302 delegatë.

Dita nuk është edhe aq decisive për Rubion. Terreni i tij natyral është tjetërkund. Sidoqoftë nëse don të duket si alternativë e vetme e Trampit ai duhet të fitojë ndonjë shtet. Gjasa më të mira mund të ketë në Virxhinia dhe Minesota. Për të ndejtur në vijë sot i duhet të fitojë vetëm 203 delegatë.

Kasiç nuk ka gjasë për fitore askund, por do të tentojë të mbledhë ndonjë delegat në shtetet e veriut si Masçusets e Vermont dhe të qëndrojë edhe dy javë në garë kur ka testin në shtëpinë e tij në Ohajo. Karson nuk është askund në radar.

 

Gjendja te demokratët. Në anën demokrate të garës gjithçka është më e qartë. Klinton ka shënuar tre fitore, me rezultat përherë e më të thellë. Për momentin ka 26 delegatë më tepër se Berni Sanders, por njëkohësisht ajo ka mbështetjen e 455 superdelegatëve demokratë, me çka udhëheq 546-87 ndaj Sandersit. Lajm më i mirë për të gjithsesi ishte fitorja tejet e thellë në votimet e fundit, në Karolinën e Jugut, ku ajo mposhti Sandersin 74%-26%. Ja gjendja momentale me delegatë:

Kandidati Kandidati Delegatë 29 shkurt Targeti i plotësuar
 sHillary-Clinton Hillari Klinton 91 120%
 sBernie-Sanders Berni Sanders 65 81%

 

Çka të ndiqet të martën. Çfarëdo spini ti ishte dhënë garës para dy javëve, Karolina e Jugut ka çimentuar rolin e favoritit të Klintonit. Kyçe në fitoren e saj ka qenë popullata zezake e cila e ka përkrahur me 70 pikë përqindje ndaj Sandersit. Karolina e Jugut ishte tulla e parë në atë që shpesh quhet muri Klintonian i Jugut, shtete të Jugut me numër të madh zezakësh që do votonin për Hillarin.

Kështu as nuk është diskutabile që Hillari do të fitojë pa problem të gjithë shtetet e Jugut, por është me rëndësi të shihen margjinat e fitores së saj. Nëse përsëri ajo fiton me 50 pikë përqindje dallim, atëherë gara mund të përfundojë shpejtë edhe matematikisht. Nëse përkundrazi ajo fiton më butë dhe nuk bën ndonjë dallim të pakapërcyeshëm në numrin e delegatëve, Sanders mund të shpresojë të fitojë kur gara të zhvendoset në veri, në shtete më të bardha. Edhe sot gjasat e tij më të mira janë në Masaçusets, duke mos llogaritur shtetin e tij Vermont ku Sanders pa dyshim do të korrë fitore të thellë.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button