Alarmi për bombë në Kryeministrinë e Shqipërisë del të mos jetë i rremë

Ndërkohë mediet e Tiranës raportojnë se në makinën e parkuar pranë selisë së Kryeministrisë, që ishte alarmuar për rrezikun,  ekspertët e xhenios kryen një shpërthim të kontrolluar, ndonëse qe pohuar se alarmi rezultonte të ishte i rremë. Por, policia më vonë bëri të ditur se gjatë shpërthimit të kontrolluar, u konfirmua se kishte një sasi të vogël eksplozivi në pjesën e poshtme të automjetit. 

Mësohet se makina i përket shtetasit Besink Rapo Dervishi, 50 vjeç, i lindur në Tiranë dhe është prefekti i Vlorës.

Alarm i rremë për bombë në Kryeministrinë e Shqipërisë

Tiranë, 13 dhjetor – 09:58 – Një makinë e parkuar gabimisht përballë Kryeministrisë së Shqipërisë vendosi në alarm policinë, e cila evakuoi stafin dhe realizoi një kontroll të imtësishëm për prezencën e eksplozivëve mëngjesin e ditës së premte.

Ndonëse gjatë aksionit policor u kontrollua e gjithë godina, vëmendja e njësive të posaçme anti-eksplozivë u fokusua në një automjet të parkuar përballë Kryeministrisë.

Pas kontrollit të realizuar nëpërmjet qenve në gjendje të nuhasin lëndën shpërthyese, u përcaktua se alarmi ishte i rremë dhe se nuk kishte asnjë gjurmë të lëndëve shpërthyese në automjet, në godinë apo në perimetrin përreth Kryeministrisë, transmeton TCh.

Alarmi vendosi në gatishmëri të gjithë strukturat shtetërore, ndërsa në vendngjarje mbërriti ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri dhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shoqëruar nga prokurorë, oficerë të gardës dhe funksionarë të tjerë të lartë të policise.

Si rrjedhoje e këtij alarmi, trafiku përreth institucionit u ndalua gjatë mëngjesit, duke krijuar probleme ne qarkullimin rrugor.

Burime nga vendngjarja i thanë “Top-Channel” se policia është duke realizuar aktualisht një shqyrtim të imtesishëm të të gjithë  kamerave të sigurisë të vendosura jashtë Kryeministrisë.

Gjatë kontrollit, stafi i Kryeministrisë u shpërngul i gjithi në godinën përballë të Ministrisë së Financave për arsye sigurie.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ndodhet aktualisht në një vizitë zyrtare pune në Itali. 

Lajme të ngjashme

Back to top button