Ditarët e Lasgush Poradecit, letërkëmbimet me Nafijen

I.5. DITARËT SI DËSHMI E PËRKUSHTIMIT TË POETIT NDAJ POEZISË

Çdo kush dhe secili mund të luajë me akrepat e orës, t’i lëvizë ato para ose prapa, por kurrë nuk do të mund t’i kthejë mbrapa akrepat e kohës së vet, mirëpo poeti ynë me një vetëdije dhe mendje gjeniu e kuptonte se gjëja më e çmuar në botë është koha dhe nuk e nënvlerësoi dhe nënçmoi duke shkruar ditarët e tij, pikërisht e kuptoi se koha është pjesë e jetës së tij dhe kjo kohë e bëri poetin të pavdekshëm dhe të përjetshëm. Ditarët janë lloj i letërsisë autobiografike ”…tregim retrospektiv në prozë, që një person real e krijon nga ekzistenca e vet personale, kur vë theksin mbi jetën e vet individuale, posaçërisht mbi historinë e personalitetit të vet…” .

Ditarët dhe letrat e Lasgush Poradecit do t’i ndajmë në dy lloje:
1. Ditarët dhe letrat konspiruese të dashurisë;
2. Korrespodenca, trajtesa dhe letrat të hapura për poezinë.
1. Ditarët dhe letrat konspiruese apo të fshehta të dashurisë janë: Shqipja, ditar korrespodencë , për këtë botim të librit u falënderohemi vajzave të Lasgushit, Konstandina Gusho dhe Marie Gusho, të cilat e panë të arsyeshme që me rastin e 100 – vjetorit të lindjes së Lasgushit, nga dosja e fshehtë e tij, të botojnë dhe të publikojnë këtë ditar intim të dashurisë së poetit me gruan e tij të ardhshme Nafije Mema, ditarët janë të viteve 1939 – 1940. Ditari është i ruajtur me xhelozi të madhe nga poeti, më vonë nga vajzat e tij. Ky ditar nuk është klasik, por është i shkruar në formë letrash të dashurisë, frymuar me lirizëm poetik dhe lyer me prozë tregimtare; më shumë anon nga poezia se sa nga proza, këto letërkëmbime në këtë ditar janë jo proza poetike, por poezi prozaike. Vet titulli i këtij ditari është metaforë më vete: “Shqipja, ditar, korrespodencë“, këtë titull me këtë metaforë Shqipja e kanë vënë me aq mjeshtri bijat e Lasgushit, Konstandina dhe Marie Gusho, sipas letrës që ia dërgon Lasgushi, Nafijes, më datë 16 nëntor të vitit 1939, kjo figurë i jep forcë dhe vlerë shprehëse, ditarit.

I.5.1. Bashkudhëtare dhe metaforë e jetës bashkëshortore – Nafija ose Shqipja

E dimë se metafora si figurë mbretëreshë është shpirti i poezisë, kjo e detyron poetin që të bëhet mbret i kësaj figure më të bukur poetike; kjo figurë mbretëreshë nuk e do falsitetin, këtë e thotë edhe vetë Lasgush Poradeci në ditarin e Meri Lalaj, “Lasgushi në Pogradec” , të datës 30. 5. 1981, “… se poeti është poet, ai nuk mendon për veten e tij po për lartësirat poetike, poetit nuk i duhet kolltuku, se pastaj nuk do të bëhet poet, por kolltukofag”. Shpesh Lasgushi thotë për veten e vet: “Unë jam anëtar i poezisë”. Kjo na bind se poeti pasi është anëtar i poezisë, ky anëtarësim e ka detyruar që edhe jetën bashkëshortore ta bëjë pjesë të figurës poetike. Pse e themi këtë? E themi, se pikërisht figura e metaforës u bë shkaktare që poeti të njihet me të dashurën e jetës Nafije Mema- Shqipja.

Më vitin 1937, me rastin e Kremtimeve të 25 vjetorit të Pavarësisë, në Tiranë në shkollën e vizatimit mbahej një ekspozitë e skulpturës dhe e dokumenteve të heronjve, intelektualëve dhe patriotëve të Rilindjes Kombëtare, në këtë shkollë ishin prezent edhe vajzat e “…Institutit ”Nënë Mbretëreshë” të Tiranës. Profesor Jonus Blakçori kishte sjellë në ekspozitë klasën e VII dhe të VIII të nxënëseve të Institutit, me gjithë kujdestaren Ella Dishnicën…” . Nxënëse e klasës së tetë në këtë shkollë ishte edhe Nafije Mema e cila ishte poete,” ajo do të binte në sy të poetit në mes shoqeve jo vetëm për nga bukuria fizike, por edhe për sjelljen fisnike, urtësinë, veshjen e saj elegante, aq sa shume shoqe të saj do të thonë se “Ajo është speciale” , që më vonë do të bëhet gruaja e ardhshme e poetit më në zë të kohës Lasgush Poradeci…” , metaforë e jetës bashkëshortore.

Ku është simbolika e këtij ditari?
1. Simbolika e këtij ditari është se ka të bëjë me dashurinë e poetit, kjo dashuri nuk është e rëndomtë është metaforë, sepse ashtu kanë vendosur të dashuruarit, “është fjalë e dhënë shqiptare. Fjala e dhënë shqiptare quhet besë shqiptare….Kjo? E Shqipes! Jo?? E Shpirtit t’im!! Ty të merr nër kraha dhe të puth me zjarr Lasgushi yt.”, pastaj letërkëmbimet e të dashuruarve do të mbeten si shembull letrash të dashurisë.

2. Lasgush Poradeci ishte në moshën e thellë të djalërisë, në moshën 38-vjeçare, kurse Nafije Mema ishte në prag të mbarimit të klasës së VIII; Lasgush Poradeci kishte lindur më 1899, kurse Nafije Mema më 1920 .

3. Rëndësia tjetër është se Lasgush Poradeci ishte ortodoks, kurse Nafije Mema myslimane, si tolerancë fetare, po mos të harrojmë se kjo martesë ndodhi kur kishte inate dhe ndarje fetare të mëdha në kohën e para Luftës së Dytë Botërore, sikur të kishte ndodhur gjatë kohës së sistemit monist nuk do ishte interesante kjo martesë.

4. Simbolika apo metafora tjetër është se bashkoheshin dy dialektet kryesore të gjuhës shqipe toskë- Lasgushi dhe gegë- Nafija, që do të thotë bashkimin e shqiptarëve në një shtet dhe dashurinë ndaj kombit, kjo argumentohet me rikthimin e Nafijes në Shqipe. Ç’kuptojmë me këtë metaforë të rikthimit të Nafijes në Shqipe?
Kuptojmë se dashuria nuk është para së gjithash qëndrim ndaj një personi konkret, por është një drejtim i Lasgushit që përcakton marrëdhëniet me popullin e vet në tërësi dhe jo vetëm ndaj Nafijes- Shqipes, ai nuk do të dashurojë rëndomë si të tjerët dhe nuk do të bëhet indiferent ndaj popullit dhe Shqipërisë së vet. Po qe se dashurojmë vërtet një njeri, atëherë patjetër duhet t’ i duam të gjithë njerëzit, ta duam gjithë botën dhe jetën. Poeti thotë: ”…Ky është emir yt i vërtetë tashi e paskëtaj, do ta mbash me mall dhe me durim, është simbol i pavdekur i atdhedashurisë s’onë, bashkimi me një i shpirtrave t’ona kështu të përvëluara… .
Pra, Lasgush Poradeci në personën e Nafijes- Shqipes i donte të gjithë, popullin e vet, e donte atë dhe veten. Poeti nuk ishte vetëm fenomen artistik, por fenomen familjar dhe shoqëror.

5. Simbolika tjetër është se Lasgushi përdor shumë shprehje poetike në ditarët dhe letrat e tij, gjuha e tij është shumë e pastër, përdor një fjalor të zjarrtë të dashurisë, me muzikalitet dhe ngjyrime poetike siç thotë edhe profesori, shkencëtari, poeti, kritiku, eseisti dhe historiani i spikatur i letërsisë shqipe Agim Vinca në librin “(Po) etika e fjalës” se Lasgushi është poet edhe në letrat e tij…”; po ashtu vlen të përmendim edhe letrat e Nafijes në të folmen e gegërishtes, letra të cilat na çojnë të mendojmë se cili shkruan dhe shprehet më bukur: Lasgushi me atë muzikalitetin, ëmbëlsinë dhe shpirtin e toskërishtes, apo Nafija- Shqipja me atë energjinë apo fuqinë shprehëse të gegërishtes. Më poshtë po japim të plota dy letra, njërën të Lasgush Poradecit dërguar Nafije Memës, tjetra të Nafije Memës dërguar Lasgush Poradecit, për të argumentuar atë që thamë më lartë.

Zonjës Shqipe Lasgush Poradeci, Durrës- Tiranë, më 16 Nëntor 1939, ora 10.5 natën

Shqipja ime e dashur,
Jam i lumtur që po të shkruaj letrën e parë me emrin Shqipe, të dëshëruar prej meje dhe të pranuar me aq gëzim dhe kryelartësi prej teje vetë. Më je lutur kaq herë të të shkruaj me këtë emër, nuk të shkrojta gjer më sot sepse nuk e dinja mirë në e pranon nga gjithë fuqia e shpirtit t` ënd. Lutjet e tua të përsëritura më dhanë arsye të ta përmbush dëshirën më në fund sot. Ky është emri yt i vërtetë tashi e paskëtaj, do t’a mbush me mall dhe me durim është simboli i pavdekur i atdhedashurisë s`onë, bashkim më një i shpirtrave t’ onë kështu të përvëluara.

Shqipe! T` a dish sa gëzim, sa ngushëllim më fal ky emri yt i ri ! Si më ra mua ndërmend? Pse e prite ti me aq dashuri? Desha të çmall një mallin t’im të brëndëshëm, t’a kem Shqipërinë gjithnjë të gjallë dhe të bukur dhe si nuse e re që është, t’a kem përpara syve të gjallë në veten t` ënde, prandaj më ra nërmënt ashtu. Ti e prite se mendove si mua, je gjith vetëm Shqipëri, trup i pastër prej vashe shqiptare dhe shpirt fisnik shqiptar, je kështu drita jonë e të dyve në dashurinë e të shentit Atdhe.

Mba-e tashi këtë kurorë me mburrjen t`ënde të dashur, është themeli i bashkimit tonë kombëtarë, kulmi më i lartë i dhembjes dhe i gazit dhe i ëndrës s` onë së përzemërt atdhesore. Kështu të bësh, kështu të bësh ti Shqipja ime e dashur. Nuk t` a them unë, ç` të t` a them unë atë që ti e di vetë. Unë kam bindje të madhe në idenë t` ënde shqiptare, bëhem gjithnjë më i bindur se ti do të bësh tërë theroritë për të ngritur për dita më lart vetveten t`ënde shqiptare. Për të kulluar dhe për të fisnikëruar sa vjen më shumë, me punë, me vepra, me prova të gjalla. Jo me fjalë, shqiptarësinë t`ënde edhe me kaq gjer më sot mjaft të dashur për mua.

Kështu ti Shqipja ime e ëmbël? E kupton ti pse tashi heshtnja unë gjithnjë kur më pyetnje, dhe më kujtonjë dhe më luteshe dhe më qaheshe për emrin t`ënd të ri? Që pse s`të kam shkruar, pse s`të shkruaj, pse s`të dërgoj një letër me emrin Shqipe? Kur më telefonove prej Durrësi dhe më the “ Shqipja ”, dhe kur më the se të ardhi turp kur vajte në postë dhe pyete në ke letër me emrin “ Shqipe” dhe postjeri të tha se jo, mua më ardhi keq për ty, po më ardhi dhe shumë mirë. Më ardhi keq dhe mirë, prandaj vendosa më në fund të të shkruaj ashtu. Dhe ti e di, vendimi im nuk kthehet. Vendimi im, është fjalë e dhënë shqiptare. Fjala e dhënë shqiptare quhet besë shqiptare.

…Kjo? E Shqipes! Jo?? E Shpirtit t’ im!!
Ty të merr nër kraha dhe të puth me zjarr Lasgushi yt.
Durrës, 18.XI.1939
Shum i dashur Lasgush.

Rrijë në shtëpi si e mpitë…Shtëpija që më parë ish për mua vëndi më i dashur, tashi s`më duket ashtu. Shkakun dij t’a gjej vetë. Ishin njerëzit e kësaj shtëpije ma të dashur që ma banin shtëpinë të dashur, po tashti me qenë që njeriu ma i dashur i jetës s`ime asht larg, më ngjan kjo.
Lasgush, shpirti em! Sa më gëzove me kartolinën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button