Fitojnë Klinton dhe Tramp, dorëzohet Bush

Klinton fiton në Nevada. Me 88% të votave të numëruara fitore në kaukuset demokrate të Nevadës ka shënuar favoritja Hillari Klinton. Megjithëse shteti është anketuar pak, doli se ato pak anketa të bëra aty ishin pak a shumë të sakta. Por fitoren e Klintonit me rreth 5% diferencë më së miri e ka qëlluar sajti analitik 538 i cili i jepte përparësi Klintonit me rezultat 53%-46%. Rezultati përfundimtar është 52.6%-47.4% në favor të Klintonit. Deri tani Klintoni ka fituar 19 delegatë nga ky shtet, ndërsa Sanders 14 delegatë. Nga gjithë votimet e deritanishme Klinton ka grumbulluar 51 delegatë për në konventë, ndërsa Sanders 50 delegatë. Këtu nuk llogaritim superdelegatët që shkojnë automatikisht në konventë dhe mund të votojnë për kë të duan Momentalisht ata favorizojnë Klintonin me 451-19.

Kandidati Kandidati Vota Vota % Delegatë në Nevada Delegatë total
 sHillary-Clinton Hillari Klinton 5.665 52.6% 19 51
 sBernie-Sanders Berni Sanders 5.100 47.3% 4 50

 

Rezultati nga Nevada është lajm i mirë për të dy kandidatët. Për Hillari Klintonin ishte më se e nevojshme që të shënojë fitore pas barazimit në Ajova dhe humbjes se thellë në Nju Hempshër. Me këtë ajo deri diku qetësoi zërat se gara i ka dalur nga kontrolli dhe rikonfirmoi se vazhdon të jetë favorite absolute. Ajo poashtu fitoi bindshëm votën zezake dhe fitoi te latinët, megjithëse me rezultat shumë më të ngushtë. Rrethanë pozitive është edhe fakti se gara tani vazhdon në Jug, ku ka numër shumë më të madh minoritetesh.

Nga ana tjetër vetëm dy muaj më parë avantazhi i saj në Nevada ishte mbi 20%. Vetë fakti se fitorja e Klintonit ishte e ngushtë flet se Sanders ka kapacitet të zgjerojë rrethin e mbështetësve të vet. Sot ai vërtetoi se është kompetitiv edhe jashtë vendeve “të bardha”, siç ishin Ajova dhe Nju Hempshër. Përveçse fitoi te popullata e bardhë, Sanders iu afrua tepër Klintonit te latinët. Nëse arrin të mbijetojë me sukses murin Klintonian në Jug, gjasat do t’i përmirësohen dukshëm në shtetet e ardhshme me prirje më liberale.

Tramp fiton bindshëm në Karolinën e Jugut. Përderisa demokratët votonin në Nevada, sot republikanët ishin në Karolinën e Jugut. Me 99% të votave të numëruara fitore bindëse përsëri ka korrur Tramp. Gara për vendin e dytë vazhdon të jetë tejet e ngushtë mes Rubios dhe Kruzit, ndërsa më poshtë në tabelë ende nuk dihet kush është i katërti, Bush apo Kasiç. Në vendin e fundit është Karson.

Kandidati Kandidati Vota Vota % Delegatë në Karolinën e Jugut Delegatë total
 sDonald-Trump Donald Tramp 238.067 32.5% 44 61
 sMarco-Rubio Marko Rubio 164.691 22.5% 0 11
 sTed-Cruz Ted Kruz 163.732 22.3% 0 10
 sJeb-Bush Xheb Bush 57.472 7.8% 0 4
 sJohn-Kasich Xhon Kasiç 55.920 7.6% 0 5
 sBen-Carson Ben Karson 52.958 7.2% 0 3

 

Fitorja e Trampit nuk ishte e papritur. Ai ka udhëhequr vazhdimisht në anketa përafërsisht me shifrat e fituara sot. Çka është më me rëndësi ai do t’i marrë të gjithë delegatët e Karolinës, sepse Karolina i jep gjysmën e delegatëve fituesit, ndërsa gjysmën tjetër fituesve në shtatë zonat zgjedhore të shtetit. Si duket Tramp ka fituar jo vetëm në gjithë shtetin, por edhe në çdo zonë zgjedhore veçmas.

Mirëpo lajmi më i rëndësishëm pas Karolinës së Jugut padyshim është tërheqja e Bushit nga gara. Në këtë shtet Bushi ka shpenzuar resurse të shumta finansiare, ndërsa javën e fundit në fushatë angazhoi edhe vëllaun Xhorxh Bush, i cili edhe më tej është i popullarizuar këtu. Pas gjithë këtij investimi Bush përfundon si i katërti ose i pesti në Karolinë, duke ndërruar vendet gjithë natën me Kasiçin, i cili ishte angazhuar shumë pak në këtë shtet. Bush përfundimisht nuk arriti të plasohet ndër tre vendet e para në asnjërin nga tre shtetet që kanë votuar deri tani. Duke mos parë se si mund të rikthehet në garë, lere më të fitojë nominimin, Bush padyshim ka patur presion nga establishmenti dhe donatorët që të tërhiqet dhe t’i lirojë vend ndonjë kandidati tjetër anti-Tramp, me siguri Rubios. Në favor të Bushit duhet të thuhet se ai udhëhoqi një kampanjë principiele dhe me ide në një garë që ka marrë formë të shëmtuar.

Tërheqja e Bushit duhet t’i shkojë tani në favor Rubios dhe eventualisht Kasiçit, i cili vazhdon të qëndrojë në garë. Me këtë tërheqje pra vazhdon të konsolidohet fraksioni i establishmentit. Nëse votat e Bushit tani e tutje shkojnë në konton e Rubios, ashtu siç pritet, Rubio shpejtë mund të arrijë dhe tejkalojë Trampin. Çka është më me rëndësi Rubio tani me siguri do të vazhdojë të marrë mbështetje nga të gjitha anët e establishmentit, me gjithë resurset financiare e administrative që vijnë me këtë mbështetje.

Rezultati i sotëm deri diku duhet të jetë dëshpërues për Kruzin, edhepse ai akoma mund të përfundojë i dyti. Por nëse Kruz nuk mund të fitojë Trampin në një shtet me kaq evangjelistë sa ka Karolina, kjo e vështirëson planin e tij për të grumbulluar delegatë në shtetet tjera të Jugut, ku vazhdon më tej gara. Faktor komplikues për të është prezenca e vazhdueshme në garë e Karsonit, i cili i merr vota evangjeliste dhe nuk tërhiqet megjithëse nuk është plasuar më lartë se vendi i pestë në asnjërin shtet.

 

Çka më tutje. Të martën republikanët votojnë në Nevada, ndërsa të shtunën demokratët në Karolinën e Jugut. Me këtë mbaron faza e parë e zgjedhjeve brendapartiake, e cila do të vazhdojë me tempo të shpejtuar me 1 mars, kur votojnë më tepër se 10 shtete te të dy partitë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button