Bashkë kundër krimit!

Tashmë që në ‘qiellin e vrenjtur’ vite me rradhë po paraqiten disa shkëndija shprese për dekriminalizimin e shoqërisë sonë të zhytur thellë në krim, korrupcion, nepotizëm, e çka mos ‘qametizmi’ tjetër, është obligim i të gjithë neve si individë, shoqëri dhe institucione që njëherë e përgjithmonë të distancohemi nga elementet e tilla kriminogjene të cilat gjenden në çdo cep të përditshmërisë sonë.

Për më tepër, tashmë që edhe faktori ndërkombëtar – ndonëse me vonesë – po tregohet më i vendosur se kurrë në luftimin e këtyre dukurive të cilat po e mbajnë peng këtë shtet dhe këtë shoqëri, është detyrë parësore e të gjithë neve që t’i demaskojmë të gjithë ato ‘cuba’ të mëhallave dhe lagjeve tona, të cilët, krimin, vjedhjen dhe plaçkitjen e tyre ndaj popullit të vetë e mbulojnë me “patriotizmin” dhe “bajraktarizmin” e rrejshëm të tyre, duke shit “ideale” për lirë pare, ndërsa, populli i mjerë është hipnotizuar deri në atë shkallë, sa që, më lehtë ju beson rrenave dhe mashtrimeve të tyre, se sa realitetit të hidhur i cili po kundërmon në të gjitha poret e jetës sonë.

Madje, në këtë situatë konfuze në të cilën po kalojmë si kolektivitet, ajo që duhet kuptuar dhe pranuar, është fakti i hidhur se, ky krim, nuk është monopol vetëm i sferës politike, por si i tillë ka kapluar shumë sfera të ndjeshme shoqërore, duke filluar nga shëndetësia dhe arsimi, e deri te sferat e biznesit dhe raporteve ndërnjerëzore. Andaj, injorimi i vazhdueshëm i gjitha këtyre fushave, si dhe fokusimi i vazhdueshëm vetëm tek sfera e veprimtarisë politike dhe ajo e politikbërjes, ka bërë që gjendja dhe situata jonë të arrijë në fazën e metastazës, duke kapluar çdo nyje të jetës sonë; andaj, ‘shërimi’ dhe zgjidhja e gjendjes së mjerueshme aktuale duket gati se mision i pamundur.

Përreth gjitha shpresave dhe pritshmërive nga Prokuroria Speciale, dhe pavarësisht suksesit apo mos-suksesit të cilin do ta arrijë në misionin e saj, ajo që është e qartë është fakti se, kjo Prokurori nuk do të arrijë t’i zgjidh të gjitha problemet nga të cilat vuan shoqëria jonë; kjo, për arsye se, këto probleme janë të natyrave të ndryshme, shumica e të cilave janë jashtë kompetencave të këtij organi gjyqësor. Madje, çështja tjetër edhe më e rrezikshme konsiston në faktin se, këto probleme dhe anomali rrezikojnë të shndërrohen në ‘kulturë’ (nëse veçmë nuk janë shndërruar në diçka të tillë). Bile-bile, ajo që është edhe më fatale, është tendenca që elementet e tilla kriminale të glorifikohen, duke u shndërruar në ‘profesione’ dhe ‘biznese’ të suksesshme, me ‘ciceronë’ dhe ‘klientelë’ të gjerë! Andaj, qasja ndaj gjitha këtyre problemeve dhe anomalive të akumuluara duhet të jetë shumëdimensionale, dhe se, një qasje e tillë kërkon përkushtim, seriozitet dhe vendosmëri.

Kështu, një pjesë nga krimet dhe turpet e llojit, siç ishin ato të cilat patëm rastin t’i dëgjojmë përmes skandaleve të përgjimit, para se të shndërrohen në elemente të tilla kriminogjene, zanafillën e tyre e kanë në elementet patologjike shoqërore, të cilat, po qe se neglizhohen, anashkalohen dhe nuk trajtohen me kohë, ato rrezikojnë të shndërrohen në ‘mentalitet kolektiv’ dhe në “normalitet” që rrezikon të ngulfatë dhe fundos të tashmen dhe të ardhmen e gjithë shoqërisë sonë dhe perspektivave të saj.

Së këndejmi, veprat e këtilla, përpara se të ndodhin, dhe para se të ngriten deri te prokurori special apo çfarëdoqoftë prokurorie apo organi tjetër, ato duhet të parandalohen, të ‘gjykohen’ dhe të ‘dënohen’ nga vet shoqëria dhe kolektivi; ngase, ‘preventiva është më e mirë se kurimi’.

Hapi i parë i domosdoshëm në këtë drejtim do të ishte rifreskimi ose ri-instalimi i vetëdijes së ndërgjegjësuar si dhe asaj që quhet ‘turp shoqëror’, me ç’rast, shoqëria dhe kolektivi do të merrte rolin e ‘prokurorit publik dhe të përgjithshëm’ në ‘denoncimin’ dhe ‘dënimin’ e çdo sjellje delikuente dhe diletante e cila rrezikon të thejë normat shoqërore dhe kolektive si dhe të nëpërkëmbë fatin e popullit. E në këtë rast, ‘paditës’ do të duhej të ishte çdo individ i shoqërisë, duke mos kursyer as fëmijën e vet.

Hapi i dytë tejet i rëndësishëm në këtë aspekt është emërtimi i gjërave me emrat e tyre të vërtetë. Kështu, është koha e fundit që kriminelit t’i themi kriminel, e jo ‘njeri i zoti’; është koha që injorantin dhe ‘dallaverexhiun’ ta definojmë si të tillë, e jo duke e lavdëruar si ‘të gjindshëm’; është koha që rryshfetin dhe mitmarrjen ta dënojmë e refuzojmë, e jo ta emërojmë me emrin ‘tender’, ku të gjithë turren për të marë një hise sado të vogël nga i njejti.

Hapi i tretë vendimtar në këtë drejtim është që të ndalemi së glorifikuari dukuritë negative, dhe që fenomenet e tilla destruktive të mos i shndërrojmë në biseda të zakonshme; kjo, me qëllim që të mos i ‘indoktrinojmë’ dhe ‘helmojmë’ gjeneratat e reja me ide dhe ambicje të gabuara.

Për më tepër, metoda më e mirë për të luftuar dukuritë e këtilla devijante është ‘leçitja’ dhe ‘amputimi’ i të njejtave nga ‘trupi’ shoqëror, para se të shndërrohen në metastaza dhe të kaplojnë tërë trupin.

Një nga hapat shumë të rëndësishëm që duhet të ndërmerren në këtë drejtim është ‘izolimi shoqëror’ i gjithë atyre që tallen me fatin dhe perspektivat tona. Kështu, personave të ‘sojit’ të këtillë, lere që nuk duhet ulur në tavolinë si dhe nuk duhet pirë kafenë, por atyre nuk duhet shkuar as në dasëm apo në rast vdekjeje. Një izolim i këtillë, jo vetëm që do t’i bënte ata të ndjejnë përgjegjësinë dhe fajin për veprat e tyre të shëmtuara, por në të njejtën kohë, një qëndrim i këtillë ndaj tyre do të ishte ‘leksion’ i mirë për të gjithë ata që do të ju shkonte ndërmend të tallen me fatin e popullit të vet.

Është koha e fundit që t’i shporrim nga lagjet dhe mëhallat tona kriminelët dhe hajdutët të cilët po mbajnë peng shoqërinë tonë dhe perspektivat e saj. Madje, këta kriminelë dhe hajdutë nuk duhet dënuar vetëm për krimet dhe plaçkitjen e tyre enorme, por atyre duhet kërkuar llogari edhe për kohën e humbur në procesin e demokratizimit dhe zhvillimit të vendit si dhe integrimit të tij në instancat veriatlantike.

Mjaft më ‘hëngrëm sapunin për djath’; mjaft na ‘shitën dardha të kalbura’ ata që janë të kalbur në trungun e tyre njerëzor.

Është koha e fundit për vetëdijesim dhe ndryshim; përndryshe, do të na mallkojë historia dhe gjeneratat e ardhëshme.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button