Turqi, 14 të arrestuar për shpërthimin që tronditi Ankaranë

Turqia ka arrestuar 14 persona, nga 7 provinca të ndryshme, si të dyshuar kryesorë për sulmin me bombë, që tronditi Ankaranë pasditen e së mërkurës, njofton TCH.

“Besoj se arrestimet nuk do të mbeten të kufizuara me këtë numër. Edhe pse PKK dhe PYD e mohojnë përfshirjen, Ministria e Brendshme turke dhe shërbimet tona të inteligjencës kanë informacione se, janë ata që fshihen pas sulmit terrorist”, tha Presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Sulmin, qeveria turke ia faturon paraushtarakëve të njësive mbrojtëse të popullit kurd, “YPG”, me bazë në Siri. Por Presidenti Erdogan, ashtu sikurse bëri më herët edhe kryeministri i vendit, deklaroi se për organizimin e sulmit, luftëtarët e “YPG”-së kanë bashkëpunuar me militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e shpallur e jashtëligjshme në Turqi.

Gjithsesi, PKK dhe Partia e Bashkimit Demokratik e mohuan përgjegjësinë. Sulmi i së mërkurës, që u mori jetën 20 ushtarakëve dhe 8 qytetarëve, si dhe la të plagosur 61 persona, u shoqërua nga një tjetër shpërthim i fuqishëm pa kaluar as 24 orë.

Të paktën 7 ushtarakë humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën, pas një shpërthimi që goditi një autokolonë ushtarake në Juglindje të Turqisë. Ky është sulmi i dytë brenda dy ditëve në Turqi dhe ende nuk dihet nëse incidentet kanë lidhje me njëri-tjetrin.

Turqia ka qenë në nivel të lartë alarmi prej tetorit të vitit të kaluar, kur 101 aktivistë humbën jetën gjatë një tubimi paqësor, çfarë është konsideruar si sulmi më tronditës i vendit në historinë e tij moderne.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button