Ja ministrja e Lumturisë në Emiratet e Bashkuara Arabe
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë krijuar postin e ri të ministrit të Lumturisë.
Sipas medieve të huaja, ky dikaster i është lënë në dorë Ohood Al Roumi, e cila u betua duke marrë detyrën dhe duke u bërë njëra prej 8 ministrave femra në kabinetin prej 29 anëtarësh të Emirateve.
Por, çfarë bën një ministër Lumturie? Përgjigjen e ka dhënë sheiku Mohammed bin Rashid Al Maktoum , kryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe. Ai është shprehur se ministrja e Lumturisë do të nxisë politikat e qeverisë për mirësi shoqërore, transmeton Tch.
Mohammed bin Rashid Al Maktoum e ka përshkruar vizionin e tij për këtë dikaster të veçantë në një seri postimesh në “Twitter”, ku prezantoi Ministrinë e dytë të re, pikërisht atë të Tolerancës.
Edhe ky post u mor sërish nga një femër, Sheikha Lubna bint Khaled al Qasimi, ish-ministrja e Tregtisë së Jashtme dhe femra e parë në kabinetin e Emirateve që prej vitit 2004.
Sipas kryeministrit, këto emra dhe poste të reja janë pjesë e fokusimit të qeverisë tek e ardhmja, rinia, lumturia, zhvillimi, arsimi dhe lufta ndaj ngrohjes globale.
Nga sondazhet e fundit, Emiratet e Bashkuara Arabe rezultojnë në vendin e 20 më të lumtur në botë.
Por, duket ky pozicion nuk është i kënaqshëm për autoritetet e këtij vendi që kanë vendosur të marrin masa dhe se sa të suksesshme do të jenë do ta dëshmojë vetëm koha.