Lëvizja Besa: E përshëndesim dhe inkurajojmë Prokurorinë Speciale

Lëvizja BESA i ka dhënë mbështetje të plotë punës së Prokurorisë Speciale duke thënë se ngritja e padive për disa ish funksionarë të lartë të shtetit përbën lajmin më të mirë në disa vitet e fundit në Maqedoni.

“Lëvizja BESA e përshëndet punën e Prokurorisë Speciale dhe e inkurajon atë të vazhdojë me këtë përkushtim, sepse vetëm me qasje të këtillë Maqedonia mund të pastrojë me të kaluarën e saj të errët dhe kështu të bëhet gati për sfidën e integrimeve. Me këtë rast nuk mund të mos rikujtojmë se këto padi janë edhe një dëshmi se pse Lëvizja BESA ishte dhe është aq këmbëngulëse për zgjedhje të drejta dhe korrekte. Manipulimet zgjedhore, që janë vërejtur edhe nga Prokuroria Speciale, janë treguesi më i saktë se sa është bërë e rëndësishme që në Maqedoni të pastrohen jo vetëm listat zgjedhore, por më shumë se kaq, që të mund të shpresojmë për një demokraci të mirëfilltë në vend. Këtu detyrimisht duhet të vëmë re edhe faktin se në të gjitha këto manipulime zgjedhore dyshohet se kanë qenë të përfshirë edhe zyrtarë të BDI-së, që e bën edhe më të diskutueshëm mandatin e kësaj partie”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.

Përveç temës së zgjedhjeve, sipas Lëvizjes BESA moment i rëndësishëm i këtyre padive është edhe rasti “Maxhar Telekom”, ku janë të përfshirë edhe Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi, të cilët dyshohet se kanë marrë ryshfet në vlerë prej disa miliona eurosh.

“Hetimi i këtij rasti e konfirmon dyshimin dhe konstatimin tonë, të deklaruar disa herë, se klasa politike e BDI-së është përmbytur në krim, korrupsion dhe ryshfet”, thuhet më tej në reagimin e Lëvizjes BESA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button