Rezultatet në Nju Hempshër: Sanders deklason Hillarin, fitore bindëse e Trampit

Tramp dhe Sanders korrën fitore ashtu siç pritej. Në anën republikane Nju Hempshër poashtu ngriti Kasiçin dhe ringjalli Bushin, ndërsa plasi përtokë favoritin e deritanishëm të establishmentit Marko Rubio.

Rezultatet. Ndryshe nga gabimet që bënë në Ajova, anketat qëlluan mirë fituesit e garave brendapartiake në Nju Hempshër. Fitoret e Trampit e Sandersit ishin aq të sigurta saqë të gjithë mediat i deklaruan ata fitues sapo dolën rezultatet nga vendvotimet e para. Rezultatet e tyre, sidomos Sandersit, madje tejkaluan edhe parashikimet e anketave. Përkundrazi shumë më i paqartë dhe më i ngushtë ishte rezultati për vendin e dytë te republikanët, apo thënë ndryshe për fitore në fraksionin e rëndësishëm të establishmentit. Në fund me rezultat të ngushtë këtë garë e fitoi Kasiç.

 

Rezultatet republikanët. Me 89% të votave të numëruara Tramp ka epërsi prej 30% ndaj vendit të dytë Kasiç. Kruz u rradhit i treti dhe Bush i katërit, por dallimi i vogël në vota mund të thotë se deri në fund renditja e këtyre dyve mund të ndërrohet.

Kandidati Kandidati Vota Vota % Delegatë në Nju Hempshër Delegatë total
 sDonald-Trump Donald Tramp 92.417 35.1% 10 17
 sJohn-Kasich Xhon Kasiç 41.813 15.9% 3 4
 sTed-Cruz Ted Kruz 30.416 11.6% 2 10
 sJeb-Bush Xheb Bush 29.186 11.1% 2 3
 sMarco-Rubio Marko Rubio 27.774 10.6% 0 7
 sChris-Christie Kris Kristi 19.811 7.5% 0 0
 sCarly-Fiorina Karli Fiorina 10.969 4.2% 0 1
 sBen-Carson Ben Karson 5.968 2.3% 0 3

 

Cka do me thënë rezultati. Fitorja e Trampit nuk përbën ndonjë befasi. Me rëndësi  dhe më interesante në Nju Hempshër  ishte beteja për vendin e dytë, gjegjësisht rezultati në fraksionin e establishmentit ku janë Bush, Rubio, Kasiç, Kristi dhe Fiorina. Në total establishmenti ka rreth 50% të votave prandaj fituesi në këtë fraksion do të ishte shumë mirë i pozicionuar afatgjatë. Këtu fitore të pakontestuar korri Kasiç, ndërsa i dyti doli Bush. Favoriti Rubio, i cili kishte ngritje të madhe pas Ajovës, dështoi plotësisht duke u renditur i pesti. Mirëpo rezultati i ngushtë mes tyre do të thotë që gara këtu mbetet akoma e paqartë dhe vendimtar do të jetë ndonjë shtet tjetër.

Rezultat i mirë mund të konsiderohet edhe ai i Kruzit. Nju Hempshër nuk ishte terren i mirë për të, prandaj çdo rezultat ndër vendet e para për të mund të konsiderohet si sukses.

Kristi dhe Fiorina përfundimisht duken jashtë lojë dhe ka mundësi që shpejtë të tërhiqen nga gara. Karson nuk ishte në terren të tij dhe me siguri do të vazhdojë garën në jug, ku ka më tepër evangjelistë dhe zezakë.

 

Rezultatet demokratët. Më tepër se fitorja e pritur e Sandersit, kampi i Klintonit duhet të shqetësohet nga thellësia e pësimit. Sanders tejkaloi edhe prognozat më optimiste, duke shënuar rezultat 60%-39% me 89% të votave të numëruara.

Kandidati Kandidati Vota Vota % Delegatë në Nju Hempshër Delegatë total
 sBernie-Sanders Berni Sanders 138.716 60.0% 13 42
 sHillary-Clinton Hillari Klinton 88.827 38.4% 9 394

 

Në numrin e delegatëve totalë janë përfshirë edhe 362 superdelegatët që përkrahin Klintonin, mirëpo këto mund të ndërrojnë mendje kur të duan para konventës.

Cka do me thënë rezultati. Thellësia e fitores së Sandersit përfundimisht shpalos problemet e Klintonit dhe epitetin e “fituesit të pashmangshëm” të saj. Tani më është e qartë se Sanders përbën kundërkandidat serioz që mund të vazhdojë të korrë fitore edhe në shtete tjera. Mirëpo gara tani zhvendoset në terren të favorshëm për Hillarin, në Nevada dhe në jug ku ajo ka ndërtuar “murin klintonian të jugut”. Nëse ajo fiton në shtetet e ardhshme me margjina të thella gara do të kthehet në normalietin dhe mërzinë e mëparshme, por nëse Sanders i afrohet në këto shtete gara bëhet plotësisht e hapur.

 

Çka më tutje. Të shtunën e ardhshme demokratët votojnë në Nevada, ndërsa republikanët në Karolinën e Jugut. Këto shtetet duhet të qartësojnë edhe pak situatën, sepse pas Nju Hempshërit gara duket kaotike në të dy partitë.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button