Leksion: Raporti në mes portaleve dhe versionit online të mediave tradicionale

Mediat në tërësi, duke përfshirë televizionin, radion, dhe botimet e shtypura, kanë lëvizur nëpërmjet një cikli të jetës së evolucionalizuar që nga fillimi i tyre, dhe vazhdojnë të zhvillohen gjithnjë e më shumë duke fragmentuar ofertat e medias. Në mënyrë të ngjashme, interneti si media ka evoluar në një hapësirë ​​të fuqishme të informacionit që ofron komunikimin në kohë reale, argëtim dhe përfshirjen e ekonomisë së tregut. Me rritjen e numrit të konsumatorëve të drejtpërdrejtë, vëmendja e tyre është larguar nga mediat tradicionale dhe të njejtat i zëvendësojnë me mediat interaktive. Kjo zhvendosje drejt internetit, ishte pritur si hap i ri, i cili mundëson demokratizim të skajshëm të shoqërisë, për shkak se mundëson komunikimin, hapjen e dialogut dhe lirinë e shprehjes të çdo qytetari, në çdo kohë, nga cilido vend i botës. megjithatë edhe problemin me një varg informacionesh, me relevancën e tyre, anonimatin e shfrytëzuesve ose qëndrueshmërinë e argumenteve.

Portalet e mediave tradicionale

Të gjitha gazetat, revistat, radiostacionet, dhe televizionet tani më kanë një adresë interneti. Nëse mediat synojnë publikun atëherë në mënyrë të pashmangshme duhet të qëndrojnë pranë tij atje ku ai shkon dhe harxhon pjesën më të madhe të kohës. Ekziston një shprehje që thotë: “Nëse një informacion është i rëndësishëm, ai do më gjejë mua”. Pra tani më nuk jemi ne ata që vrapojnë pas informacioneve, por janë ato që vrapojnë pas nesh. Në radhë të parë kjo lidhet edhe me interesin ekonomik të sajteve, ku në një farë mënyre ishin të detyruara të pajtohen me këtë realitet i cili preku direkt ekonominë e tyre. Reklamapaguesit nuk janë më aq dorëlëshuar të paguajnë shifra marramendëse në kohën e çmuar televizive kur është duke u transmetuar ndonjë emision livesoap përshembull, ngase ata fare lehtë mund të njoftojnë konsumatorin e tyre në internet me mënyra nga më të ndryshmet dhe me çmime shumë më të ulëta. Aty janë edhe rrejtet sociale që ofrojnë marketing pa pagesë ose me shumë pak para. Ekziston mundësia e opsionit boost post. Menaxhuesit e faqeve të ndryshme në facebook (fan page), në momentin që duan të rrisin numrin e ndjekësve, ose të promovojnë një produkt të ri, shfrytëzojnë këtë opsion. Më pas përdoruesve të tjerë të cilët nuk janë ndjekës të asaj faqeje u paraqitet në opsionin suggested page, ku i fton ata të pëlqejnë atë faqe. Mediat tradicionale në ueb duhet të fokusohen dhe duhet të shfrytëzojnë si armë të fuqishme për të sfiduar ato që nuk kanë një lokacion, por se lokacioni i tyre i vetëm është ueb-i. Portalet e mediave tradicionale, pa dyshim se janë më të përgaditura në aspekt profesional, ngase ata burojnë nga një model tradicional i të punuarit. Stafi i gazetarëve me përvojë dhe cilësia e informacionit të tyre është më e lartë. Ata nuk merren shumë me lajmet rozë dhe skandalet e VIP-ave por janë të interesuar të informojnë publikun mbi ngjarjet me karakter publik. Edhe termi karakter publik po cënohet dhe po merr një konotacion tjetër dhe pikërisht ky duhet të jetë misioni i mediave serioze, që të ruajnë dhe kultivojnë informacionin me interes publik, por së pari të ndërgjegjësojnë audiencën mbi vetë termin, pastaj është në dorë të publikut të bëjë diferencën. Nuk duhet ngatërruar veprimtaria e të njëjtit medium në modelin linear me atë interaktiv në ueb. Janë dy gjëra të ndryshme brenda të njëjtës marke. Rob Fixmer, krijuesi dhe kryeredaktori i Cybertimes (pjesë e The New York Times në web) shpjegon se objektivi i tij kryesor ka qenë që të krijojë një content origjinal për web. Kjo ishte një ide shumë kostoze. Për çdo informacion origjinal të botuar në Cybertimes, do të duheshin të paktën 1000 dollarë.

Portalet pa traditë lineare

Në këtë kategori bëjnë pjesë të gjitha ato sajte të cilat, pasi të kenë blerë domen-in për t’u konsideruar si faqe të pavarura në ueb, mund të fillojnë me prodhimin e informacionit. Faqet e reja në internet, të cilat po shtohen çdo ditë e më tepër, jodomosdoshmërisht duhet të kenë një adresë të vendodhjes së redaksisë së tyre, një staf të konsoliduar apo edhe një buxhet të ndarë për të vepruar. Ata e kanë parë të arsyeshme të funksionojnë më tepër në një mënyrë guerrile, duke u zhveshur nga të gjitha kërkesat që duhet të plotësojë një medium. Edhe përkundër nihilizmit të tyre, ata vazhdojnë të ekzistojnë, por edhe të ndiqen në masë të madhe nga publiku. Kjo ndodh për shkak se e kanë kapur ritmin e informacionit online i cili më tepër konceptualizohet në sasinë dhe bollëkun e tij. Skubet, lajmet rozë, lajmet e rrejshme, lajmet e pakonfirmuara, lajmet e huazuara dhe senzacionet janë elementet me të cilat luajnë më tepër këto portale. Dhe shiko, po ia dalin. Si duket një pjesë e caktuar e audiencave, janë të prirura të konsumojnë kësi lloj informacionesh dhe nuk i joshin aq shumë lajmet e mirëfillta të cilët mund të jenë të dobishëm por jo edhe aq argëtues.

Portalet e vetshpallur, vuajnë nga mungesa e profesionalizmit, nuk rekrutojnë gazetarë të rinj dhe ka shumë nga ata të cilët funksionojnë nga mirëmbajtja e një personi të vetëm. Ky person në të njejtën kohë është kryeredaktor, redaktor, gazetar, drejtor marketingu, menaxher financash, realizator e kështu me radhë.

Por çfarë në të vërtetë bën ai? Hap disa sajte të gazetave dhe televizioneve dhe shikon rangimin e lajmeve më kryesore të ditës dhe të njejtat i publikon në portalin e tij, ndonjëherë edhe pa cituar burimin. Në këto raste ka shkelje të copyright-it dhe stimulon atë që quhet monotoni e informacioneve që qarkullojnë në ueb, ku fare lehtë mund të dallosh kopjimin dhe shumfishimin e të njejtit. Ose ka raste kur nga tentativa për t’a modifikuar lajmin e njëjtë, fillojnë të ndryshojnë renditjen e fjalive ose të paragrafëve, një praktikë kjo që dëmton strukturën e një informacioni, duke ia humbur kuptimin. Vlen të theksohet se ekziston një plejadë e portaleve të cilët po investojnë shuma të majme për prodhimin e lajmeve. Ato janë më cilësorë dhe kompetitiv duke ju bërë ballë sajteve të mediave tradicionale që kanë kaluar në ueb.

Çfarë i bashkon portalet e mediave tradicionale dhe portalet pa përvojë konvencionale?

Rrjetet sociale janë pikëtakimi i të gjithëve, sepse aty qëndron pjesa më e madhe e publikut, por njëkohësisht rrejtet sociale po shndërrohen në një “vorbull” ku vështirëson të bërit e diferencës dhe ndikon në dezorientimin dhe presionin psikologjik tek publiku. Dallimi në mes mediave profesionale dhe atyre amatore është shumëdimensional, mirëpo treguesit që përcaktojnë cilësinë janë: përvoja e punës, investimi në pajisje teknologjike dhe investimi në resurse njerëzore. Do të ishte i mirëseardhur kontributi i ekspertëve të medias për të ndarë përvojat e tyre empirike mbi mirëpërdorimin dhe menaxhimin e drejtë të mediave online nga ana e përdoruesve masiv.

Agron Vrangalla

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button