Maqedonia gjips-poliestero-barokiane

Pas secilës skuqje të fytyrës, gjatë vizitave të mysafirëve prej jashtë shtetit në kryeqytetin maqedonas, disave e kam patjetër t’ua shpjegoj se nuk jemi popull që është kolektivisht në drogëra halucinogjene dhe se kemi edhe historinë tonë të pasur, se dhunimi i Shkupit nga të patalentuarit në art dhe në politikë – nuk është dëshirë e vdekatarëve të rëndomtë, të cilët heqin të zinjtë e ullirit për të mbijetuar… Nuk e di, prej turpit të tjetrit që më hëngri – të lahem apo të mbytem.

Dhe, shkruaja në të gjitha mediat me të cilat bashkëpunoj, për rezilin, për shëmtinë dhe për vrragat në fytyrë të atij Shkupi, dikur të bukur, thjesht për ta shpëtuar shpirtin, për arsye se, edhe unë, si të gjithë të heshturit para shikimeve të çuditshme të të cilëve për vetëm gjashtë vjet u ngrit “kryeqendra botërore e kiçit”, shkruaja më tepër për disa çështje të tjera: për neveritë në politikë, për ekonominë e shkatërruar, pa haramllëkun pa insaf dhe, disi, sikur nuk kisha kohë të kuptoja se çfarë po na ndodh. Edhe bëja shaka në llogari të krijesave me jetëra të gabuara, të cilat duke u zvarritur me parealizueshmërinë e asnjë plani, vendosën qytetit tim të lindjes t’ia shkatërrojnë fizionominë.

Shkruaja për “byrek – barokun” për “versionin ballkanik të Las Vegasit” dhe për metamorfozën e Qytetit të Solidaritetit në Qytet të kaosit, në skenografi për një tragjikomedi të tmerrshme për shpirtin katundar… Shkruaja edhe për atë pa brekë, si dhe për zjarrin e përhershëm që vazhdimisht shuhej dhe për dorën e Karevit të vendosur të pozitë lypëse (e madhe sa lopata e Alija Sirotanoviqit, sepse jemi të varfër dhe të mallkuar, por edhe zemrën në fije kashte na e nxorën  “rilindësit” që na e fusnin dorën në xhep 24/7, andaj edhe përmes përmendoreve së shpejti do të lutemi për ndihmë, për t’i kthyer borxhet…).

Dhe luaja e tallesha me personazhet pavetore të firerëe të vegjël të xhadeve e sokaqeve tona, të cilat me skena stiropori deshën të na krijojnë të kaluar “baroke”, pak më të mirë se jona, që nuk kishte qenë e denjë për ta, andaj u turrën dhe me lakmi pas së huajës, e cila, apo jo “prej nga prapanica e ngjitur në veshë”, ashtu, e bërë e lakuar, ja po rritet në djerrinat ballkanike, por me sa duket nuk po qenëson mirë nën diellin maqedonas dhe prej erës pranë Vardarit.

Shkruaja, po jo mjaft. More edhe bërtisja nëpër rrugë, po jo mjaftueshëm! Përderisa përqeshnim provincializmin, ata “realizonin”, përskaj llogarive në banka, i mbushin edhe planet budalleske të të gjithë atyre që urrejnë (ja, nuk është vetëm Shkupi. Edhe Manastirin duan ta shëmtojnë. Mor, këta edhe Parisin do ta shkatërronin, vetëm po t’u jepej mundësia…), të gjithë atyre që e urrejnë QYTETIN, për shkakun se frikësohen prej tij dhe e dinë se nuk përkasin aty. Dhe për këtë arsye jemi sot këtu ku jemi. Edhe mund vetëm të lutemi, apelojmë, paralajmërojmë… deri më tani, apo prej tani e tutje, të mendojmë se si t’ia kthejmë shpirtin Shkupit. E çfarë do të bëjmë me këto mijëra tonelata gjips, po edhe beton e hekur?

Pse ndotësit, armiqtë e gjelbërimit e të pemëve (që i përkujtojnë nga ajo prej së cilës kanë ikur, kur fort janë betuar se asnjëherë nuk do të kthehen), të frikësuarit prej eshaloneve të treta, janë vetëm masha në duart e krijuesve të planit monstruoz për rikomponim dhe shfytyrim, skear që nënkupton demontim të të gjithë asaj që është e vlershme e të vlefshme dhe ndërrim të gjithë materialit të fortë, shumëshekullor, me skena vrima-vrima – “qëndro disa ditë”. Me falsifikime…
Skenaristëve nuk u bënin gjyshërit e tyre, pa dëshiruan baballarët t’u kultivojnë disa të tjerë, që të fryhen me tituj…
Nuk u qe mjaft falënderuese historia maqedonase, ajo e njëmendta, e robëruara po rebele, ajo fshatarja e mërgimtarja, po e qëndrueshme si bari i egër… Asgjë për ta nuk ishte e mjaftueshme, po me sjellje të një hajni xhepash “dora më e shpejtë se syri”, si prej qerpiqve përlyen një variantë të re të tyre, ekskluzivët njëherë, nëpër 23 shekuj në mënyrë të drejtpërdrejtë të shtrënguar, deri te Aleksandri, të cilin e ripagëzuan në Luftëtar dhe Bukefalin që e ripagëzuan në Kalë.

Harxhuan, ditë pas dite prej së ardhmes sonë, duke ua shkurtuar jetën fëmijëve e nipërve tanë. Ndërtuan panair në rolerkosterin e të cilit e gjithë Maqedonia mund të vozitet, të bërtasë me sy të mbyllur dhe t’i lutet Krishtit e Allahut, të vijë ndonjë njeri normal, ta çkyçë sustën, ta ndalojë tatëpjetën…

630 milionë euro hodhën në erë, kurse as syri nuk iu tremb për 600 mijë të rinj që u derdhën nëpër botë, duke ikur nga makthi. Tetë vjet, e rrisnin borxhin publik nga një milion euro përditë, duke ndërtuar porta të kota triumfi për të gjitha disfatat e gabimet ekstatike-triumfale në vlerësime (që, gjithashtu, shikoje çudinë, e pagëzuan në “Maqedoni”) së cilës vetëm prindërit mund t’i dërgojnë fëmijët të cilët ikin – ku syte atje këmbët, për të shpëtuar…

Unë dhe njerëzit me të cilët komunikoj i përqeshnim me zemër , mirëpo ata, siç janë “të qëndrueshëm”, e çonin tutje agjendën suicidale, duke u përlloçur thellë e më thellë në flakë, në rërën e gjallë, në batakun e horrorit të tyre, idetë: për ndërtim të identitetit të ri nacional, për histori të re (e cila, normalisht, fillon me ta, dhe nënkupton fshirje deri në shkatërrim të gjithë asaj që kishte krijuar e mirëmbajtur shteti i ri shtatë dekada e gjysmë), për një mbiemër të ri të Maqedonie, që tashmë nuk është as e shumëllojshme si sallata me pemë, e as biblike, edhe përkundër dhjetëra kishave të reja shkupjane, por as sllave – për fat të keq – por, ja… gjipsoro-poliestero-barokiane...
Haram ju qoftë!

Burimi: Civil

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button