Ajova merr katër viktima, Tramp kërkon rivotim, Sandersi ripublikim të rezultateve

Nga gara u larguan O’Malli, Pol, Santorum dhe Hakabi. Fitorja e njollosur e Kruzit i jep shkas Trampit për të kërkuar anulim të rezultateve. Rezultati i ngushtë te demokratët bëjnë që Sandersi të kërkojë publikim të numrit të votave nëpër vendvotime

Efekti Ajova. Edhepse voton e para, historikisht Ajova nuk ka përcaktuar fituesin e përgjithshëm të garava brendapartiake. Më shpesh fituesi i Ajovës nuk ka qenë fitues i nominit në fund. Mirëpo ky as që është roli i Ajovës. Historia e votimeve tregon se Ajova shërben më tepër për të reduktuar numrin e kandidatëve, legjendë e formuluar me thënien “tre bileta nga Ajova” (three tickets out of Iowa). Sipas këtij principi nominimin në fund e fiton njëri nga tre të parët e Ajovës. Kjo si duket mban edhe këtë vit, sepse gara republikane shpejtë e shpejtë është shndëruar në garë mes tre personash Kruz, Tramp dhe Rubio. Mu për këtë shkak nga gara veçmë janë larguar Santorum dhe Hakabi, ashtu siç pritej. Pak më i papritur është largimi i Polit. Nga ana demokrate tani në garë kanë mbetur vetëm Klinton dhe Sanders, pasi pas rezultatit të dobët në Ajova nga gara përfundimisht u tërhoq O’Malli.

Fitorja e njollosur e Kruzit. Natën e votimeve fushata e Kruzit kishte qarkulluar një thashetheme se nga gara po tërhiqet Ben Karson, duke tentuar të marrë votat e tij. Sipas ekipit të Kruzit lajmi kishte ardhur nga CNN, që kishte raportuar se Karson po nisej për Florida. Kjo ishte një informatë e çuditshme sepse pas Ajovës kandidatët zakonisht nisen për Nju Hempshër ose Karolinën e Jugut, shtetet e ardhshme në orarin e votimeve. Me këtë kishin nisur dhe spekulimet se ndoshta Karson po tërhiqej nga gara. Fushata e Kruzit tani akuzohet se ka keqpërdorur këtë informatë dhe sepse nuk ka qarkulluar demantin e menjëhershëm të Karsonit. Sidoqoftë kjo i vë një njollë fitores së Kruzit, por gjithashtu shpalos naivitetin e kandidatëve pa përvojë politike. Është vështirë të besohet se ndonjë politikan i regjur do të bënte gabimin e Karsonit, që vërtetë dërgoi sinjal mosinteresimi.

Tramp kërkon rivotim ose anulim. Pas dështimit në Ajova Tramp u tërhoq nga skena 24 orët e ardhshme. Ai u rikthye në stilin e tij të vjetër, duke deklaruar se ai ishte fitues i vërtetë i Ajovës pasi Kruz paska përdorur taktika të pista. Tani kërkon që në Ajovë të rivotohet ose që partia të anulojë rezultatin e Kruzit. Por as njëra as tjetra s’kanë për të ngjarë. Pa marrë parasysh sa efekt ka patur truku i Kruzit, pranohet se shkas i vërtetë i fitores së tij ishte fushata e tij e super-organizuar, madje ndoshta edhe më tepër se kampanjat famoze të Obamës.

Probleme edhe te demokratët. Rezultati tepër i ngushtë te demokratët ka ngjallur dyshime edhe në rradhët e tyre. Problem shtesë është fakti se demokratët nuk raportojnë numrin e votave në Ajova, por vetëm numrin proporcional të delegatëve të fituar për konventën shtetërore. Në disa vende të vogla ku numri i delegatëve ka dalur i barabartë, madje delegati i fundit është përcaktuar me hedhje monedhe, e këto i kishte fituar të gjitha Klintoni. Prandaj Sanders tani kërkon publikim të numrit të votave të fituara, me gjasë me shpresë se votat e pastra mund t’a nxjerrin atë fitues. Por as kjo kërkesë nuk ka gjasa të plotësohet. Pa marrë parasysh sa antik mund të duket procesi i votimit në Ajova, ai ka funksionuar në këtë mënyrë dekada me rradhë dhe vështirë se do ndryshojë vetëm për hir të një kandidati të pakënaqur.

Martin O’Malli. Martin O’Malli u tërhoq nga gara posa filloi numërimi i votave. Përfundoi me 0,6% të delegatëve. Enigmë e pazgjidhur do të mbetet nëse Sanders do të kishte fituar sikur O’Malli të tërhiqej më herët, sepse si duket mbështetësit e tij do të kishin favorizuar Sandersin para Klintonit.

Majk Hakabi. Majk Hakabi u tërhoq sapo mbaroi numërimi në Ajova. Kjo ishte më se e pritur. Nëse Hakabi mund të kishte sukses dikund, ky ishte shteti i Ajovës me numrin e madh të evangjelistëve. Pikërisht këtu Hakabi kishte fituar gjatë kandidimit të tij të mëparshëm në vitin 2008. Tani përfundoi me 3.345 vota, apo 2%. Pas këtij debakli Hakabi vështirë se mund të rikuperonte diku tjetër.

Rik Santorum. Santorum u tërhoq dy ditë pas zgjedhjeve. Lart poshtë ai ishte në pozitë të njëjtë si Hakabi; ai kishte fituar në Ajova në 2012 dhe vetëm rezultati i mirë në Ajova mund t’a kishte shtyrë më tej. Por ai përfundoi edhe më keq se Hakabi, me vetëm 1.783, apo 1% të votave. Pas tërheqjes deklaroi se tani e tutje do të mbështesë Rubion.

Rend Pol. Nëse tërheqja e tre të parëve ishte krejtësisht e pritur, tërheqja e Rend Polit vërtetë ishte befasi. Edhe sikur të kishte përsëritur rezultatet e babait të tij Ron Pol nga viti 2012, ishte e qartë se Pol nuk mund të fitojë nominimin. Ai po qëndronte në garë vetëm që të përcjellë mesazhin e tij libertarian dhe mu për këtë  mendohej se do të rrijë në garë sa më gjatë që të ishte e mundur. Por si duket Pol u tërhoq ngase ka vendosur të fokusohet te kandidatura e tij për Senat, ose sepse një pjesë të madhe të mesazhit libertarian tani mund t’a përcjellë Kruz.

Efekti post-Ajova. Gara te të dy partitë tani vazhdon në Nju Hempshër. Në anën demokrate është e qartë së Nju Hempshërin do t’a fitojë Sanders, që udhëheq aty që moti, edhe kur ishte i dobët në Ajova. Shumë më e komplikuar është situata te republikanët. Aty Tramp udhëhiqte që moti me mbi 35%, i ndjekur nga pesë kandidatë tjerë në garë të ngushtë, por asnjëri më tepër se 14%.

Shenjat e para janë se shtytje nga Ajova kanë marrë Rubio dhe Kruz, ndërsa Tramp ka filluar të bjerë. Ai akoma udhëheq, por Kruz dhe Rubio janë ngritur dhe kanë ikur nga tre kandidatët tjerë Bush, Kasiç dhe Kristi. Çdo gjë mund të ndryshojë brenda disa ditëve, ashtu siç ndodhi në Ajova.

Çka më tutje. Demokratët patën debatin e rradhës të enjten në mbrëmje, e ky pasohet me debatin e tetë republikan të shtunën. Të martën, me 9 shkurt, janë primaret e Nju Hempshër te të dy partitë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button