Karakteristikat e ujit e tërheqin Hazbi Idrizin

Ngjashmëria me karakteristikat e ujit i cili nuk ka ngjyrë, shije dhe arome duket se përveç financiarisht Hazbi Idrizin kryetarin e komunës së Bogoviës e tërheqin edhe nga aspekti i përputhshmërisë me  karakterin e tij si një politikan që ka ndryshuar shumë parti pavarësisht ngjyrave duke ushtruar më shumë pozicione që ja kanë nxjerr shijen si politikan lokal me afat të skaduar.

Në fshatin Bogovinë, uji për pije është kthyer në simbol të rezistencës për mbrojtjen e investimeve të kryera nga vet qytetarët kundër qeverisë lokale. Është situatë hipotetike që të jep një shpjegim të qartë se sa qytetarët në fakt ju besojnë autoriteteve për të menaxhuar me resurset që në masë të madhe janë krijuar me mundin dhe investimet e kryera nga vet ata.

Muaj më herët kjo komunë pretendon se ka marr ujësjellësit e disa vendbanimeve për rreth në administrim, të cilat gjithashtu janë bërë me vet-kontribut të qytetarëve, ndërkohë që nuk është e qartë se çka ka ndryshuar pas kësaj, sepse të njëjtat vazhdojnë të mbeten në gjendje të mjerueshme. Por kur vjen puna për ujësjellësin e Bogovinës qytetaret kanë dalë në mbrojtje të së njëjtit.

Kjo ndodh siç thonë qytetaret për arsye se ata aspak nuk ju besojnë autoriteteve lokale në krye me Hazbi Idrizin,  duke vënë në pikëpyetje prapavijën për marrjen e këtij objekti.  Kryetari i komunës publikisht ju është kërcënuar se janë duke shkelur ligjin madje edhe ka thirrur në përgjegjësi penale personat të cilët kanë menaxhuar ujësjellësin gjithë këto vite. Por kërcënimi duket se nuk është i mjaftueshëm për të bind qytetarët të cilët duan të mbrojnë të vetmin send që ka funksionuar deri më tani në fshatin e tyre, dhe kanë paralajmëruar protesta të tjera për ditën e premte.

Ata përmendin ndërmarrjen “Sharri” për të cilën thonë se prej themelimit të saj ka falimentuar më shumë se 5 herë  për shkak të keqpërdorimeve të njëpasnjëshme financiare, ndërkohë potencojnë se edhe disa nga ish udhëheqësit e kësaj ndërmarrje dhe vet kryetarit ju është ngritur padi për keqpërdorime të ndryshme. Me këtë administrate komunale, qytetaret janë të bindur se i njëjti fat e pret edhe ujësjellësin e tyre. Këshilltari i vetëm komunal i pavarur që është në anën e qytetarëve Bujar Misimi shprehet se ” komuna edhe pse ka në ingerencë ujësjellësit ajo momentalisht nuk ka kapacitetin e duhur financiar por edhe aftësi të menaxhoj me ujësjellësin e Bogovinës” ai shton se ” përvoja e hidhur me ndërmarrjen për hedhurina na bën të besojmë se fati i njëjtë e pret dhe ujësjellësin tonë” ndërkohë që propozon që të gjendet zgjidhje duke dhënë me koncesion ose partneritet publiko-privat ujësjellësin qytetareve, të cilët me sukses kanë udhëhequr për 20 vjet të njëjtin. Ai gjithashtu tregon që ndaj tij ashtu si edhe ndaj shumë qytetarëve të tjerë u është ushtruar presion për të ndryshuar qëndrimin.

Se cili është interesi i kryetarit te komunës Idrizi që pas më shumë se  6 vjet në krye të kësaj komune të insistoj një ndërmarrje të suksesshme e cila mund lehtësisht të legalizohet, të fus nën kontroll mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt që deri sot, ingerencat e ushtruara në shumë fusha kanë lënë qytetarët e kësaj komune me rruge të këqija, vendbanime të tëra pa ujë të mjaftueshëm, sisteme të amortizuara ujësjellësish, ndërsa për kanalizme dhe investime kapitale as që mund të bisedohet.

Shumë qytetarë të kësaj komune janë të bindur se  ky politikan me karakteristika uji pa ngjyrë e shije, duhet të tërhiqet njëherë e përgjithmonë nga skena politike duke lëshuar hapësirën një arome të re ne skenën politike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button