Demokratët në Ajova: Klinton fyt më fyt me Sandersin

Gara demokratike në përgjithësi këtë vit ka qenë më e qetë, më e parashikueshme dhe më e mërzitshme se ajo republikane. Qysh në fillim favorite ishte Hillari Klinton, të cilës nuk guxuan t’i dalin kundërkandidatë më seriozë. Pas tërheqjes së Bajdenit konkurent kryesor mbeti Berni Sanders, socialist i vetëdeklaruar nga shteti i vogël Vermont, figurë thuajse e panjohur në bazën demokrate. Gjatë kohë mendohej se Sanders kishte dalë në garë vetëm për të tërhequr vëmendjen tek idetë e tij socialdemokrate dhe për t’a kthyer partinë më në të majtë. As vetë Sanders si duket nuk mendonte se ka gjasa reale për të fituar nominimin demokrat.

Gjithçka ka ndryshuar menjëherë pas festave të Vitit të ri. Përnjëherë Sanders ka marrë hov të madh, si në nivel nacional, ashtu edhe në shtetin e Ajovës. Përnjëherë epërsia e Klintonit në Ajova që vetëm dy muaj më parë ishte 30 pikë përqindje është avulluar thuajse plotësisht dhe tani ajo ka vetëm një përparësi brenda margjinave të gabimit të anketave. Përnjëherë Sanders ka marrë seriozisht kandidaturën e vet dhe ka gjasa reale për të fituar në Ajova, e sidomos më pas në Nju Hempshër.

Për fushatën e Klintonit zhvillimi i këtillë sjell makthe që ajo veçmë i ka përjetuar në vitin 2008. Edhe atëherë Klinton llogaritej favorite absolute, saqë nuk morri seriozisht konkurencën që i vinte nga një senator i ri, Barak Obama. Pikërisht fitorja e Obamës ndaj Klintonit në Ajova rriti tejmase mbështetjen e tij nga baza demokrate, që në fund ia solli nominimin demokrat e më pas edhe presidencën.

Demokratët në Ajova 2008. Në vitin 2008 Klinton humbi jo vetëm nga Obama, por madje doli e treta, pas Xhon Eduards. Refuzimi për të marrë seriozisht Ajovën dhe deklasimi i saj në kaukuse gjerësisht llogaritet si fillimi i fundit i saj. Megjithëse arriti të rikthehet në Nju Hempshër, Ajova ia prishi aurën e fitueses dhe anti-Klintonianët e partisë demokrate gjetën tek Obama heroin që kishte kapacitet të mposhtë Klintonin.

Kandidati Përqindja Delegatë
Barak Obama 38% 16
Xhon Eduards 30% 14
Hillari Klinton 29% 15

 

Demokratët në Ajova 2004. Një skenë e ngjashme ka ndodhur edhe në zgjedhjet e mëparshme, në vitin 2004. Atëbotë favorit tek demokratët llogaritej Hauard Din, por njëlloj si Klinton në 2008 Din u mund nga dy kandidatë tjerë dhe doli i treti. Fituesi i Ajovës, Xhon Keri, vazhdoi më tej për të fituar nominimin, por siç dihet humbi në zgjedhjet e përgjithshme nga republikani Xhorxh Bush. Eduards ishte kandidat për nënkryetar i Kerit.

Kandidati Përqindja Delegatë
Xhon Keri 37.6% 20
Xhon Eduards 31.8% 18
Hauard Din 18.0% 7
Riçard Gepart 10.6% 0

 

Demokratët në Ajova sot. Këtë rradhë konkurentë seriozë janë vetëm Klinton dhe Sanders, ndërsa O’Malli vështirë se do të arrijë pragun e duhur prej 15% për të marrë ndonjë delegat. Klinton ka një avantazh prej rreth 3% sipas secilit model dhe për këtë bastoret e konsiderojnë si favorite për të fituar me koeficient 4:1.

Demokratet ne Ajova 1 shkurt
Demokratet ne Ajova 1 shkurt
Kandidati Kandidati RCP HuffPost 538 Gjasat-Bastore
 sHillary-Clinton Hillari Klinton 47.9% 47.7% 48.3% 78%
 sBernie-Sanders Berni Sanders 43.9% 44.6% 45.1% 22%
 sMartin-OMalley Martin O’Malli 4.3% 3.7% 5.1% 0%

 

Mirëpo anketat nuk tregojnë gjithë situatat dhe janë dy faktorë tjerë që do të ndikojnë në rezultatin përfundimtar. Së pari çelësi do të jetë te dalja. Sanders ka përkrahje më të madhe te të rinjtë dhe ata që thonë se do të votojnë për herë të parë. Sanders pra ka situatë të ngjashme si Tramp. Nëse dalja është e madhe, avantazhi do të jetë për Sandersin, në të kundërtën fitorja do t’i takojë Klintonit.

Faktor i dytë është rregulla e demokratëve që kërkon që mbështetësit e kandidatit që ka ndër 15% të votave në një vend kaukusi të deklarohen për ndonjërin nga kandidatët tjerë. Kjo do të thotë se çelësi do të jetë te mbështetësit e O’Mallit. Nëse gravitojnë kah Sandersi, ashtu siç pritet Sanders mund të bëjë befasinë.

 

Çka më tej. Për të qenë të sinqertë duhet të themi se Klinton akoma është favorite absolute për nominim, sepse Sanders hë për hë nuk ka mbështetje jashtë Ajovës dhe Nju Hempshërit. Klinton me siguri mund të përballojë humbjen në dy shtetet e para dhe të bëjë kthesën në shtetet e ardhshme, tek “muri klintonian i jugut”.

Sanders ndërkaq e ka patjetër të fitojë, ose të paktën të humbë me dallim minimal. Këtu është shansa e tij e vetme që të tregojë se mund të mposhtë Klintonin dhe t’i tërheqë ata aktivistë që mund të hezitojnë t’i dalin kundër Klintonit përderisa mendojnë se ajo gjithsesi do të korrë fitore.

O’Malli me siguri nuk do të arrijë as 15% të pragut të duhur dhe ka gjasa që të hënën në mbrëmje ose të martën në mëngjes të tërhiqet nga gara.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button