Sot nisin zgjedhjet presidenciale – e para voton Ajova

Shteti i vogël, kryekëput i bardhë i Ajovës  ka rol të rëndësishëm politik pasi aty fillojnë edhe formalisht votimet për nominim të kandidatëve presidencialë

Epiqendra e politikës amerikane, ndoshta edhe asaj globale, sot është shteti i vogël i Ajovës. Pas muajve të tërë fushate e debatesh, në këtë shtet të vogël në qendër të Amerikës sot edhe formalisht nisin zgjedhjet presidenciale amerikane. Demokratët dhe republikanët sot mbajnë kaukuset e tyre në këtë shtet, në një situatë krejtësisht të paparashikuar te të dyja partitë. Mu për këtë zgjedhjet do të kenë domethënie të posaçme dhe duhet të nisin të japin disa përgjigje për rrjedhat e çuditshme që ka marrë fushata e këtij viti. Më konkretisht ata duhet të japin një pamje të parë për saktësinë e anketave, pikë së pari sa janë të sakta supozimet se Tramp te republikanët dhe Sanders te demokratët kanë gjasa reale për të fituar nominimin.

Por cili është shteti i Ajovës? Më poshtë disa të dhëna elementare për këtë shtet të vogël me rëndësi të madhe politike.

Ajova – shteti i vogël në qendër të Amerikës. Ajova është shtet i vogël në zonën e quajtur Mesperëndimi i Amerikës. Ajo shtrihet mes lumejve Misuri dhe Misisipi dhe kap një sipërfaqe prej 146.000 kilometrash katrorë, pra është përafërsisht gjashtë herë më e madhe se Maqedonia. Sipas të dhënave të fundit Ajova ka rreth 3,1 milionë banorë, më pak se 1% e popullsisë totale të SHBA-ve. Kryeqytet është Des Moines me rreth 600.000 banorë, ndërsa qytete tjera relativisht më të mëdha janë Cedar Rapids, Davenport dhe Siuks Siti. Një numër i madh vendesh kanë emra indianë, ndërsa një pjesë tjetër emra francezë, pasi territori fillimisht ka qenë koloni franceze. SHBA-të e blejnë nga Franca në vitin 1803, ndërsa në vitin 1846 konstituohet si shteti i 29-të i federatës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës së asaj kohe.

Demografia – shtet tejet i bardhë. Ajova në asnjë mënyrë nuk i ngjan Amerikës si tërësi. Ajo është shtet ku tërësisht dominon raca e bardhë, të cilës i përket mbi 91% e popullsisë së shtetit. Rreth 3% janë zezakë, 2% aziatikë, ndërsa 4% tjerët janë raca të përziera. Sipas prejardhjes të bardhët janë kryesisht gjermanë, pastaj pasojnë irlandezët, anglezët e norvegjezët. Rreth 4% e të bardhëve janë latinë. Popullsia është kryesisht urbane, por me numër të madh vendbanimesh rurale.

Popullsia e Ajovës është kryesisht e krishterë. 52% janë protestantë, 23% katolikë, ndërsa të tjerët ju përkasin religjioneve tjera ose asnjë religjioni. Religjioni luan rol të madh në politikën e Ajovës, sidomos në krahun republikan që zakonisht shpërblen ndonjërin nga kandidatët e krishterë evangjelistë.

Ekonomia. Toka pjellore e vendit ka bërë që baza ekonomike e Ajovës të jetë bujqësia. Mu për këtë politika agrare, sidomos çështja e subvencioneve, përherë ka qenë temë kritike në politikën e këtij shteti. Ajova është prodhuesi më i madh i misrit në SHBA, ndërsa me një sërë prodhimesh tjera renditet ndër vendet e para. Çështje e prekshme politike janë subvencionet që jep qeveria federale për etanolin, energjens që prodhohet nga misri. Subvencionet e etanolit janë burim kryesore i të ardhurave të një pjese të madhe të të banorëve të këtij shteti. Mu për këtë mendohet se kanë dëmtuar deri diku Kruzin i cili kundërshton të gjitha llojet e subvencioneve.

Kohët e fundit ekonomia është modernizuar dhe për pasojë prodhimtaria ka kaluar bujqësinë si aktivitet kryesor ekonomik. Mirëpo edhe prodhimtaria është e lidhur indirekt me bujqësinë, sepse në Ajovë për shembull dominon industria ushqimore. Rol të madh në ekonomi luajnë edhe financat dhe sigurimet. Një pjesë e popullsisë poashtu punon në arsim dhe në punë shteti.

Bruto prodhimi vendor total është rreth 124 miliardë dollarë, pra rreth 40.000 dollarë për kokë banori. Papunësia është 3,4%.

Politika. – Me pozicionin gjeografik dhe strukturën ekonomike Ajova është njëri nga shtetet e ashtuquajtura “të lëkundshme”, ku fitojnë herë republikanët e herë demokratët. Mirëpo me përjashtim të fitores së Bushit në vitin 2004, në zgjedhje presidenciale shteti ka votuar për kandidatin demokrat prej vitit 1988. Por kohët e fundit në shtet dominojnë republikanët. Ata kanë guvernatorin dhe Dhomën e Ulët të shtetit, ndërsa demokratët mbizotërojnë në Senatin e shtetit.

Si çdo shtet tjetër i SHBA-ve Ajova dërgon dy senatorë në Senatin amerikan, ndërsa në Dhomën e Ulët ku vendet ndahen sipas popullsisë Ajova ka katër kongresmenë. Të dy senatorët janë republikanë, ndërsa nga kongresmenët tre janë republikanë dhe njëri demokrat. Kthesa e viteve të fundit do të thotë që Ajova do të jetë përsëri në garë në zgjedhjet e përgjithshme, me gjasa të mira që t’a marrin republikanët.

Mënyra e votimit – kaukuset e mbyllura. Ajova është ndër shtetet e rralla që voton në mënyrë të çuditshme – me kaukuse. Në kaukuse nuk ka vendvotime të hapura gjithë ditën, ashtu si në votimet e rregullta. Votuesit e interesuar duhet të “kaukusojnë”, që do të thotë se duhet mblidhen në vende të caktuara (shkolla, librari, madje edhe shtëpi private) në ora 7 të mbrëmjes. Ata debatojnë nja dy orë mes vete duke agjituar për kandidatin e tyre të preferuar, e pastaj në fund votohet.

Kaukuset e Ajovës janë të mbyllura. Kjo do të thotë se te republikanët mund të votojnë vetëm anëtarët e partisë republikane, ndërsa te demokratët vetëm ata të partisë demokrate. Anëtarësimi në parti mund të bëhet edhe ditën e zgjedhjeve, deri në momentin kur fillojnë kaukuset.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button