Kriza e refugjatëve: 10 mijë minorenë të pashoqëruar janë zhdukur

“Europol”, agjencia e Bashkimit Europian ka lëshuar alarmin se të  paktën 10 mijë fëmijë refugjatë të pashoqëruar janë zhdukur pasi kanë mbërritur në Europë. Kjo agjenci shton se ekziston frika që shumë prej tyre të kenë rënë në duart e grupeve të organizuara kriminale të trafikimit të qenieve njerëzore.

Shefi i “Europol”-it ka thënë për britaniken “The Observer”, gazetë e fundjavës e publikuar nga “The Guardian”, se mijëra minoren të rrezikuar janë zhdukur pasi janë regjistruar në autoritetet shtetërore ku kanë shkelur për herë të parë në Europë.

“5.000 fëmijë janë zhdukur vetëm në Itali, ndërsa 1.000 të tjerë nuk dihen se ku ndodhen pasi kanë mbërritur në Suedi”, tha Brian Donald. Ai paralajmëroi se, një “strukturë kriminale” paneuropiane dhe e sofistikuar po shënjestron tashmë refugjatët.

“Nuk është e paarsyeshme të thuash se jemi duke kërkuar për mbi 10 mijë fëmijë. Jo të gjithë prej tyre mund të jenë duke u shfrytëzuar në mënyrë kriminale, disa mund t’u jenë bashkuar anëtarëve të tjerë të familjes. Ne, thjesht nuk e dimë se ku janë ata, çfarë bëjnë dhe me cilët shoqërohen”, tha shefi i stafit të “Europol”.

Ndërkohë, gjendja e fëmijëve refugjatë të pashoqëruar është cilësuar si një prej çështjeve më të rëndësishme në krizën e përgjithshme të emigrantëve dhe refugjatëve.

Një javë më parë, Britania tha se do të pranonte më shumë minoren të pashoqëruar nga Siria dhe zona të tjera të konfliktit. Sipas “Save the Children”, rreth 26 mijë fëmijë të pashoqëruar kanë hyrë në Europë gjatë vitit të kaluar. “Europoli”-i, që zotëron një forcë prej 900 analistësh kundërzbulimi dhe oficerë ndërlidhës të policisë, beson se 27 për qind e miliona të mbërriturve në Europë vjet kanë qenë minoren.

“Flasim për rreth 270 mijë fëmijë në total, pa e ditur nëse janë të regjistruar apo jo. Jo të gjithë prej këtyre janë të pashoqëruar, por kemi tregues të mjaftueshëm se një pjesë e madhe e tyre mund të jenë të pashoqëruar”, tha Donald, duke treguar se shifra prej 10 mijë minorenësh të zhdukur mund të jetë disi e kursyer.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button