Ura me dy harqe

Çdo situatë e krijuar, kërkon një zgjidhje të re. Zhvillimet politike që përfshinë Maqedoninë për disa muaj imponuan ndryshime të rëndësishme në jetën politike në vend, që sollën zëvendësimin e disa ministrave dhe zv/ministrave, ndryshime që kulmuan me dorëheqjen e kryeministrit, lëvizje këto të kushtëzuara nga Marrëveshja e Përzhinos e arritur me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.

Zgjedhjet që pritet të mbahen në 24 Prill të këtij viti, me gjasë do të bëjnë transformimin e duhur politik me qëllim të kapërcimit të këtij ngërçi. Në fakt qarqe të caktuara, sidomos ato opozitare shprehin njëfarë skepticizmi lidhur me atë se a është e mjaftueshme koha për menjanimin e pengesave për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme, por sinjalet e faktorit ndërkombëtar flasin për respektim të Marrëveshjes së arritur, duke garantuar se zgjedhjet do të kenë frymë demokratike që do të sjellin një situatë të re në vend.

Është me rëndësi ndikimi i faktorit ndërkombëtar, sepse Maqedonia nuk e ka kapacitetin e duhur për të garantuar procese demokratike, dhe sidomos në një situatë të rënduar politike, ku duhet kaluar “ura” për ta kthyer vendin në gjendje normale.  Përveç kësaj Maqedonia ka konteste të hapura me vendet fqinje, siç është kontesti për emrin me shtetin grek dhe si rrjedhojë edhe identitetit për një pjesë të popullsisë, si dhe sfidat për definim të statusit juridik të shtetit në marëdhëniet ndërkombëtare. Duhet marrë parasysh se ky problem bëhet edhe më i komplikuar për shkak se Maqedonia është e njohur në OKB si FYROM, dhe jo me emrin kushtetues.

Prandaj, sfida për transformim të Maqedonisë sa është e brendshme aq është edhe e jashtme. Nga ky prizëm, çështja është se a do të jetë përcaktimi për transformim të brendshëm politik që do të reflektonte edhe në marëdhëniet me shtetet tjera, ose do të jetë e kundërta dhe transformimi do të fillojë nga jashtë.

Nga ky këndvështrim cili është qëllimi i mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme?!

Dy janë mundësitë e transformimit, e para, nëse vjen deri tek ndërrimi i pushtetit, pra në rast të ardhjes së opozitës në pushtet, atëherë transformimi duhet të fillojë nga brenda, në kuptimin para së gjithash të ndryshimit të konceptit të shtetit, nga monoetnik, në multietnik siç është në realitet. Kjo detyrimisht duhet të ndryshojë edhe mënyrën e funksionimit të partive participuese në qeverisje (maqedone dhe shqiptare), gjegjësisht raportin mes tyre, pra të promovojë një frymë të re politike.

Duhet të ndryshojë një praktikë e krijuar (bazuar në një bisedë të bërë publike, mes P. Arbnorit dhe përfaqësuesve politik në Maqedoni) se strukturat maqedonase përveç se i kontrollojnë partitë shqiptare në Maqedoni, indirekt janë të kyçura edhe në themlimin e tyre (gjë të cilën nuk dua ta besoj). Pra duhet të vijë deri tek  rrugë hapja e vullnetit politik , për arritjen e balancit politik. Duket pak non-sens për një shtet me mentalitet ballkanik, por të gjitha indikacionet tregojnë se rruga e vetme e shteteve të Ballkanit Perëndimor është integrimi në UE, prandaj është një sprovë që duhet kaluar patjetër, siç kanë bërë shtete të rëndësishme evropiane si Zvicra, Belgjika, Luksemburgu, si shtete me demokraci funksionale.

Dhe praktika e dytë që duhet të ndryshojë  – ajo e krijimit të një opozite artificiale e kontrolluar lehtësisht nga pushteti, instrument politik ky i shpikur nga Lenini për herë të parë, me qëllim të kontrollit të tërësishëm të pushtetit, pra një instrument i një filozofie komuniste, marksisto-leniniste, moti e tejkaluar, që bie ndesh me aspiratat që ka Maqedonia, për tu transformuar në një shtet demokratik.

Nga ana tjetër nëse nuk vjen deri tek ndërrimi i pushtetit, atëherë transformimi i Maqedonisë duhet të fillojë nga jashtë, pra regullimin e raporteve me shtetet me të cilat ka konteste të hapura, me theks Greqinë, arritjen e marrëveshjes për çështjen e emrit të shtetit,  që me gjasë do të ndikonte edhe në hapjen e rrugës për anëtarësim në strukturat euro-atlantike, dhe me këtë arritjen e standarteve të caktuara për anëtarësim. Krejt kjo situatë përveç se do ti tejkalojë problemet e jashtme do të ndikonte edhe në ndryshimin e rrethanave politike brenda Maqedonisë, duke reflektuar imazhin e një shteti, ndryshe nga ai që është sot.

Është e qartë se Maqedonia si shtet me një status të çuditshëm, nuk ka kurrëfarë peshe në kostalacionet politike në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për më tepër edhe regullimin e brendshëm e ka të pa sistemuar. Maqedonia duhet të ndyshojë nga demokratura e tashme në një demokraci funksionale. Nga barazia e shkruar ndëretnike në një barazi të vërtetë mes maqedonasve dhe shqiptarëve, duke bërë transformimin nga një shtet etnocentrik në një shtet të etnive të barabarta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button