VMRO-DPMNE llogarinë që s’e kërkoi te Zvërlevski e kërkon te Janeva

Buxheti i prokurores speciale, Katica Janeva, ka nxitur debat të ashpër në Kuvendin e Maqedonisë. Edhe përskaj mbështetjes së VMRO-DPMNE-së ndaj prokurores speciale, deputetët e kësaj partie kanë hedhur shumë dyshime ndaj punës së saj dhe mënyrës së harxhimit të mjeteve financiare. Nga ana tjetër deputetët e opozitës, nga radhët e LSDM-së, retorikën e deputetëve të LSDM-së e kanë cilësuar si frikë nga e vërteta që do të del si pasojë e krimeve të pushtetit aktual, raporton Portalb.

Deputeti Kërste Mukoski nga VMRO-DPMNE, tha se si parti mbështesin buxhetin për Prokirorinë Speciale Publike, por jo edhe transparencën e saj.

“Ne ende s’kemi numër të saktë të të punësuarve në Prokurorinë Speciale Publike. Ekipin e prokurores speciale e ndjekin shumë kontroverse. Ata vetë bëjnë obstruksione. Lëshoi nga puna 2 prokurorë edhe pse në fillim kërkoi 14, tani ka mbetur me 10 prokurorë”, theksoi ai, duke pyetur se vallë ku është këtu transparenca.

Mukoski kërkoi që prokurorja special Janeva të dorëzojë raport për paratë që kërkon.

“Mukoski këto pyetje bëjani ministrit të financave- Stavrevskit, ja këtu e keni”, replikoi Goran Sugareski nga LSDM.

“Pse nuk e kërkuat prokurorin publik Zvërlevski të ju raportojë, brenda këtyre 10 viteve. Ju keni frikë. Ish kryeministri në fjalimin e tij 52 herë e përmendi fjalën popull. Për ju njëra frikë vjen nga populli dhe tjetra nga prokurorja speciale. Duhet të ju vijë turp, nuk kërkuat raport nga Zvërlevski tani kërkoni raport nga prokurorja special, institucion që vet e votuat”, u shpreh Sugareski.

Mëtutje Mukoski ka insistuar se Janeva për paratë që kërkon duhet t’i arsyetojë me plan program për punën e saj në vijim.

“Nëse ai institucion është transparent duhet që të dorëzojë plan program”, porositi Mukoski.

Në debat është kyçur edhe deputeti nga radhët e Partisë Liberal Demokrate, Goran Mileski.

“Funksionarë të lartë të VMRO-DPMNE-së kërkojnë që Janeva të jap llogari para Këshillit të prokurorëve, ndërkaq ju kërkoni që Janeva të jap llogari para parlamentit. Ndërsa askush deri më tani nuk ka kërkuar llogari nga prokurori Zvërlevski, nëse ai ka zbardhur ndonjë rast apo jo”, tha Mileski.

Për partitë shqiptare parlamentare tema në fjalë nuk ka qenë në interes për t’u diskutuar.

Buxheti i prokurores special Katica Janeva do të arrijë vlerën prej 253.682.112 denarë, të cilat dedikohen për punë të papenguar dhe funksionim autonom të Prokurorisë publike speciale.

Mjetet financiare për PSP-në do të dedikohen për pagesë të mjeteve për rroga dhe kompensime të prokurorëve publik, rroga dhe kompensime të të punësuarve në shërbimin profesional publik të prokurorisë, mjete për furnizim të mallrave dhe shërbimeve, si dhe investime kapitale të Prokurorisë publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button