Freedom House: Kosova ende pjesërisht e lirë, kritikohet opozita

Organizata Freedom House ka radhitur sërish Kosovën dhe Shqipërinë në mesin e vendeve pjesërisht të lira edhe për vitin 2015.

Në të njëjtën kategori janë edhe vendet e rajonit si Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Serbia kësaj radhe është përfshirë në mesin e vendeve të lira.

Kosova sa u përket të drejtave politike ka marrë notën 3 nga 4 sa ishte një vit më parë, ndërsa për liritë civile, vlerësimi është i pandryshuar në 4.

Në raportin e publikuar të mërkurën, Kosova, Bosnja dhe Maqedonia përmenden si vende që janë përballur me qeverisje jofunksionale.

“Në Kosovë, deputetët kanë kundërshtuar njërën nga marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe kanë penguar në vazhdimësi debatin parlamentar duke hedhur gaz lotsjellës brenda parlamentit dhe duke qëlluar me vezë zyrtarët qeveritarë”, thuhet në raport e transmetuar nga VOA, duke ju referuar krizës politike në Kosovë për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes së arritur në bisedimet me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Shqipëria ka të njëjtën shkallë vlerësimi, duke marrë 3 pikë për gjendjen e lirisë në përgjithësi, në një sistem matës me një shkallë nga 1 në 7, ku 1-shi përfaqëson liritë më të mëdha dhe 7-ta mungesën më të madhe të lirive.

Në raport thuhet ndërkaq se qeveria e Bosnjës e Hercegovinës vazhdon të jetë e pazonja për t’u përballur me problemet përfshirë edhe korrupsionin endemik që ka përfshirë atë vend. Ajo madje mund të përballet me situatë edhe më të vështirë, nëse ndodhë referendumi i planifikuar nga serbët e Bosnjës mbi legjitimitetin e gjykatave kombëtare, theksohet në raport.

Në Maqedoni, thuhet në raport, partia në pushtet është përfshirë pos tjerash në një skandal përgjimesh masive, duke krijuar kështu një hendekpolitik me opozitën dhe duke nxitur ndërhyrjen e Bashkimit Evropian për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vitin 2016.

Freedom House thekson se viti i kaluar ishte i dhjeti me radhë gjatë të cilit është shënuar rënie e lirive në shkallë botërore, duke përmendur sulmet terroriste që kanë ndodhur gjatë vitit2015.

Në raport përfshihet edhe ajo që Freedom House e cilëson si paaftësi të Evropës për t’u përballur me valën e strehim kërkuesve nga Siria dhe zonat tjera të përfshira nga konfliktet.

Në raport janë përfshirë 195 vende, nga të cilat 86 janë radhitur si të lira, 59 si pjesërisht të lira dhe 50 si jo të lira.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button