Akuzat për korrupsion ndaj Putin, Kremlini: Të nxjerrin faktet!
Pas akuzave të drejtpërdrejta nga Thesari amerikan i Shtetit, se Putin është i korruptuar, Kremlini ka kërkuar prej këtij institucioni të nxjerrë provat, transmeton Top Channel.
Zëdhënësi i presidentit, Dmitry Peskov tha për reporterët se, pretendimi i tyre është një “akuzë zyrtare” dhe një “fabrikim total”.
Adam Szubin, i cili mbikëqyr sanksionet e Thesarit amerikan, tha për një program investigativ të BBC-së një ditë më parë se, qeveria amerikane e dinte prej vitesh të tëra që Putin ishte i korruptuar. Megjithatë, kjo është hera e parë që Shtetet e Bashkaura bëjnë një akuzë të tillë të drejtpërdrejtë.
Uashingtoni ka vendosur deri më tani një seri sanksionesh ndaj ndihmësve të Putinit, por deri më sot ishte ndalur të barazonte akuzat e korrupsionit me vet presidentin rus. Sanksionet amerikane janë vendosur ndaj një sërë personash të brendshëm të Kremlinit në vitin 2014, pasi Presidenti Putin urdhëroi aneksimin e Krimesë nga Ukraina, si dhe nisjen e një konflikti të armatosur në dy rajone lindore të vendit.
Edhe Bashkimi Europian vendosi sanksione të ngjashme kundër kompanive dhe individëve rusë, duke u fokusuar në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë ruse, të cilat janë nën kontrollin e elitës politike të vendit. Në atë kohë, qeveria amerikane përmendi se Presidenti Putin kishte investime sekrete në sektorin e energjetikës.
Peskov tha për reporterët në Moskë se pretendimet e emisionit “Panorama” në BBC duken të ngjashme me “rastin e radhës klasik të gazetarisë së papërgjegjshme, nëse nuk do të kishte qenë një koment i një përfaqësuesi të Ministrisë amerikane të Financave (konkretisht Thesarit ametikan të Shtetit)”.
Si i tillë, ai përbën një akuzë zyrtare. “Duket qartë se kush po e drejton këtë rast”, tha Peskov, i cili shtoi se një pretendim i tillë kërkon prova, për të treguar se deklaratat nuk janë shpifje të pabazuara. Presidenti Putin refuzoi të merrej në pyetje nga “Panorama”, por Kremlini ka mohuar një akuzë të tillë.