Të rinjtë, mendime të dyzuara në lidhje me zgjedhjet

Edhe pse ende spekulohet për datën, zyrtarisht gjasat më të mëdha janë që në Maqedoni të ketë zgjedhje parlamentare në 24 prill të këtij viti.

Në lidhje me zgjedhjet e mundshme, Portalb anketoi disa të rinj tetovarë, numri më madh i të cilëve janë të pavendosur për atë se a do të votojnë.

Në këtë grup është edhe Jakup Sulejmani, i cili ende nuk ka vendosur nëse do votojë apo jo.
“Nuk e di ende por edhe nëse dal nuk kam ndonjë vullnet të veçantë sepse nuk besoj se do të ndryshoj diçka”, tha Sulejmani.

I pa vendosur duket se është edhe i riu Agim Iseni. Ai mendon se ende është herët, ndonëse gjasat reale janë që zgjedhjet të mbahen në prill.
Për Portalb ai tha: “Ende nuk kam vendosur , por edhe nëse vendos duhet të mendohem mirë se kë e votoj. Dikush këtë punë e merë me shaka mirëpo me aktin e votimit duhet të llogaritur se 4 vitet e ardhshme do të qeverisesh nga dikush. Është vendim jo i lehtë po ta mendojmë si duhet”.

Për të votuar duket se dalin jo vetëm ata që kanë bindje dhe optimizëm për një parti politike, por edhe ata që dëshirojnë që vota e tyre të mos shkoj aty ku nuk duhet pa vullnetin e tyre.

“Mendoj të votoj edhe kësaj radhë edhe pse e di prej tani se përsëri do të ngelem i zhgënjyer nga qeverisja e ardhshme, sepse kjo më është bërë rutinë. Arsyeja e vetme që do të votoj është që vota ime të mos digjet kot”, tha Islam Imeri.

Egzoni Rexhepi thotë se ka profesione të cilët nuk e kanë “qejf” politikën. Në profesionet e tilla thotë ai, duhet të rish larg nga zgjedhjet dhe muhabetet politike. Për këtë qëllim ai nuk do të votoj fare sepse nuk ka dëshirë të keqkuptohet nga njerëzit.

Ndërsa, ka edhe të rinj që do të dalin me patjetër për shkak se janë të kyçur në parti politike.
Kështu është rasti edhe me Visar Eminin i cili për Portalb tha:
 “Do të dal patjetër sepse pjesa më e madhe e  familjarëve të mi janë aktiv në parti. Mendoj se e drejta për votim duhet shfrytëzuar nga gjithsecili”.

Ndryshe, nga zgjedhjet e mëparshme dimë së janë pikërisht të rinjtë ata që në procese zgjedhore janë më të angazhuarit nëpër shtabe dhe forume partiake.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button