Televizioni Top Channel në rrezik, sherr mes pronarëve
Ajo që përflitej ndodhi. Kriza në Top Channel tashmë është bërë publike dhe fati i televizionit më të madh në vend është realisht në rrezik. Në betejë janë futur as më pak as më shumë sesa pronarët e tij. Dhe konflikti ka përfunduar në gjykatë, njofton Lapsi.al.
Nga njëra anë janë Albert Sino dhe Aurel Baçi, dy nga miqtë e pronarit të ndjerë Dritan Hoxha. Në anën tjetër ndodhet gjithë familja e tij: Itan Hoxha, Lorela Hoxha, Redia Hoxha, Sara Hoxha dhe Vjollca Hoxha. Këta të fundit i kanë paditur të parët sepse duan kthimin mbrapsht të aksioneve që u ka dhënë dikur burri dhe babai i tyre.
Sipas burimeve të Lapsi.al, znj Hoxha ka marrë si përfaqësues ligjor avokatin e njohur Maks Haxhia (që ka depozituar padinë në 18 janar) i cili mendohet se do ta përqëndrojë mbrojtjen e tij në kthimin e aksioneve të Top Medias pranë familjes, sepse i ndjeri Dritan Hoxha i ka falur ato pa miratimin e bashkëshortes.
Palët janë pozicionuar në një betejë të ashpër dhe konflikti i fundit mendohet se ka lindur pas shkarkimit të ish drejtorit të përgjithshëm, Enkel Joti.
Edhe aksionerët e tjerë më në fund u dorëzuan përpara kërkesës këmbëngulëse të zonjës Hoxha, për shkarkimin e ish drejtorit. Kjo ndodhi ashtu siç shkroi Lapsi.al në mes të dhjetorit të kaluar. Por ata nuk ishin dakord që ky “lëshim”, të shoqërohej edhe me marrjen e komandës nga Vjollca Hoxha dhe me regjistrimin e saj si administratore në QKR.
Pasi kjo ndodhi dhe lajmi u bë publik në ditët e para të janarit, në Top Channel nuk ka më qetësi. Të gjitha emërimet, shkarkimet, lëvizjet e emisioneve, kanë për qëllim marrjen e frenave të televizionit nga palët kundërshtare. Sepse të gjithë e dinë më së miri se kush do të shkojë në gjykatë me fuqinë mediatike në duar, ai do ta fitojë edhe betejën ligjore. Nga mënyra se si funksionon sistemi ynë i drejtësisë, nuk ka rrugë tjetër.
Po pse lindi tani kjo çështje, ndërkohë që i ndjeri Dritan Hoxha i kish falur që në qershor 2007, 60% të aksioneve? Pse Vjollca Hoxha kërkon çregjistrimin e aksioneve, heqjen e së drejtës së votës, heqjen e mundësisë për të marrë fitimet për dy partnerët e saj Albert Sinon dhe Aurel Baçin?
Edhe më parë Lapsi e ka shpjeguar këtë konflikt. Ai është një tentativë për t’u përfillur nga pushteti, që u bë edhe më e fortë që kur Edi Rama refuzoi t’i jepte zonjës Hoxha parkimet e qytetit të Tiranës që i kishte premtuar Lulzim Basha.
Që nga ajo ditë, trashëgimtarja e Top Channelit dhe kryeministri nuk kanë më paqe (lexo shkrimin poshtë). Pikërisht për këtë, ajo filloi të flirtojë edhe me Ilir Metën i cili ka sot, me stafin e ri, shumë më tepër influencë në Top Channel. Kjo lëvizje iu bë e detyruar pas fjalëve të përhapura se televizioni tjetër rival, Klan, po komplotonte për llogari të Edi Ramës, kundër Ilir Metës.
Por pavarësisht nga këto kalkulime politike, përplasja mes pronarëve mund të rezultojë fatale për TV më të madh në vend. Kjo është padyshim kriza më e madhe që kjo media ka pasur që prej themelimit të saj dhe mund ta çojë atë drejt një beteje të brendëshme pa fund.