Rexhep Qosja kandidat i opozitës për President?

Hashim Thaçi mund të sfidohet nga Rexhep Qosja për pozitën e kryetarit të Kosovës, ditën kur pritet të votohet për këtë post, muajin që vjen. Kjo nëse Qosja pranon ofertën e opozitës për të kandiduar për pozitën e presidentit të vendit.

Klan Kosova mëson se disa politikanë të lartë në hierarkinë e bllokut antiqeveritar janë duke i kërkuar akademikut ta pranojë një gjë të tillë, pasi që tentimi për Murat Jasharin ka dështuar tashmë.

Njëri nga liderët e forcës më të madhe opozitare, një ish-koleg i Qosjës nga bisedimet e Rambujesë që vjen nga një tjetër subjekt i vogël antiqeveritar, dhe një ish-bashkëpartiak nga Lëvizja e Bashkuar Demokratike, i janë afruar atij, ditë më parë, me ofertën për t’u bërë kandidat i tyre për president, pasi e shohin si personin e vetëm që mund ta sfidojë seriozisht Thaçin.

Burimet e Klanit, të afërta me këtë zhvillim, kanë thënë se Qosja ende nuk është përgjigjur në këtë ofertë.

Rexhep Qosja ishte vënë në krye të Lëvizjes së Bashkuar Demokratike – LBD, më 1998, ndërsa në këtë cilësi mori pjesë edhe në bisedime e Rambujesë. Ai, po ashtu, ishte pjesë e lidershipit kosovar edhe në periudhën e parë të pasluftës, duke qenë, bashkë me Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin e Rada Trajkoviqin, pjesë e Këshillit për Përkohshëm Administrativ të Kosovës, që kryesohej nga shefi i UNMIK-ut.

Por, Qosja nuk qëndroi gjatë në politikë, pasi në zgjedhjet e para të pasluftës nuk doli mirë. Ai u tërhoq pasi me LBD’në e tij fitoi vetëm 1 për qind të votave.

Por kjo nuk e pengoi atë të përkrah forcat politike të dala nga UÇK, deri para pak kohe.

Me krijimin e qeverisë PDK-LDK, dhjetorin e vitit 2014, Qosja ka shfaqur haptazi kundërshti në lidhje me këtë koalicion. Në një intervistë për Klan Kosova, pak kohë më parë, ai e ka quajtur kryeministrin Isa Mustafa kufomë politike, ndërsa Hashim Thaçin stalinist.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button