Letër anonimit

Ishte lexuesi më i pasionuar që kam njohur. Librin e kishte ushqim dhe kjo nuk është metaforë. P.sh:

-A ke ngrënë drekë?

-Mendoj se po.

-Si “mendoj”? A je i uritur?

-Po.

-Domethënë s’paske ngrënë?

-Ma merr mendja…përgjigjej pa e trazuar shikimin nga libri.

…të premteve, sa kthehej nga shkolla, shtrihej i gëzuar me numrin e ri të “Politikin Zabavnik” dhe s’lëvizte vendit. Në podrumin e shtëpisë grumbujt revistës më të njohur të kohës ia kalonin shtatit të tij.

Të ndryshme ishin pasionet e tij.

Një periudhë iu dha astronomisë. Lexonte me nge gjithçka në temën; për planetet dhe trupat tjerë qiellorë fliste madje me dashuri, si për qenie të gjalla. Nuk i kuptoja ato ligje të qiellit, por kur dikush e pyeste më pëlqente ta dëgjoj teksa shpjegonte si i përhumbur, djali i vogël me zë serioz.

Fan i rok-muzikës. Ajo zhurmë e përhershme nga dhoma e tij…Orë të tëra të kënaqësisë kulmore. Si edhe shumë breza asokohe, edukohej me programet e Dragan B. Kostiqit dhe Ariton Kërliut, radio-virtuozë më të popullarizuar se sa yjet televizive. Radio Shkupi ishte medium serioz dhe zbavitës që ndihmonte formimin e kritereve për muzikë. Punë misionare pasi shija është parametër. Shija i kategorizon njerëzitë.

Me kohë perfekcionoi shahun. I ati i sjellte literaturë nga udhëtimet zyrtare, prap grumbull i ri në podrum….Në televizion jepej emision me një mjeshtër internacional të shahut, fytyra më kujtohet emri jo, i cili ndalej para tabelës bardh e zi dhe zbardhte logjikën e një loje të koklavitur. Në sajë të librave dhe atij emisioni u zhvillua në lojtar shahu disfatat e të cilit numëroheshin në gishta. I mituri që ishte disa hapa para lojtarëve me përvojë me gjatë.

Më vonë u apasionua pas politikës. Protagonistët e atëhershëm ishin më enigmatikë edhe më interesantë se këta që i kemi sot. Deshifrimi i potezave politike lypte më shumë koncentrim dhe ndërlidhje pasi s’ishin kaq të tejdukshme. Kur ai merrte të interpretojë dhe parashikojë, sado jashta rrjedhave të ishe, nuk mundeshe mos ta kuptosh. Është një kanun në shkencë në art në letërsi në mësimdhënie në politikë, kudo ku komunikohet: Flet qartë ai që mendon qartë. Në parim ndërlikojnë ata që nuk dijnë ose që fshehin diçka.

…Ai është modest, pavarësisht arritjeve profesionale ose pikërisht për shkak të tyre. Është rregull: mbeten modestë ata që përparojnë me punë, që nuk shtyhen me bërryla për të krijuar hapësirë siq bëjnë të pasigurtit në vete.

As në situatat më tensionuese nuk e ngre zërin, s’e humb toruan, bile shprehjen e fytyrës nuk e ndërron. Nirvana. Edhe kur ditë e natë mbetet në zyrë, edhe kur punën e çon në shtëpi dhe rri deri në mëngjes para laptopit.

Përherë më ka bërë pështypje sjellja e tij; sidomos sjellja me persona me nevoja të veçanta: as me nënçmim as me mirësi të ekzagjeruar që poashtu është ofendim për ta.

Cool ndaj komplimenteve, dhe më shumë se kaq: bash i pengon të flitet për të.

Prandaj kjo letër mbetet anonime.

Letër njeriut me vlerë të lartë dhe ego të ulët.

Edhe kjo është rregull në jetë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button