Konkurentët distancohen nga propozimet e Trampit për muslimanët në debatin e gjashtë republikan

Megjithëse me nuanca, të gjithë kandidatët republikanë u deklaruan kundër propozimit të Trampit për të ju ndaluar muslimanëve hyrjen në SHBA

Formati, koha, vendi. Debati i gjashtë republikan u mbajt në rrethana të ndryshme nga pesë debatet e vitit të kaluar. Kushtet më strikte për pjesëmarrje që vendosi organizatori, kanali Fox Business, këtë rradhë arritën t’i plotësojnë vetëm 7 kandidatë. Këta ishin liderët e tanishëm të garës Tramp dhe Kruz, katër kandidatët e establishmentit Rubio, Kristi, Bush dhe Kasiç, si dhe kandidati në rënie e sipër Karson. Për kandidatët tjerë përsëri u organizua debat i “ligës së dytë”. Rend Pol i cili për herë të parë ra nga debati kryesor, nuk pranoi “të garojë në ligën e dytë” dhe në të morrën pjesë vetëm Fiorina, Santorum dhe Hakabi.

Debatin për herë të dytë në këtë cikël zgjedhore e organizoi kanali Fox Business. Ai u mbajt më 14 janar në qytetin Çarlston të Karolinës së Jugut, shtet ky i cili voton i treti me rradhë në zgjedhjet republikane. Debatin e kanë ndjekur rreth 11 milion shikues, numër solid por më i ulët se debatet paraprake.

Në përgjithësi momentet më interesante të debatit ishin përplasjet direkte të kandidatëve mes vete, posaçërisht mes Trampit dhe Kruzit. Por momenti më i veçantë gjithsesi ishte kërkesa e gazetarëve që kandidatët të deklarohen rreth deklaratave të Trampit për muslimanët.

Kandidatët deklarohen për propozimin e Trampit rreth muslimanëve. Në pyetjen rreth propozimit për të ju ndaluar hyrjen në Amerikë të gjithë muslimanëve, Tramp deklaroi kategorikisht se akoma qëndron pas këtij propozimi. Kjo menjëherë shkaktoi reagimin e Bushit i cili iu kundërvu menjëherë Trampit duke thënë se me këtë gjest alienohen miqtë muslimanë të Amerikës nëpër botë, mu në këto momente kur ata i duhen më së tepërmi Amerikës për të luftuar ISIS-in.

Replikat Tramp-Bush tërhoqën vëmendjen e gazetarëve të cilët kërkuan të dëgjojnë edhe qëndrimin e të gjithë kandidatëve tepër për propozimin e Trampit. Të gjashtë kandidatët u deklaruan kundër. Megjithatë duhet të thuhet se përgjigjet ishin me nuanca. Kasiç dhe Kristi edhe më tej insistojnë që për momentin SHBA mos pranojë refugjatë sirianë, ndërsa Kruz kërkon që mos pranohen imigrantë nga rajone nën kontrollin e teroristëve. Të gjithë kandidatët poashtu përsëritën qëndrimet e Bushit se duhet të ruhen marrëdhëniet e mira me shtetet islame që janë miqësore me Amerikën. Sidoqoftë është e rëndësishme që konkurentët republikanë u distancuan nga qëndrimet ekstreme të Trampit njëherë e mirë.

Tramp dhe Kruz përplasen për herë të parë. Dy liderët e tanishëm të garës Tramp dhe Kruz për herë të parë patën rastin të përplasen sy më sy. Deri tani ata nuk kanë ndjerë rrezik nga njëri tjetri aq sa raportet e tyre një kohë karakterizoheshin si “bromansë”. Por fakti që Kruz po ngjitet në anketa, madje ka tejkaluar Trampin në Ajova, e vuri atë në shënjestër të sulmeve të Trampit, ashtu si çdo kandidat tjetër që i ka rrezikuar atij vendin e parë. Sulmet filluan qysh para debatit, ndërsa temat e përplasjes u përsëritën në vetë debatin.

Tramp akuzon Kruzin se nuk është amerikan i lindur. Ashtu si në fushatë, Tramp akuzoi Kruzin se nuk është nënshtetas i lindur amerikan, gjë që e diskualifikon për t’u bërë president (Kruz ka lindur në Kanadë si bir i një nëne amerikane, me çka automatikisht ka nënshtetësi amerikane). Kruz ju përgjigj duke numëruar raste tjera të ngjashme të kandidatëve për president, si Xhon Mekejn, i lindur në Panama. Në fund tha se ka qenë avokat kushtetues dhe nuk ka nevojë për këshilla juridike nga Tramp. Fitues i kësaj përplasje padyshim ishte Kruz.

Kruz akuzon Trampin se ka vlera Njujorkeze. Në fushatë Kruz disa herë përsërit se Tramp ka vlera njujorkeze. Në debat ai sqaroi se çka mendon me këtë frazë, konkretisht se njujorkezët janë liberalë, pro-abortit, ose pro martesave homoseksuale dhe se në Menheten nuk mund të gjinden shumë konzervativë. Tramp u përgjigj duke lavdëruar Nju Jorkun për mënyrën si u përball me sulmet e 11 shtatorit. Si çdoherë fitues doli ai që ishte në anën e Nju Jorkut për 11 shtatorin, në këtë rast Tramp.

Kristi dhe Rubio. Përballja më interesante mes kandidatëve të establishmentit ishte ajo mes Kristit dhe Rubios. Në disa pika Rubio sulmoi Kristin për mënyrën liberale të qeverisjes si guvernator i Nju Xhersit. Kristi u kundërpërgjigj duke cekur se Rubio dy vite më parë kishte lavdëruar Kristin për po ato politika. Në kundërsulm Kristi mbajti linjën e zakonshme të akuzës së Senatit si vend ku vetëm folet dhe nuk bëhet ndonjë gjë, pra duke sulmuar me automatizëm Rubion. Në një përgjigje tjetër nuk e la Rubion t’i ndërhyjë në fjalë, duke i thënë se e pat shansën më herët dhe nuk u përgjigj. Fitues i kësaj përplasje duhet të konsiderohet Kristi.

Rubio lëshon rafal akuzash kundër Kruzit. Rubio i cili gjatë natës kryesisht dukej i fjetur dhe i tërhequr, gjeti rastin e përshtatshëm për të lëshuar një rafal akuzash kundër Kruzit. Sipas Kruzit, Rubio kishte bërë 11 akuza të ndryshme të pavërteta brenda një minuti, nga imigracioni, mbrojtja, politikat tatimore, subvencionet e etanolit e të tjera. Pasi sulmi erdhi në fund, Kruz nuk pati shumë kohë të përgjigjet dhe u duk tejet i lëkundur. Fitues – Rubio.

Koha e shfrytëzuar.

Siç tregojnë dhe momentet më interesante, debatin e dominuan dy liderët e garës Kruz dhe Tramp. Më pak efektiv ishin humbësit e debatit Bush, Kasiç dhe Karson:

Kandidati Kandidati Koha
sTed-Cruz Kruz 18:03
sDonald-Trump Tramp 17:08
sChris-Christie Kristi 14:25
sMarco-Rubio Rubio 14:14
sJeb-Bush Bush 12:40
sJohn-Kasich Kasiç 12:26
sBen-Carson Karson  8:25

 

Fitues i debatit – asnjëri.

Neutralë – Tramp, Kruz, Rubio dhe Kristi. Kruz ndoshta mund të konsiderohej fitues i debatit sikur mos i kishte ardhur sulmi i papritur nga Rubio dhe tema e vlerave njujorkeze . Tramp u mund në çështjen e nënshtetësisë amerikane të Kruzit. Rubio ishte kryesisht i tërhequr, por rikuperoi në fund me sulmin ndaj Kruzit. Kristi pati vetëm fitoren ndaj Rubios për të shënuar.

Humbës – Bush, Kasiç, Karson. Bush dhe Kasiç u përpoqën të tingëllojnë si alternativa racionale të populizmit republikan, por pa shumë sukses. Karsonin thua sa nuk e zuri gjumi në skenë.

Debati i ligës së dytë – Fituese e debatit të dytë ishte Fiorina, por këto debate po bëhen gjithnjë e më irelevante.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button