Maqedoni, kriza thellohet, nuk mësuam asgjë nga e kaluara!

Mungesa e dialogut në Maqedoni solli Marrëveshjen e Përzhinos. Marrëveshje kjo që pretendoi të sillte frymë të re demokratike në Maqedoni. Mirëpo, dialogu si duket mbetet leksion i rëndë për klasën aktuale politike në vend. Marrëveshja e Përzhninos dështoi dhe tani pushteti kërkon zgjedhje, pa i zgjidhur detyrat e obligueshme nga Marrëveshja të cilën vet e nënshkruan, raporton Portalb.

Si definohet ky realitet politik? Ku mbetet përgjegjësia? A mundet të kemi zgjedhje pa zgjidhje? Cka mëtutje me krizën? Janë çështje këto për të cilat Portalb ka kontaktuar me gazetarin dhe njohësin e çështjeve politike Nazim Rashidi dhe profesoreshën universitare Mirjana Maleska.

“Zgjedhje që nuk do të sjellin asnjë zgjidhje, zgjedhje të cilat do të jenë të kontestueshme, zgjedhje që mund të mos kenë opozitën në garë, janë zgjedhje sa për sy e faqe. Tani çështja është se sa përgjegjësi do të ketë që të plotësohen të gjitha kërkesat, dhe nëse realisht do të jenë në atë nivel që të bindin opozitën që të marrë pjesë në zgjedhje. Do të shohim ndërhyrje ndërkombëtare në ditët në vijim dhe vetëm garancat e tyre mund të sjellin proces zgjedhor me gjithë faktorët, që ato të kenë një farë normaliteti”, kështu është shprehur për Portalb Rashidi.

Në të kundërt, shton ai, Maqedonia do të vijojë të thellohet në krizë, e cila nuk do të zgjidhet por vetëm do të zgjatet.

Në një linjë të mendimit është edhe profesoresha Maleska. Sipas saj, është e pamundur të ketë zgjedhje pa opozitën.

“Ky proces që po quhet me emrin “Përzhino” kishte për qëllim dialogun. Tani pushteti sjell vendim pa opozitën, çka do të thotë kjo?! Asgjë nuk kemi mësuar nga kriza që kishim dhe u kthyem prap nga fillimi. Habitem se çfarë njerëz jemi ne, zgjedhim politikanë që nuk mësojnë nga gabimet. Si mund të shkohet në zgjedhje pa zgjidhje? Kjo është shtypje ndaj opozitës që të tërhiqen nga kërkesa për listën zgjedhore dhe për mediat. Nuk mund të sillen vendime në formë kërcnimi. Në këtë mënyrë vetëm do të thellohet kriza”, deklaroi për Portalb Maleska. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button