Mbi luanë dhe hiena

Pse janë turrur shqiptarët –sidomos intelegjenca shqiptare neutrale ndaj binomit BDI-PDSH, si pa krye në kërkim të shpëtimit tek fuqitë joshqiptare politike, disa duke arsyetuar VMRO-në disa të tjerë duke lëvduar LDSM-në? Të gjithë në kërkim të një alibi që do të arsyetonte bizaritetin e mendimit të tyre të ri, demek të rinovuar në formën e një demokracie multinacionale që ka për qëllim mirëqenien e përgjithshme në shtet. Cka kërkojnë të zgjedhin se cila parti maqedone do të kishte qenë partner më i mirë për një koalicion të ardhshëm shqiptaro-maqedonas; duhet ta dijmë që po nuk qemë ne të vendosur në aspiratat tona dhe të vendosur në qenshmërinë dhe drejtësine e kërkësave tona, nuk do ketë ardhmëri të mirë për ne në këtë shtet. Duket sikur jemi më të preokupuar me Gruevskin dhe Zaevin sesa me vetveten.

Përtej kësaj logjike të gabuar lidhur me zgjedhjen mes luanit dhe hienës, duhet njëherë e përgjithmonë të kuptojmë që fuqia e cila duhet të vëjë në lëvizje realizimin e aspiratave tona kombëtare, duhet të vijë nga përbrenda. Duhet të kërkojmë lëvizje të reja brenda konturave tona politike. Është e vërtetë që koha e Aliut dhe Menduit ka kaluar tashmë. Fuqitë dhe idetë e tyre janë shterrur, për të mos thënë që janë të hipotekuara ndaj luanëve dhe hienave. Thjesht nuk mund të kërkojmë risi dhe zgjidhje të reja me njerëz të vjetër. Edhe cdo ditë jemi dëshmitarë të fytyrave të njejta, mendimeve të njejta, gënjeshtrave të njejta. Të dy partitë e mëdha shqiptare janë të lodhura, sepse nuk lejojnë forcat e reja nga brenda të dalin në pah; idetë e reja brenda tyre shtypen dhe mbyten nga hierarkia piramidale e vendosur në këto parti. Prandaj edhe zhvillime të reja në kuadër të një ardhmërie më të mirë nuk mund të priten realisht të vijnë, jo vetëm deri në zgjedhjet e ardhshme, por edhe përtej tyre.

Nuk po shaj asnjërin prej tyre, vetëm po shaj mënyrën se si funksionojnë. Druaj që anarkia e tyre organizacionale po ju hap rrugën frymave jo të mira dhe të paqarta në skenën politike shqiptare. Nëse kjo situatë vazhdon, atëherë këto rryma do të bëhen pjesë reale e skenës politike dhe shoqërore në një formë e cila do të mbysë shqiptarizmin, në favor të neootomanizmit, islamizmit, radikalizmit, anarkizmit. Druaj që populli do detyrohet të zgjedhë mes dy të këqijave, dhe në këtë gjendje do të zgjedhë të votojë të keqen më të vogël. Druaj që po mbysin shpirtin e një kombi duke mos ju dhënë hapësirë njerëzve të rinj të dalin në skenë. Druaj që inferioriteti që ata shprehin kundrejt “partnerëve” të tyre maqedonas do të jetë akoma më i dëmshëm tani, në këtë kohë kur të gjithë jemi në pritje të ndryshimeve të mëdha.  Deri kur më me këto anarkizma bajraktareske të politikave dinastike? Cila do të jetë e ardhmja jonë nëse atë e kërkojmë në idetë e vjetra dhe në njerëzit e mplakur.

E vërteta më e madhe është që si luani, ashtu edhe hiena janë bisha që të shqyejnë për interesin e tyre, për të mbushur barkun. Fjalosjet e tipit “gruevizëm” dhe “zaevizëm” janë shpikje të dëmshme që ne po i fusim në fjalorin tonë intelektual. Nuk mund të lejojmë që si popull të vendosemi para këtij udhëkryqi mes këtyre “izmave” sepse të dyjat janë të dëmshme për ne. Jo shkaku i tyre si qenësi dhe si koncept, por shkaku jonë; sepse sërish po tregohemi të paaftë për të kërkuar ndryshimin dhe mirëqenien tonë nëpërmjet njerëzve të rinj – shqiptarë dhe intelektualë të mirë. Nëse sërish ju drejtohemi forcave të vjetra për të na mbrojtur nga dhëmbët e luanëve dhe hienave, atëherë druaj që ardhmëria e popullit tim është e zymtë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Nuk e di se pse me aq injorance dhe me qellim te keq e perdor fjalen “islamizem”. Trego o burre i botes, nese frikesohesh prej islamit, atehere te tregoj se sa shkurtpames qe je dhe mos luaj me fjale qe as vet nuk i kupton!

    1. Autori besoj qe flet per islamizmin radikal dhe rrymat negative te islamizmit radikal e jo per islamizmin ne pergjithesi. Lexoje me kujdes shkrimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button