Letër prefektit
Kishin kaluar vite qëkur nuk kisha ecur lagjeve afër komunës Çair.
Ajo çka pash ishte për të të ardhur keq.
Shumë prej ndërtesave qenkan trashur ndërkohë, me ato shtojcat në paçvork-stil që të kujtojnë lagjet periferike të qyteteve të mëdha për të cilat vlen rregulli se në orët e mbrëmjes është më mirë të mos kalohet andejpari.
Si lejohet ky avganistanizim i zonave tona!?
Si është e mundur organi që jep leje mos të bëjë supervizion me qëllim të unjësimit të pamjes së fasadës? Si rrjedhojë nuk gjen dot në të njëjtën ndërtesë as dy banesa me eksterier identik. Secili banor arkitekt në vete – ai hap dritare, vendos mur, krijon ballkon, lirshëm me kajden e vet.
A thua çfarë pamje ka ai nëpunës, kompetent me kravatë, i cili nënshkruan bastardimin e tillë të komunës dhe qytetit të vet!? Shumë do më interesonte ta shoh prej së afërmi si duket personi, si vishet, çfarë muzike dëgjon, a i ka këpucët me baltë?
Nëse banorët fitojnë metra katrorë shtesë për pak pare, përse nuk obligohen që pas kësaj ta lyejnë të tërë fasadën e ndërtesës?Si qëndron çështja e sigurisë së atyre që jetojnë në godinat me aneksa? A janë bërë studime seizmologjike, çka thonë rezultatet?
…Shëtisja atë ditë me shi nëpër lagjen që dikur ishte e gjelbër, me rend urbanistik, me ulëse dhe shporta.
Tash ishte shndërruar në një pellg shëmtie. S’kishin mbetur as ulëse, as gjurmë prej barit, lloç gjithandej, drunjtë e moçëm dukeshin si të rastësishëm…
Prefekti i Çairit është nga personat publikë sjellja e të cilit dhe qasja ndaj njerëzve gjithmonë më ka bërë përshtypje për të mirë. Prandaj në këtë mandatin e tij të tretë dua miqësisht ti flas dhe propozoj.
Nuk besoj të jetë financiarisht i papërballueshëm fisnikërimi i hapësirave të dikurshme jeshile. Një shëtitje njëditëshe nëpër komunën mund ta inspirojë për shumë ide se si Çairi të bëhet sërish “çair” (nga turqishtja“livadh”). Por kujdes prefekt, kudo që të hidhni fara për bar e lule, parcelat rrethoni me disa rrathë telash gjemborë se këtu kemi mjaft fëmijë me prindër që rriten si pa prindër. Një ditë, për shembull, pash këtë: fëmija përpiqet të shkul një fidan të njomë, baba pret që ai ta kryejë punën dhe të vazhdojnë tutje.
Një ditë prefekt dilni në këmbë nëpër “Xhon Kenedi” dhe provoni të ecni mbi trotuare. Mandej vazhdoni nëpër Cvetan Dimovin, rruga që as natën nuk fle, dhe mundohuni nga ura e Bit-pazarit deri te parku i Çairit të gjeni qoftë edhe gjurmë të zebrave të dikurshme. Ose ndonjë kosh plehrash.
…Një mik çiklist pyet për shtigjet çiklistike.
Një tjetër përasfaltin, pse nuk është i cilësisë së rrugëve matanë Vardarit?
Tjetri ironizon pse nuk ka parkingje për vetura dhe trotuare për këmbësorë!?
Të errëta mahallat tona dhe plot me qenushë endacakë.
Ndërsa kur njëri shprehu dëshirën për pishinë, e pranoj se për një çast e shikova me qesëndi.
Mandej u ndjeva keq.
Për shkak se, jo vetëm në komunën tonë, normaliteti kaherë na është kthyer në luks.
Edhe kujt mbete pa i qu leter.