Regjimi ushqimor për personat në dializë

Hemodializa është një mënyrë për të pastruar gjakun dhe për të hequr peshën e tepërt që ka fituar trupi. Për të realizuar hemodializën, gjaku duhet të merret nga trupi juaj të pastrohet të filtrohet në makinë dhe më pas të rikthehet sërish në trup.

Duhet të kini parasysh që dializa nuk kuron. Dializa nuk zëvendëson punën që kryenin veshkat tuaja. Ushqimet që ju hani dhe lëngjet që merrni pasi përpunohen nga trupi, nuk mund të eliminohen, duke bërë kështu që azotemia dhe elektrolitet në gjakun tuaj të rriten.

Disa persona, në mënyrë të gabuar, mendojnë se mund të hanë apo të pinë çfarë të duan gjatë dializës. Në fakt, me fillimin e dializës në dietën tuaj ushqimore duhet të bëni shumë ndryshime, sigurisht me rekomandimin e mjekut.

Mjekja nefrologe, Fiona Nasto, shpjegon se duhen shmangur ushqimet që përmbajnë shumë potasium, si: çokollatat, patatinat, koka-kola, bananet dhe kikirikët. “Nëse ju do të përdorni gjatë dializës këto ushqime duhet të paktën 5 orë për ushqimet e thata që të përthithen nga zorra dhe rreth 10 orë për ushqimet e lëngshme, kështu që dializa nuk mund t’i eliminojë këto shtesa dhe ju i merrni me vete.”- këshillon Nasto.

Gjatë dializës ju mund të hani edhe ushqime, si: sanduiç me mish, pulë, vezë, djathë, bukë me gjalpë ose kek. Biskotat gjithashtu janë të lejueshme. Por, në qoftë se keni tension të ulët është më mirë që të shmangni ngrënien gjatë dializës, pasi kanë tendencë ta ulin akoma më tepër tensionin.

Personat që kanë probleme me veshkat apo hipertensionin, duhet të ndryshojnë stilin e tyre të jetesës. Në përditshmërinë e tyre duhet të ndjekin disa udhëzime për t’i ruajtur disa parametra, siç janë:

PESHA – Mundohuni të peshoheni të paktën një herë në muaj.

TENSIONI – Masni tensionin përgjatë ditës në orare pak a shumë të njëjta dhe shënojini ato.

NIVELI I SHEQERIT – Masni vlerat e sheqerit esëll në mëngjes, të paktën një herë në muaj.

Mos pini duhan!

Bëhuni më AKTIVË, ecni më tepër, përdorni më pak makinën, mos qëndroni gjatë ulur në karrige. Aktiviteti fizik ndikon në uljen e vlerave të sheqerit, tensionit dhe nivelit të kolesterolit. Mundohuni të bini nga pesha, mbipesha rëndon punën e veshkave dhe të zemrës tuaj. Hani shpesh në porcione të vogla. Hani shëndetshëm, ushqime të freskëta, jo të konservuara, jo të ngrira, jo të skuqura.

Përveç ndryshimit të stilit të jetesës, personat që bëjnë dializë duhet të ndjekin një dietë strikte dhe të shëndetshme duke përllogaritur këto elemente:

Kaloritë – Trupi ynë merr energji, kalori nga proteinat, karbohidratet dhe yndyrat. Se sa kalori i duhen një organizmi, kjo varet nga gjinia, mosha dhe niveli i aktivitetit të përditshëm. Niveli juaj i personalizuar i kalorive shkon rreth 2000 kalori në ditë.

Proteinat – Janë të rëndësishme të merren në sasinë e duhur. Sipas peshës ju takon të merrni rreth 70-80 g proteina në ditë. Por, nga ana tjetër sasia e madhe e proteinave “rëndon punën” e veshkave.

Mjekja nefrologe jep këto këshilla për të konsumuar sasinë e nevojshme të proteinave. “Hani porcione të vogla mishi, preferoni proteinat bimore (fasule, bishtaja, drithërat), nga proteinat shtazore konsumoni pulën dhe peshkun. Kujdes me mishin e kuq, përdoreni në porcione të vogla, 150-200 g jo më tepër. Përdorni qumësht të skremuar, kos, gjizë pa kripë (ose me kripë në sasi të vogël). Mos konsumoni vezë mbi 2-3 herë në javë (nga 1 kokërr) dhe evitoni ushqimet e gatuara me vezë. Mos përdorni sallam, salsiçe apo mish të tymosur. Kini kujdes me konservat, pasi ato përmbajnë shumë kalori dhe kripë”.

Kripa – Tregohuni të kufizuar në sasinë e kripës që përdorni. Mos përdorni më shumë se 2g kripë në ditë. Një gatim normal përmban 3-5 g kripë, përgjysmoni sasinë që përdorni. Mos e vendosni kripën në tavolinë kur uleni për të ngrënë. Përdorni erëza në ushqimin tuaj, në mënyrë që t’u jepni shije dhe të zëvendësoni kripën. Evitoni ushqimet e kripura, si: mishi i thatë, i tymosur, proshutën, salsiçet, sardelet e konservuara ose të marinuara dhe karkalecat.

Kujdes me kaliumin – Dieta ditore duhet të mbajë 65 mmol/ditë kalium. Pijet që kanë përmbajtje të lartë të kaliumit janë lëngjet e frutave, kafeja (vetëm një në ditë), qumësht (1/2 filxhan), birra dhe vera. Ndërsa çaji ka përmbajtje të ulët.

Ndërsa frutat me përmbajtje të lartë kaliumi janë banania, mango, rrushi dhe ananasi. Molla dhe dardha kanë nivel më të ulët.

Për sa u përket ëmbëlsirave, rekomandohet të përdoret vetëm çokollata e zezë, mjalti dhe reçeli, sigurisht në sasi të vogla.

Yndyrat – Yndyrat janë një burim i rëndësishëm energjie, por jo vetëm kaq. Yndyrat që mund të përdorni janë vaj i ullirit dhe vajrat bimorë. Dieta juaj duhet të përmbajë kryesisht perime të ziera, jo të skuqura. Përdorni perime, si: brokoli, lulelakra, karota, kunguj, bizele, qepë dhe speca. Limitoni patatet, domatet dhe asparagun.

Lëngjet – Kontrolloni lëngjet që konsumoni. Pini 1.5 – 2 litra në ditë.

Karbohidratet –Karbohidratet janë forma më e shpejtë dhe më e lehtë e energjisë për trupin tonë. Burimet më të shëndetshme të karbohidrateve janë drithërat, perimet dhe frutat. Burime të tjera janë sheqeri (që shtohet në ushqime apo pije), mjalti, pijet e ëmbla dhe ëmbëlsirat e përgatitura. Merrini karbohidratet në fillim nga perimet dhe më pas nga frutat. Mundohuni të konsumoni sa më pak ëmbëlsirat e përgatitura apo pijet e ëmbla. Pijeni kafenë tuaj me ëmbëltues për diabetikë.

Në qoftë se këtë shkrim po e lexoni nga shtrati ku po bëni dializën, mos harroni që ushqimi i shëndetshëm është partneri juaj më i mirë për të patur sukses në betejën që keni nisur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button