Protestuesit iranianë i vënë flakën konsullatës së Arabisë Saudite në Teheran

Pas ekzekutimit të shtunën në Arabinë Saudite të 47 të dënuarve për terrorizëm, mes të cilëve dhe një klerik të spikatur shiit, ka patur një reagim të ashpër të Iranit, të shoqëruar me përplasje diplomatike e me protesta të turmave të revoltuara, transmeton Tesheshi.

Një e tillë në Teheran ka çuar në djegien e konsullatës së Arabisë Saudite. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme, teksa protestuesit janë futur në konsullatë, kanë shkatërruar orenditë dhe i kanë vënë flakën ndërtesës.

Organet iraniane janë kujtuar vonë të reagojnë. Siç njofton agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ka bërë thirrje për qetësi dhe ka lajmëruar se nuk do të ketë më protesta rreth ndërtesave diplomatike saudite.

Protestat në Iran do të bënin që Arabia Saudite të thërriste ambasadorin iranian në Riad për t’i shprehur pakënaqësinë për komentet armiqësore të vendit të tij pas ekzekutimeve të djeshme.

“Regjimi iranian është regjimi i fundit në botë që mund t’i akuzojë të tjerët për mbështetje të terrorizmit, duke patur parasysh se është një shtet që sponsorizon terrorin, e është dënuar nga Kombet e Bashkuara dhe shumë vende,” thotë një deklaratë e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme saudite.

“Regjimi i Iranit nuk ka turp të çirret për çështjet e të drejtave njerëzore edhe pasi ka ekzekutuar qindra iranianë vitin e shkuar pa një bazë të qartë ligjore,” e ashpërson gjuhën deklarata.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button