Jetimi Argjend Dërmaku para vendimit më të rëndësishëm të jetës së tij

Publikimi i artikullit rreth Argjend Dërmakut nga Portalb, jetimit 15 vjeçar, preku zemrat e shumë njerëzve: Disa e ndihmuan me veshmbathje, disa me të holla, të tjerë shfaqën interes për ta adoptuar. Derisa të mirret vendimi përfundimtar, Argjendi do të jetë nën kujdes të pronarit të fermës ‘Festimi Farm’, në fshatin Llopat të Kumanovës.

Ibrahim Sulejmani, imami i xhamisë së fshatit Llopat sqaroi se kishte hapur xhiro-llogari bankare për shkak të interesit të madh të njerëzve për ta ndihmuar: “Kam hapur një xhiro-llogari në bankë dhe janë grumbulluar rreth 3000 euro. Ja edhe sot një njeri nga Zvicra i solli afër 600 euro. Ndihma vazhdon të ketë akoma, po në fillim ka qenë interesi shumë më i madh.”

Sipas Sulejmanit, për Argjendin kanë dhuruar shqiptarë nga të gjitha anët, si: Tetova, Kosova, Danimarka. Porse për shkak të moshës së Argjendit, që i pamundëson t’i menaxhojë siç duhet, ata para janë në bankë. Adoptimi i Argjendit, sipas tij, do të ishte zgjidhja më e mirë për sigurinë afatgjate.

“Nëse do t’i ndërtohet një shtëpi, ai sërish do të vazhdojë të mbetet siç ka qenë- një fëmijë që duhet të ndihmohet. Po sikur ta adoptojë një familje, ai do të shkollohet e ndoshta dikur edhe të punësohet.”-tha Sulejmani, “Interes për ta adoptuar kanë shfaqur 6 familje, që jetojnë në: Austri, Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Suedi dhe tjetra në Turqi. Por ende nuk kemi marrë asnjë vendim.”-tha imami.

Argjendi konfirmoi gjithashtu se dëshiron të bëhet pjesë e ndonjë prej familjeve që e duan atë. Në të kundërt do të qëndrojë në fermë. Pastaj u shpreh: “Pronari i fermës kujdeset mirë për mua. Tani i kam të gjitha të mirat. Nuk më mungon asgjë. Jam 100% më mirë se si kam qenë. Më herët kam bërë probleme, kam bërë edhe gjëra që nuk duhej bërë, pasi nuk kam pasur, por tani jam stabilizuar. Tani nuk e kam më problem… Normal do të bëhem djalë shumë më i mirë.”

“Deri tani më kanë dërguar rreth 500 euro disa njerëz nga Austria a Zvicra. Unë i kam marrë në Western Union me pasaportë dhe pastaj ia kam dhënë pronarit të fermës ku punoj, që të mi ruajë. Ai më jep çdo ditë dhe kur më duhen i kërkoj nga ai.”-shtoi Argjendi.

Ndryshe, Argjend Dërmaku nuk e njohu asnjëherë babanë. Me vdekjen e së ëmës, dy vjet më parë, ai njëherazi mbeti pa askënd e asgjë. Për dy vite u strehua në xhaminë e fshatit Llopat, ndërsa tashmë dy muaj në fermën e lartëpërmendur./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button