Jahjaga: Jam e zhgënjyer me këtë klasë politike

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kërkon nga spektri politik kosovar që nëpërmjet dialogut ta gjejnë “shtegun” e daljes nga kriza, ndërsa zgjedhjet e parakohshme nuk i sheh si zgjidhje.

Në një intervistë për gaztën “Zëri” Jahjaga shprehet e zhgënjyer me liderët politikë që nuk u treguan të gatshëm për zhvillimin e një dialogu të brendshëm konstruktiv.

Në vitin e fundit si presidente e Shtetit, Jahjaga thotë se i kanë mbetur edhe shumë punë për t’i bërë, por nuk deklarohet nëse do të rikandidojë edhe për një mandat.

Pavarësisht refleksioneve dhe polarizimeve të brendshme, presidentja vitin 2015 e sheh relativisht të suksesshëm, me MSA-në e realizuar dhe me premtime serioze për heqjen e vizave në fillim të vitit. Derisa shprehet e bindur se FSK-ja do të transformohet në FAK, thotë se rruga integruese e Kosovës në BE nuk guxon të rrezikohet për shkak të tekeve të disa individëve.

“Ky vit që po e lëmë pas do të mbahet në mend për zhvillime shumë të rëndësishme në Kosovë. Sivjet kemi shënuar një hap esencial në rrugën tonë të integrimeve evropiane, duke e nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian dhe duke hyrë në kontratë obligimesh dhe përfitimesh me këtë union, pavarësisht kundërthënieve në politikën e jashtme të BE-së me mosnjohjen e pesë shteteve anëtare. Edhe në procesin e liberalizimit të vizave u shënua një përparim në vlerësimin pozitiv të këtij procesi, që unë pres të shndërrohet në rekomandim për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës në zonën Shengen në fillim të vitit të ri”, u shpreh presidentja.

Sipas saj, Kosova ka vazhduar të jetë faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon, duke forcuar aleancat me shtetet fqinje dhe duke u angazhuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja me Republikën e Serbisë.

“Fatkeqësisht, brenda Kosovës ky vit ka qenë një vit me shumë sfida dhe shpesh kokëfortësia e tërë klasës politike pa dallim na ka sjellë vonesa për të arritur më shumë në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, integrimin evropian dhe konsolidimin tonë ndërkombëtar. E kam thënë shumë herë që subjektiviteti ynë ndërkombëtar buron nga legjitimiteti dhe stabiliteti i brendshëm dhe është vlerësim imi që këtë vit këtë e kuptuam të gjithë. Megjithatë, ne jemi demokraci e re parlamentare dhe shpresoj që ky debat i vrazhdë, që ka ndodhur këtë vit në Kosovë, do të na shërbejë për ta gjetur forcën dhe kurajën të mos humbim më shumë kohë”, tha Jahjaga.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button