Mjetet piroteknike, të rrezikshme dhe i kontribuojnë ndotjes

Megjithëse këtyre ditëve është folur shumë për nivelin e lartë të ndotjes, nuk ka munguar edhe aroma e barotit, që si rëndom kur ofrohen festat e fundvitit është e pranishme nga shpërthimi i mjeteve piroteknike.

Edhe pse ato paraqesin rrezik sidomos për fëmijët, përsëri ata vazhdojnë të shpërthejnë fishekzjarre dhe pushkaliqe.

Qytetarët e anketuar nga TVM2 shprehen të shqetësuar dhe thonë se mjetet piroteknike janë të dëmshme dhe nuk kalohet nga tregu i gjelbër prej pëlcitjeve të shumta, e sidomos prej aromës së keqe që shpërndahet.

“Do t’i lëndojnë duart, shumë veta kanë marrë, por ua kanë parë sherrin. Prindërit i kanë fajet më shumë, nuk duhet t’u blejnë, sepse ata janë fëmijë kanë dëshirë. Prej erës nuk kalohet këtu”- deklaroi një qytetar.

“Unë mendoj se nuk duhet të festohet në atë mënyrë, sepse mund të ketë edhe pasoja më të rënda. Mendoj se duhet të merren disa masa adekuate për festimin e Vitit të Ri në mënyra të ndryshme”- theksoi një qytetar.

“Mendimi im është të ndalohen në çdo aspekt, rrezikojnë jetën e të rinjve, sidomos të fëmijëve”- u shpreh një qytetar.

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Shkup apelojnë që qytetarët t’i shmangen përdorimit të mjeteve piroteknike, të cilat në shumë raste përfundojnë me pasoja fatale për vetë përdoruesit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button