Ahmeti kërkon front opozitar të përbashkët për zgjedhje të reja

Situata në Kosovë sipas kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti nuk është fare e mirë. Gjendja e këtillë nuk i duhet asnjë qytetari që jeton në këtë vend. Kështu nuk mund të shkohet as në vitin e 2016, edhe pse fillimi i tij po shihet të jetë i tillë. Këtë situatë, sipas Ahmetit e sollën personat që tani janë në krye të vendit. Me ta Shpend Ahmeti që i takon një partie në opozitë (Vetëvendosjes) nuk e ka në vend të dialogojë.
Ai ashtu si edhe partia e tij, por edhe dy partitë tjera opozitare Nisma dhe AAK, kërkojnë tërheqjen e nënshkrimeve, referendum ose zgjedhje të reja. Madje këtyre të fundit nuk ua kanë frikën. Ahmeti thotë se thirrjet e pozitës për të dialoguar janë vetëm sa për fotografi, sepse këto të fundit kurrë nuk kanë përmendur se do t’i tërheqin nënshkrimet nga marrëveshjet.

“Dialogu bazohet në një mirëkuptim. Në qoftëse ata thonë se nuk mund të tërhiqemi nga marrëveshjet por hajde uluni, çka është kjo. Për të dalë në fotografi apo me të vërtet ka një reflektim. Në qoftëse është reflektimi se do t’i pezullojnë marrëveshjet, do të shkojmë drejt zgjedhjeve ose hajde po e qesim në referendum dhe të merremi vesh si po e vendosim në referendum këto janë çështjet për të cilat mund të diskutojmë. Mirëpo, vetëm sa për sy e faqe hajde të ulemi edhe të dukemi që po dialogojmë nuk ka kuptim. Ideja është që sa më shpejt të ketë reflektim se përndryshe mbetet situata e njëjtë”, thotë Ahmeti.

Ky reflektim, porosit Shpend Ahmeti, të mos shihet si fitore e Qeverisë apo opozitës, por si fitore e Kosovës karshi Serbisë. Duke pasur parasysh edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Ahmeti thotë se Kosova ka dhënë koncesione të pafundme e nuk e mori as Liberalizimin e as pranimin në UNESCO. Në krejt këtë situatë Kosova del të jetë humbëse sipas Shpend Ahmetit, i cili mendon se “Qeveria nuk ka përfituar nga kjo situatë për ta bërë Kosovën më mirë”. Ai kërkon që të ndalohet dialogu dhe t’i bëhet me dije edhe Brukselit se kështu nuk mund të vazhdohet më.

“Nevojitet komplet një ridefinim i relacioneve tona me Serbinë. Se kjo nuk ka të bëjë as me kundërshtiminndaj ndërkombëtarëve. Ka të bëjë me kundërshtimin ndaj Serbisë. Neve po na quajnë ISIS, çdo gjë që bënë mundet me bo Serbia e bënë. Çdo letër që mundet me dërgu e dërgon dhe në fund po flasim për normalizimin e marrëdhënieve që mendoj se nuk është fer ndaj Kosovës dhe ndaj neve që jetojnë këtu. Këtë po e them se duhet ta shikojmë më shumë se si të fitojmë ndaj Serbisë si Kosovë, e jo Qeveri – Opozitë e të mundohemi të fitojmë një hap këtu e një hap atje”, thotë Ahmeti.

Por krejt këto, Ahmeti ka frikë se mund t’i bëjnë personat që qeverisin tani me Kosovën. Personat e tillë sollën Jabllanoviqin, demarkacionin dhe Asociacion in, por, nuk sollën 350 mijë vendet e premtuara të punës. Kosovës i duhen zgjedhje të reja dhe me persona të ri. Madje, Shpend Ahmeti thotë se me vendin duhet të qeverisë një front i përbashkët opozitarë.

“Mendimi im personal është se duhet të ketë një front opozitar të përbashkët në një listë. Kjo nuk do të thotë tre partitë, dhe vetëm këto tri partitë dhe këta liderët që të jenë personat kryesor por ta zgjerojnë, me shoqëri civile, me njerëz që janë të interesuar që të ketë ndryshim në Kosovë….Kjo është vetëm dëshirë. Unë jam kryetar komune dhe nuk po angazhohem në mënyrë aktive që kjo të ndodh. Ua kam thënë edhe subjekteve opozitare, edhe subjektit tim edhe shoqërisë civile. Mendoj se përfundimisht ka ardhë koha që të ndërtohet një front i cili do të ishte front i gjërë ku do të mund të diskutohej. D Dhe aty i ka Vetëvendosje mendimet e veta, shoqëria civile qëndrimet e veta dhe do të gjendej një emërues i përbashkët. Cilat janë prioritetet kryesor që na duhet në këtë fazë. Jemi në fazë emergjente”, thotë Ahmeti.
Ahmeti është ndalur edhe te liberalizimi i vizave, duke thënë se Kosova është në geto dhe është e padrejtë që të gjitha shtetet tjera të liberalizohen dhe vetëm Kosova të mos ketë liberalizmin. Megjithatë, Ahmeti thotë se bashkësia ndërkombëtare e di që në Kosova ka korrupsion dhe nuk ka zhvillim ekonomik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button