Festa e Krishtlindjeve në një familje shqiptare me besime të ndryshme fetare (Video)

Thuhet se toleranca ndërfetare ndër shqipëtarë është shembull i rrallë në botë. Këtë e dëshmon edhe familja Bytyçi nga Ferizaj.

Çiftin bashkëshortor e bënë të veçantë fakti se të njëjtit u takojnë besimeve të ndryshme fetare.

Gazmendi është mysliman ndërsa Kristina katolike. Ata kanë 15 vjet të martuar dhe kanë 4 fëmijë.

E thonë vet se fillimisht familjet e tyre kanë pasur hezitim për ta pranuar këtë martesë, por në fund janë dorëzuar përballë vendosmërisë së tyre për të mos e dorëzuar dashurinë përballë fesë.

Ka filluar si një lidhje e zakonshme, që pastaj ka rezultuar me martesë, por më e veçantë se të tjerat për faktin se trashëgonin dy kultura jo pak të ndryshme fetare.

“Nuk jemi të vetmit por nuk do të jemi as të fundit që kemi bërë një martesë të tillë”, thotë Gazmendi.

“Prindërit e kanë kuptuar pak para të martohem me Gazmendin. Por normal sikur të gjithë prindërit në atë kohë, edhe ata nuk kanë qenë shumë të pajtimit ndoshta, për shkak të rrethit dhe fjalëve e thashethemeve, por pastaj kur kanë parë harmonin tonë si çift janë pajtuar me vendimin tim dhe prej asaj dite nuk kam pasur ndonjë telashe”, thotë Kristina për lajmi.net.

Harmonia familjare dhe respekti i ndërsjellët e kanë bërë gati të padukshëm faktin se ata u takojnë besimeve të ndryshme fetare. Çifti Bytyçi thotë se funksionon mbi bazën e respektit të ndërsjellët pa iu përzier njëri-tjetrit në praktikimin e fesë. Bashkëshortët besojnë se të gjitha besimet monoteiste janë në thelb të ngjashme.

Kristina e cila i gëzohet më shumë natës së Krishtlindjeve e pretë atë në gjirin e ngrohtë familjarë.

“Para Krishtlindjeve e rregullojmë bredhin dhe pastaj shkojmë të familja ime ku na presin me shumë ngrohtësi, me vizita për urime e ushqime të ndryshme”, tregon Kristina.

Kurse bashkëshorti i Kristinës, Gazmendi pranon se ambientin familjarë për festën e Krishtlindjeve e rregullojnë së bashku.

“Ne në natën e Krishtlindjes shkojmë te familja e Kristinës dhe i urojmë dhe festojmë bashkë. Të nesërmen shkojmë në Kishë për urime. E rregullojmë ambientin familjar që të duket sa më festiv dhe kështu rrjedh festa në familjen tonë”, thotë Gazmendi.

Ky çift ka vendosur që edukimin fëmijëve të ua bëjë mbi baza atdhetare, madje thonë se për besim ata duhet të vendosin vet.

Të dy si Kristina ashtu edhe Gazmendi një goje thonë se do mundohen që edukimi i fëmijëve të tyre të bazohet mbi frymën e atdhedashurisë e qytetarisë.

“Fëmijët tonë i respektojnë edhe fenë islame edhe atë të krishtere”, thotë Kristina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button