Këshilli Opozitar

Me disa nga anëtarët e grupit koordinues të Këshillit Opozitar të shtunën e kaluar ishim të ftuar të merrnim pjesë në një tribunë me qytetarë në Llabunishtë të Strugës. Në pjesën e paraparë për inkuadrim të qytetarëve nëpërmjet pyetjeve dhe komenteve fjalën e mori një burrë në të gjashtëdhjetat me kapelë të bardhë mbi kokë. Ky banor i Llabunishtit, pasi i përshëndeti të pranishmit në gjuhën shqipe dhe deklaroi se është shqiptar, më tej i shpjegoi çastet shumë të lumtura të cilat i kishte përjetuar në fillim të viteve të nëntëdhjeta, kur ishte nisur për të shkuar në Strugë për ta themeluar degën e partisë së parë të shqiptarëve të Maqedonisë; në ato çaste veten e kishte ndje sikur të shkonte në haxh.

Tërë gëzimi dhe rëndësia që ky xhaxha dhe tërë shqiptarët në atë kohë ia kishin kushtuar politikës dhe partive shqiptare ndër vite, bazohej në vetëm një gjë – në shpresën! Në shpresën se subjektet politike do i reflektojnë vlerat e tyre si individë dhe si komb; në shpresën se tanimë të drejtat, nevojat dhe kërkesat e tyre do mbroheshin në mënyrë institucionale, në shpresën se vinte koha kur shqiptarët nuk do ishin vetëm përfaqësues biologjik në pushtet, ngaqë të tillë kishte në kohën e sistemit komunist, por do të kishin edhe shtet; në shpresën se arsimi shqiptar, i lënë pas dore skajshmërish, do të fillonte të trajtohet me seriozitetin më të madh; në shpresën se zëri i shqiptarëve në këtë shtet do jetë si zot shtëpie, e jo si sherif lokalë e vasalë të parive maqedonase. Listën e shpresës dhe pritshmërive mund ta shtojmë pa fund, mirëpo me rëndësi është që thelbin e kësaj liste e përbën nevoja e patjetërsueshme që shqiptarët në këtë shtet të jenë të pranueshëm si qenie politike dhe shteti t’i trajtojë si të tillë.

Degradimi që subjektet politike shqiptare, kush më pak e kush më shumë, ia kanë bërë çështjes kombëtare të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë që nga themelimi i saj si shtet e deri më sot, si duket e arriti kulminacionin e vet nga “çlirimtarët” e katapultuar në politikë, ngase këta të fundit problemit shqiptaro-maqedonas ia shtuan edhe një dimension, atë shqiptaro-shqiptar. Nëse deri para viti 2001 ne si shqiptarë, deri diku, luftën politike e zhvillonim ndaj palës maqedonase, pas vitit 2001 neve na u shtua edhe një front, ai i popullit shqiptar me partitë politike shqiptare. Pra, neve si shqiptarë beteja politike na u zgjerua në dy fronte.

Për të mos e zgjatur pafund, ngulfatja e kësaj shprese kaq të madhe të shqiptarëve, vëllavrasja për arsye politike, ngecja e çështjes shqiptare, abuzimi me pushtetin dhe partizimi i gjithçkaje, standardizimi i vasalitetit dhe klientelizmit si vlera primare në politikë, keqqeverisja dhe korrupsioni me përmasa të hatashme, neve si shqiptarë na bëri ta harrojmë hisen tonë në këtë shtet, na barrikadoi brenda halleve tona esenciale dhe na solli para një udhëkryqi ku ose duhet t’i bindemi partisë e t’i gëzojmë disa favore minimale në këmbim të dinjitetit tonë si qenie njerëzore ose ta braktisim shtetin, ngaqë ndryshe do të vuajmë edhe për kafshatën e gojës.

Të zhgënjyer thellësisht nga politika si mjet për zgjidhjen e problemeve, shqiptarët e humbën besimin te partitë politike në përgjithësi dhe kjo u reflektua me dalje shumë të ulët në zgjedhje në ciklet e fundit zgjedhore.

Pra, në një situatë kur e keqja ishte aq e madhe, ndërsa besimi në politike shumëfish më i vogël, duke vlerësuar lart nevojën për angazhim më të gjerë gjithëshqiptar për mobilizim dhe kontribut publik në të mirë të çështjes shqiptare në Maqedoni, duke konstatuar se në Maqedoni është rrezikuar seriozisht demokracia, sidomos në kampin politik shqiptar dhe duke qenë të bindur se nevojitet një impuls më i fuqishëm se vetëm organizatat politike, që ky sistem të riparohet dhe të vendosen standarde të tjera të demokracisë dhe të politikëbërjes, ngelej edhe një shpresë e fundit: krijimi i një fronti të gjerë opozitarë. Mu për këtë qëllim u iniciua formimi i këshillit mbipartiak.

Ky front i gjerë opozitarë synon që t’i tubojë akademikët, intelektualët, shkrimtarët, organizatat joqeveritare, organizatat studentore, personalitetet e dëshmuara të jetës publike, afaristët, organizatat politike dhe të gjithë ata që me bagazhin dhe përvojën e tyre jetësore duan t’i japin politikës e jo të marrin prej saj. Pra, kuptimin e opozitës ta zgjerojë përtej partive politike që aktualisht nuk janë pjesë e parlamentit.

Që në momentet e para kur në opinion u prezantua ideja e inicimit të një këshilli mbipartiak, që tashmë quhet Këshilli Opozitar, kishte zëra dhe qëndrime publike, të cilat më shumë ishin të orientuara për ta diskredituar këtë iniciativë sesa që ta ngërthenin brenda vetes ndonjë argumentim më serioz. Të tilla janë edhe qëndrimet se ky lloj këshilli nuk është asgjë e re në skenën politike dhe shoqërore dhe, si i tillë, është dëshmuar të jetë i pasuksesshëm.

Sa për fillim, më duhet patjetër ta them që deri në këtë moment nuk ka pasur asnjë iniciativë ose këshill, i cili një individ, qoftë ai intelektual, akademik ose publicist, e ka barazuar me një subjekt politik. Pra, për herë të parë kemi të bëjmë me një këshill, i cili është gjithëpërfshirës, duke mos u dhënë ekskluzivitet vetëm partive politike, por duke i barazuar ato me të gjitha personalitet që janë dhe do jenë mbështetës të Këshillit Opozitar.

Një tipar tjetër, i cili gjithashtu vlen të theksohet, është fakti se Këshilli, për dallim nga nismat e tjera, të cilat vazhdimisht i ftonin, kryesisht subjektet politike, që t’u bashkëngjiten atyre, Këshilli Opozitar bën thirrje që fillimisht ta zgjerojmë frontin opozitar edhe jashtë subjekteve politike, që të gjithë së bashku ta forcojmë opozitën dhe ta bëjmë opozitarizmin identitetin tonë më të rëndësishëm, për arsye se vetëm kjo jep shpresë se mund të fitohet beteja kundër asaj të cilën ne tanimë e kemi definuar si e keqja e shqiptarëve në Maqedoni. Vetëm kjo jep shpresë që ne do arrijmë që në shoqërinë tonë të instalojmë parime tjera të politikëbërjes dhe përgjegjësisë, që përfundimisht t’ia hapim dyert një politike të re shqiptare.

Autori është anëtarë i grupit koordinues të Këshillit Opozitar111

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button