Albini e Albulena në arrest shtëpiak

Kolegji prej tre gjyqtarësh i Gjykatës Supreme ka vendosur që masa e paraburgimit në rastin e deputetëve të opozitës, Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, të ndryshohet me masën e arrestit shtëpiak.

“Gjykata Supreme duke vendosur lidhur me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të mbrojtësve të të pandehurve, Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, ka aprovuar pjesërisht kërkesën dhe ka ndryshuar aktvendimin e formës së prerë, ashtu që ndaj të pandehurve ka ndërprerë masën e paraburgimit dhe u ka caktuar arrest shtëpiak”, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës.

Sipas Gjykatës Supreme, të pandehurit Albin Kurti, masa e arrestit shtëpiak do t’i zgjasë deri më datën 28.12.2015, ndërsa të pandehurës Albulena Haxhiu, masa e arrestit shtëpiak do t’i zgjasë deri më datën 07.01.2016.
Në anën tjetër, një kolegj penal prej tre gjyqtarësh nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit, me anë të dy vendimeve të ndara, ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurve, Faton Topalli dhe Ismajl Kurteshi.

“Në të dy rastet Gjykata e Apelit gjeti se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt, kur të pandehurve në fjalë u ka caktuar masën e paraburgimit, si në aktvendimet PPR. KR. nr. 415/2015 dhe PPR. KR. nr 500/2015, të datës 14.12.2015, pasi që ata, siç del nga shkresat e lëndës, e kanë thyer masën e arrestit shtëpiak”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit. Deputeti, Faton Topalli, dyshohet nga ana e Prokurorisë se ka kryer veprat penale: “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga Neni 375 i Kodit Penal të Kosovës, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Nenit 374, të të njëjtit Kod. Ndërsa i pandehuri, Ismajl Kurteshi, dyshohet për veprat penale:

“Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga Neni 375, dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, nga Neni 409 i Kodit Penal të Kosovës. Për deputetin, Faton Topalli, ishte lëshuar fletarrest më 18 nëntor, pas hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, por që Policia nuk kishte arritur ta arrestonte për shkak se ai kishte ikur në Zvicër. Mirëpo, pas ardhjes në Kosovë Policia e kishte arrestuar më 8 dhjetor, derisa Gjykata Themelore ia kishte caktuar një muaj arrest shtëpiak, por që e kishte thyer këtë masë duke marrë pjesë në seancën e 14 dhjetorit, kur edhe ishte arrestuar nga Policia e më pas i ishte shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Po ashtu edhe deputeti, Ismail Kurteshi, ishte arrestuar pasi kishte hedhur gaz lotsjellës në Kuvend, por që Gjykata Themelore i kishte shqiptuar vetëm masën e arrestit shtëpiak, i cili e kishte thyer me pjesëmarrjen e tij në manifestimin e organizuar nga tri partitë opozitare në Gjilan kundër dy marrëveshjeve. Si shkak i thyerjes së kësaj mase, Gjykata Themelore ia kishte caktuar një muaj paraburgim, të cilin e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button