Vala e të nxehtit godet Australinë, temperaturat mbi 45 gradë celsius

Përkundër temperaturave të ulëta në hemisferën veriore, Australia po përballet me valën e parë të temperaturave të larta, erërat e fuqishme dhe zjarret e shpeshta në pyje, raporton Anadolu Agency (AA).

Në disa qytete të Australisë është regjistruar temperatura të larta mbi 45 gradë Celsius. Posaçërisht temperatura të larta janë shënuar në Melburn dhe rrethinë, që ndodhet në shtetin federal Victoria.

Erërat me shpejtësi prej mbi 90 kilometrash në orë e pamundësojnë shuarjen e zjarreve, të cilat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Brigada lokale e zjarrfikësve njoftoi se ekipet në shtetin e Victoria-s në 24 orët e fundit po luftojnë me më shumë se 300 zjarre.

Nga ana tjetër, më shumë se 200 njerëz kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta.

Pjesa më e madhe e zjarreve janë shuar, por disa prej tyre ende nuk janë vënë nën kontroll. Një shembull i një rasti të tillë është një zjarr në jug të Victoria-s që përfshiu një sipërfaqe prej 3 mijë hektarësh dhe erdhi në kontakt me shtëpitë.

“Përveç motit të nxehtë dhe me erë neve na shqetëson ajo se edhe zjarret mund të krijojnë bubullima. Nga popullata kërkohet të veprojë në përputhje me situatën dhe të respektojë ndalimin për ndezjen e zjarreve”, deklaroi Graeme Baxter, zëdhënësi i Brigadës kompetente të zjarrfikësve në shtetin Victoria.

Në Adelaide, në shtetin federal Australia Jugore, për herë të parë në histori, në dhjetor, katër ditë me radhë janë regjistruar temperatura më të larta se 40 gradë. Temperaturat e larta kanë shkaktuar zjarre të vogla. Si pasojë e këtyre zjarreve në këtë qytet dy persona e kanë humbur jetën dhe 90 të tjerë janë plagosur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button