Greqia burgos shitësin e gështenjave, jo milionerët

Një shitës i moshuar gështenjash në Greqi, i zhytur në borxhe, arrestohet nga një skuadër policore, për shkak se nuk ka licencë. Ky rast ka zgjuar një valë zemërimi në vend: evazorët e mëdhenj falen, të varfërit përndiqen

Nga Giorgos Christides, Spiegel

Askush nuk duhet të thotë më se Greqia nuk e merr seriozisht luftën kundër shmangësve të taksave.

Kohët e fundit, policia në Selanik arrestoi me shumë bujë një shitës rruge, 62-vjeçarin Giorgos Dimou, që ka një mal me borxhe mbi shpinë dhe duhet të kujdeset për tetë vëllezër e motra.

12 persona me uniformë, një makinë policie dhe një karroatrec u dërguan për të arrestuar shitësin e gështenjave dhe për të transportuar karrocën e tij.

Krimi që po bënte: Piqte gështenja dhe i shiste pa licencë.

Historia e tij ka shkaktuar një valë zemërimi në Greqi.

Arsyeja është absurditeti i këtij operacioni të policisë.

Ai konfirmon ndjesinë e njerëzve se autoritetet greke po godasin krimet e vogla dhe po i lënë të ikin “peshqit e mëdhenj”.

Pas arrestimit, Dimou doli të premten përpara gjykatës.

“I detyrohem shtetit, sigurimit shëndetësor dhe fondit të pensioneve 150 mijë euro,” tha Dimou.

“Ajo që dua është thjesht një licencë për të shitur gështenja, që të jetojmë”.

Gjykatësi vendosi ta dënojë me gjashtë muaj burg- pas provës- dhe me një gjobë prej 10 mijë eurosh.

Në një rast të ngjashëm përpara një muaji, policia arrestoi në qytetin Karditsa një shitës 92-vjeçar gështenjash.

Javën e shkuar u ngrit padi ndaj një vejushe 79-vjeçare, e cila shiste perime me licencën e burrit të vdekur.

Ligji është ligj, argumentojnë disa.

Shumë grekë megjithatë mendojnë se kjo është e padrejtë, sidomos kur e krahason me rastet e pasanikëve.

Fjala bie, ish-ministri i Financave, Giorgos Papakonstantinou u dënua me kusht për një vit- edhe pse ai ka manipuluar të ashtuquajturën “Lista Lagarde” me llogaritë bankare në Zvicër të grekëve të pasur, për të mbrojtur të afërmit e tij.

Por rasti i shitësit të gështenjave ka shkaktuar zemërim pasi gazetarja Kya Tzimou e filmoi të gjithë skenën dhe e publikoi.

“Sheshi Aristitoel ishte mbushur plot me policë. Mendova se ishte një vrasje”.

Më pas vuri re se policët kishin ardhur për të arrestuar një shitës gështenjash.

Kur i konfiskuan karrocën, i moshuari nisi të qante.

Gështenjat u përhapën përtokë dhe ai humbi ndjenjat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button