Debati i pestë republikan: luftë e latinëve, Bush mbron Islamin nga Tramp

Debati i pestë u karakterizua me beteja në dyshe, posaçërisht mes Kruzit me Rubion dhe Bushit me Trampin

Në 15 dhjetor kandidatët republikanë u mblodhën në Las Vegas për debatin e tyre të pestë dhe të fundit për këtë vit. Debati qe organizuar nga televizioni CNN dhe si zakonisht u zhvillua në dy pjesë të ndara. Në debatin kryesor morrën pjesë tetë kandidatët e njëjtë si në debatin e katërt, plus Kris Kristi që arriti të rikthehet në këtë “ligë të parë”. Ndërkaq në debatin e ligës së dytë ishin Santorum, Hakabi, Graham dhe Pataki. Debati i parë u ndoq nga 5,7 milionë shikues, ndërsa debatin kryesor e ndoqën 18 milionë.

Tema e këtij debati ishte siguria nacionale, e cila është bërë preokupim kryesor i votuesve pas vrasjeve në Paris dhe San Bernardino, Kaliforni. Ajo u zhvillua në tre pjesë: përgjimi i terroristëve potencialë, përdorimi i forcës ushtarake në politikën e jashtme dhe imigracioni. Tema nxorri në pah përçarjet e thella në partinë republikane, gjë që u ndoq me përplasje të ashpra mes kandidatëve.

Lufta e latinëve – Ted Kruz me Marko Rubio: Dy latinët personalisht janë shumë të ngjajshëm: janë senatorë të valës së  Çajit të 2010, kanë të njëjtën moshë dhe të dy kanë prejardhje kubaneze. Por politikisht kanë shumë dallime: përderisa Rubio përfaqëson politikat e establishmentit, Kruz vazhdon t’i ngelet besnik bazës. Që të dy janë ngjitur lartë në anketa muajin e fundit, prandaj përplasja mes tyre ishte e pashmangshme.

Debatin e pestë lirisht mund t’a quajmë luftë të latinëve. Kruz dhe Rubio u kacafytën pa ndalur dhe pamëshirshëm gjithë natën. Ata sulmonin njëri tjetërin thuajse saherë që merrnin fjalën dhe dallonin në çdo temë. Rubio për shembull preferon më tepër përgjime të komunikimeve për të luftuar terrorin në vend, Kruz më pak. Jashtë Rubio kërkon dërgimin e trupave kundër ISIS-it, Kruz preferon bombardimet. Rubio kërkon domosdo rrëzimin e Asadit, Kruz preferon diktatorët mbi anarkinë. Te imigracioni Rubio pranon një lloj amnestie eventuale, Kruz jo.

E gjithë beteja Rubio-Kruz dukej si përplasje gjigante e politikave të ndryshme të jashtme të partisë; neokonët e Rubios dhe realistët e Kruzit. Në këtë formë ata patën ndihmë dhe nga kandidatët tjerë. Pol i doli disa herë në mbrojtje direkte Kruzit, ndërsa Kristi dhe Kasiç indirekt ndihmuan Rubion.

Të dy latinët goditën dhe kundërgoditën njëlloj dhe mund të themi se beteja e tyre përfundoi me barazim, pa fitues të qartë.

Kompetenca kundër cirkut – Xheb Bush me Donald Tramp: Pas sulmeve të 11 shtatorit kryetari Xhorxh Bush kishte vizituar një xhami dhe kishte deklaruar se Islami është fe e paqes. Xhebit ju parashtrua pyetja nëse vëllau kishte vepruar drejtë. Për të ky ishte momenti i pritur për të sulmuar Trampin. Bush denoncoi qëndrimet e Trampit për myslimanët, ritheksoi se SHBA janë në luftë me një grup radikalësh dhe jo me Islamin si fe, se ju duhet aleanca e shteteve myslimane për të mposhtur ISIS-in dhe se është nonsens që aleatëve të këtillë t’iu ndalohet hyrja në SHBA. Bush e quajti Trampin kandidat kaotik, joserioz, që politikën e jashtme e konsumon nga shou televizive. Ai sulmoi Trampin edhe disa herë tjera gjatë natës, pa u tërhequr nga kundërgoditjet dhe me një gjallëri të paparë deri tani. Bush pikturoi me sukses kontrastin mes kandidatëve kompetentë si vetja dhe shou-kandidatëve si Tramp. Bush pati debatin më të mirë të tij dhe lirisht mund të themi se ia arriti të mposhtë Trampin.

Kristi kundër senatorëve: Kris Kristi disa herë theksoi përvojën e tij si guvernator, pozitë ekzekutive që kërkon angazhim dhe aksion në mënyrë permanente. Ai e kontrastoi këtë përvojë me senatorët që sipas tij dijnë vetëm të flasin pa prodhuar ndonjë rezultat. Me një grusht të këtillë ai goditi njëkohësisht senatorët Rubio, Kruz dhe Pol. Përgjigje morri vetëm nga Pol, ndërsa Kruz dhe Rubio ishin tepër të preokupuar me njëri tjetrin për t’u marrë me Kristin.

Kruz kundër Tramp: Tramp sulmon këdo që i afrohet në anketa. Pasi Kruz ka zëvendësuar Karsonin në vendin e dytë dhe është i pari në Ajova, pritej që ai do vihej në shënjestër të Trampit. Çuditërisht asnjëri prej të dyve nuk kishte interes për të sulmuar tjetrin dhe kjo përplasje e pritur nuk ndodhi fare.

Neokonët kundër realistëve kundër izolacionistëve: Pas dështimit në Irak, ideologjia neokonzervative e mishëruar te Xhorxh Bush humbi ndikimin e saj dominant në partinë republikane. Por pas Parisit dhe Kalifornisë ajo shënon një rikthim të shpejtë, aq sa në debatin e parë Graham mundi të thotë “më mungon Bushi” dhe të pritet me aplaudim të gjatë. Konfrontimi mes neokonëve dhe realistëve, që refuzojnë ndërrimin e regjimeve nëpër botë, zuri vend qendror në debat. Në anën neokone priu Rubio, por po të njëjtën filozofi ndanë edhe Bush, Kristi, Kasiç dhe Fiorina. Në anën tjetër ishte Kruzi i vetmuar, që kohë pas kohe merrte ndihmë nga Pol, i cili përfaqëson politikën e tërheqjes totale nga konfliktet botërore – izolacionizmin. Tramp dhe Karson si zakonisht nuk patën qëndrime të qarta as për këtë temë, as për të tjerat.

Kandidati Koha e shfrytëzuar
Ted Kruz 15:58
Marko Rubio 13:33
Donald Tramp 13:25
Kris Kristi 10:45
Ben Karson 10:27
Xheb Bush 10:13
Rend Pol 9:46
Karli Fiorina 9:32
Xhon Kasiç 9:00

 

Fitues të debatit: Fakti se ishin në qendër të vëmendjes gjithë natën dhe se folën më tepër se të tjerët, pa patur fitues të qartë në betejën mes tyre, i bën Rubion dhe Kruzin fitues të parë të këtij debati. Paraqitje më të mirë deri tani pati Bushi, ndërsa këtyre iu bashkangjitet edhe Kristi i cili tregoi kompetencë në çdo temë.

Humbës: Fiorina dhe Kasiç ishin të përgatitur mirë dhe nuk bënë ndonjë gaf, por ata nuk përbëjnë më ndonjë befasi dhe rrjedhimisht nuk bënë ndonjë gjë për të përmrësuar pozicionin e tyre në anketa. Karson duket plotësisht jashtë loje në politikën e jashtme dhe me siguri do të vazhdojë rrënia e tij në anketa tani që politika e jashtme është temë qendrore e fushatës.

Barazojnë: Tramp dhe Pol.

Debati i “ligës së dytë”: Debatin e parë e fitoi Graham, por kjo ka gjithnjë e më pak rëndësi. Me gjasë në debatin e ardhshëm as që do organizohet një debat i tillë, pasi fushatat e këtyre kandidatëve po zbehen gjithnjë e më tepër.

Çka më tutje: Pas këtij debati tempoja e fushatave do të ngadalësohet për festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Por në janar hyjmë në muajin e fundit para votimeve. Në fillim të 2016 pra kandidatët do të hedhin gjithçka kanë në fushatë dhe do të luftojnë me të gjitha mjetet për t’u pozicionuar sa më mirë para debatit të gjashtë që mbahet me 14 janar dhe votimeve në Ajova që janë më 1 shkurt.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button