Letër Lindës

Moti kam dashur të të propozoj që në gazetën Politika të lexosh tekstet e shkurtra javore të psikologut të njohur Zoran Milivojeviq. Mbititulli i shkrimeve “Formule zhivljenja” nuk është pretencioz siq mund të duket në lexim të parë…janë këto lekcione për të jetuar më lehtë pasi bazohen tek përpjekja për të kuptuar dhe “përkthyer” natyrën njerëzore.

Kjo përpjekje në fakt është çelësi për të kuptuar të tjerët dhe vetveten. Kuptohet veten përherë e shikojmë më me tolerancë dhe mirëkuptim, por edhe kjo ndryshon me kalimin e viteve. Ja për momentin më fanitet një fjali nga “Getsbi i madh” i Fixheraldit:  “…sa herë që merr të gjykosh për ndonjërin, kujtohu se jo të gjithë kanë pasur avantazhet e jetës tënde“! Nuk më kujtohet e kishim lektyrë apo jo, por e di se e lexova si gjimnaziste gjatë një dite shumë të nxehtë mbi ulësen afër liqenit në parkun e qytetit. Sa romane i kam lexuar nën hijet atje, kur qëllonin më të shkurtëra i kapërdija me një të ulur. Ndjenja ishte perfekte. Me orë të tëra nuk shkëputesh nga magjia – celularët ende nuk ishin shpikur, as gllabëruesi modern i kohës siq është Interneti. Atëherë në përgjithësi lexonim më shumë, por edhe më mirë, e di se më kupton. E ka thënë edhe Ajnshtajni “Teknologjia sjell më shumë dëm se sad dobi”.

…teksti i fundit i Milivojeviqit titullohet “Zëri i brendshëm”; disa poenta aty më ngjajnë me bisedimet tona kur harroj bile edhe cigare të ndez (me miqtë duhanxhinj ndezim shumë më shpesh ngase e imitojmë njëri-tjetrin. Ky shembull banal na përkujton se sa është me rëndësi më kë rrijmë dhe sa shpesh rrijmë bashkë). Në fakt familja na është dhënë dhe këtu s’kemi as faj as meritë; kolegët jo përherë mund ti zgjedhim sipas kritereve; por me përzgjedhjen e miqëve shpesh e tregojmë fytyrën tonë të vërtetë. Ti Arlinda më je prej atyre që më bëhet sikur i njoh gjatë, pavarësisht stazhit.

Njeriun mund ta njohim gjatë por pamjaftueshëm dhe kjo mandej bëhet shkak për rrënimet e besimit dhe zhgënjimet në njerëz të cilët i kemi menduar për të afërt. Por, njeriun mund ta njohim edhe shkurt e mirë dhe kjo ndjesi shpesh shënon startin e miqësive që e japin mandej testin e kohës.

…ja vetëm taksativisht për gjërat që më së shumti të veçojnë nga shumica.

Pasioni për letërsinë dhe për njohjen për së afërmi me shkrimtarë e poetë. (Kur të shihemi më përkujto të të tregoj për takimin me Besnik Mustafajn, takim krejt i beftë, prandaj i paharrueshëm).

Një harmoni e plotë ndërmjet mënyrës se si flet, shkruan dhe dëgjon.

Stili i veshjes, kombinimet eklektike të teshave bukur të vjetëruara dhe diçkaje të re që shkrihet natyrshëm në pamjen e cila bie në sy pasi “njeriu i bukur bie në sy menjëherë”, thuhet në një poezi.

Përzgjedhja e të dashurit. Kemi biseduar se si, për çudi, njerëz eminentë bëjnë përzgjedhje të gabuara. Edhe historia e artit dhe e shkencës janë plot me shembuj në këtë temë. Por ama, maksimumin e potencialit e arrijnë vetëm ata që nuk janë të dënuar me partnerë tekanjozë. Ose ata që zgjedhin të jenë vetë.

Prandaj gëzohem për ty me Fatmirin: dy specifika të cilët përputhen, dy fytyra që kur janë bashkë ende më shumë bien në sy.

Pasi një çift i bukur është përherë më shumë se sa një person i bukur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button