Temat ku dallojnë republikanët dhe demokratët

Mbi një konsensus të përgjithshëm rreth të cilit pajtohen të gjithë aktorët politikë në SHBA, ekzistojnë një sërë temash për të cilat dy partitë kryesore kanë qëndrime thuajse diametralisht të kundërta. Megjithëse partitë amerikane kanë struktura të lira ku secili politikan ka qëndrimet e veta që mund të jenë të ndryshme nga kolegët e partisë së tij, janë këto tema që zakonisht unifikojnë partinë dhe përcaktojnë se kush është republikan dhe kush demokrat. Gjatë zgjedhjeve të përgjithshme debati mes kandidatëve zhvillohet ekskluzivisht rreth këtyre temave, ndërsa rrethanat e momentit përcaktojnë se cila temë ka më tepër prioritet.

Në serinë Presidenti 45 në të ardhmen do të kemi rast të shtjellojmë më gjerësisht secilën prej këtyre temave. Por pwr fillim po paraqesim një pasqyrë të përgjithshme ku do të numërojmë secilën temë dhe pozicionet e secilës parti. Edhe një herë po përsërisim se tabela nuk duhet të merret si fjalë finale pasi brenda secilës parti ka qëndrime tejet heterogjene. Për shembull ka politikanë republikanë që janë pro-abortit, por si qëndrim të partisë republikane kemi shënuar pozicionin kundër abortit sepse shumica e republikanëve kanë këtë qëndrim. Pra kandidati është republikan për arsye tjera, ndërsa në çështjen e abortit është kundër partisë së tij. Në tabelë po kyçim si të veçantë edhe libertarianët të cilët kanë qëndrime të veçanta për shumë çështje, megjithëse më shpesh i gjejmë brenda partisë republikane (madje me kandidatë për president siç është këtë rradhë Rend Pol).

 

Tema Demokratët Republikanët Libertarianët
(De) centralizimi E centralizuar – më tepër pushtet për federatën E decentralizuar – më tepër pushtet për shtetet E decentralizuar – më tepër pushtet për shtetet
Politika e jashtme Pëllumbat – E butë, favorizojnë koalicionet, ndihmat Skifterët – Agresive, përdorim më i shpeshtë i forcës Izolacioniste – Mospërzierje në vendet tjera
Ushtria Më e vogël Më e madhe Minimale – aq sa duhet për të mbrojtur territorin e SHBA
Imigracioni Pro, për amnesti të imigrantëve ilegalë Me nuanca, por kundër amnestisë Pro imigracionit
E drejta e qytetarëve për të mbajtur armë Me kontrolle Pa kontrolle Pa asnjë kontroll, sipas amandamentit të dytë të kushtetutës
Tatimet Progresive, të pasurit të paguajnë më tepër E sheshtë, sistem fer për të gjithë Minimale ose zero
Rroga minimale Pro Kundër Kundër
Politika fiskale –buxheti, deficitet Buxhet më i madh, përveç ushtrisë Buxhet më i vogël, përveç ushtrisë Minimal, absolutisht kundër deficiteve
Politika monetare – Banka Qendrore FED Banka qendrore profesioniste dhe e pavarur Banka qendrore profesioniste dhe e pavarur Politika monetare nuk është punë e shtetit – Mbyllja e Bankës Qendrore, fundi i dollarit
Tregtia me shtetet tjera E kufizuar E lirë Plotësisht e lirë
Politika shëndetësore Në nivel federate, favorizohet ndërhyrja e shtetit Në nivel shteti, favorizohet sektori privat Vetëm sektori privat
Sindikatet Pro Kundër Kundër
Ambienti Ambienti para interesit ekonomik Interesi ekonomik para ambientit Do t’a rregullojë tregu
Aborti Pro Kundër Pro, shteti nuk duhet të përzihet
Martesat homoseksuale Pro Kundër Martesa si çdo kontratë tjetër, nuk duhet të jetë kategori e veçantë
Droga Dekriminalizim i marihuanës, dënime më të ulta Kundër, dënime të ashpra Legalizim i të gjitha drogave

 

Nëse tabela më lartë analizohet më me kujdes do të shohim se partia demokrate dhe republikane kanë filozofi plotësisht të ndryshme. Filozofia politike demokrate, e njohur si liberale, bazohet te sensi i komunitetit dhe përgjegjësisë sociale të individit. Theksi vihet te e mira e përgjithshme, ndërsa ajo arrihet me ndarje të përgjegjësisë dhe benefiteve mes anëtarëve të komunitetit. Partia demokrate sheh rol më të madh për ndërhyrje të shtetit për të siguruar këtë mirëqenie, duke favorizuar kështu birokracinë dhe rregullimin më të madh të ekonomisë.

Ndërkaq filozofia republikane, e njohur si konzervativizëm, vë theksin te të drejtat e individit dhe te koncepti i drejtësisë. Sipas republikanëve e mira e përgjithshme vjen kur çdo individ realizon potencialin e tij në tregun e lirë, ku shteti duhet të ketë rol minimal. Rrjedhimisht republikanët janë për zvogëlim të aparatit shtetëror, kundër rregullimit të tepërt dhe ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, kundër birokracisë dhe pro biznesit.

Filozofia libertariane ndërkaq është totalisht e bazuar te koncepti i lirisë. Në këtë filozofi çdo ndërhyrje e shtetit në çfarëdo sferë të jetës përbën kërcënim për lirinë dhe të drejtat e individit. Sipas libertarianëve shteti duhet të jetë maksimalisht i kufizuar dhe të kryejë vetëm ato detyra që nuk mund t’i kryejë sektori privat, si mbrojtja nga jashtë (ushtria), ruajtja e rendit (policia) dhe vendosja e drejtësisë (gjykatat). Libertarianët nuk shohin asnjë rol për shtetin në sferat tjera të jetës (ekonomia, arsimi, shëndetësia etj), madje as te një bankë qendrore apo te një valutë shtetërore siç është dollari.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyr

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button