Çarshia e Shkupit, barometri më i saktë

 

Barometri i mirëqenies në Maqedoni, e sidomos i mirëqenies së shqiptarëve është Çarshia e Shkupit.

Nëse kjo për dikë tingëllon si “gënjeshtër”, atëherë të vërtetën mund ta gjejë vetëm në Çarshinë e Shkupit, në veçanti te zejtarët. Të gjithë ata (përfaqësuesit e partive në pushtet) që thonë se tani jetohet shumë më mirë, vetëm e mashtrojnë vetveten. Ata ndoshta edhe jetojnë mirë, sepse janë me të dy këmbët në pushtet, por numri i tyre, në krahasim me të tjerët, është më shumë se simbolik. Ç’është e vërteta, ata edhe nuk vijnë në Çarshinë e Shkupit, por nevojat e tyre luksoze i realizojnë nëpër metropolet euro-aziatike.Ditë më parë, një nga miqtë e mi, gjithashtu zejtar, si me ngurrim më tha shkurt: O Mujë, ka 27 ditë që s’kam shitur gjë? Është kjo e trishtueshme, jo për mikun tim, por për faktin se diçka me popullatën tonë nuk është në rregull. Kam shpresë se më në fund, shumica ka filluar të kuptojë se më nga politika nuk jetohet, sepse ajo s’të jep asgjë e të merr shumë. Nuk jetohet me shpresa të kota, prit këtë muaj, e prit në atë muaj, kurse kësaj, ndër popull, i thonë: “prit magar, sa të del bari”.

Është koha t’u themi të gjithëve, e sidomos të rinjve, se partitë s’kanë vende pune për të gjithë dhe se çështja e partisë duhet të shihet vetëm si organizata politike dhe jo si ent për punësim. Tashmë është krijuar një praktikë shumë e rrezikshme: të rinjtë tanë nuk mendojnë për asgjë tjetër pos për t’u punësuar në administratë shtetërore. Dhe jo rastësisht për disa dhjetëra vende punë, konkurrojnë edhe mbi 10 mijë të rinj. Pra, lindin mbi 10 mijë shpresa, të cilët në çast bëhen mbi 10 mijë dëshpërime. Është koha të thuhet e vërteta dhe të rinjtë t’i orientojmë edhe në profile tjera, sepse shumë lehtë mund të vijmë te përfundimi se ne pa vetëdije kemi krijuar një armatë të madhe të rinjsh, të cilët nuk janë në gjendje të bëjnë diç për fatin e tyre, por vetëm shpresojnë se do t’u buzëqeshë fati me një vend pune.

Është absurde të thuhet se gjendja sociale dhe ekonomike e popullatës shqiptare po shënon trend pozitiv, kur tashmë të gjithë e kanë të qartë se është një armatë e madhe të papunësh, të cilët ëndërrojnë një vend punë në administratën shtetërore, e cila edhe ashtu është e mbingarkuar. Është çështje kohe kur do të fillojë lirimi nga ky mbingarkim. Administrata shtetërore (e politizuar) në variantin më të mirë duhet të përgjysmohet, me qëllim që të jetë funksionale në çdo aspekt. Dhe kur të ndodhë kjo, e duhet të ndodhë, atëherë papunësia do të shtohet edhe më shumë dhe, edhe më shumë do të përkeqësohet gjendje ekonomike e sociale. Prandaj, atë që e mbajnë peng këtë armatë, duhet të zbresin në Çarshinë e Shkupit dhe të përballen me realitetin e përditshëm, ku do t’i takojnë ata që me javë e javë presin që të shesin diç për ekzistencë. Të zbresin dhe të përballen me barometrin e vërtetë të gjendjes së atyre që ata i manipulojnë, duke u thënë se jeta e tyre është shumë e mirë…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button