Shfrenimi i intelektualit

Të jesh apo të mos jesh? Kjo është pyetja kyçe që më del përballë. Shpesh herë jemi dëshmitarë të sjelljeve të dobëta të “klasës së ngritur” apo të intelektualëve. Kjo kategori mbi vete ka shumë përgjegjësi të cilat duhet t’i mishërojë në forma dhe në nivele të ndryshme.  Përderisa dikur i diplomuari dhe i shkolluari gëzonin një privilegj të veçantë në mesin e shoqërisë sonë (shumë nga këto kanë keqpërdorur mos-vigjilencën e masës) e cila vuante për universitet, sot, kur këto i kemi me bollëk, vuajmë për edukim dhe shkollim të mirëfilltë dhe intelektual që ka të ngulitur thellë në mendjen e tij përgjegjësinë e të qenurit më i informuar dhe/ose më i ditur se të tjerët.

Me të drejtë shumëkush nga ne njerëzit e thjeshtë kemi menduar se udhëheqësi, lideri, ministri, drejtori, profesori, arsimtari, mjeku, etj. janë “njerëz të ngritur”, më të dalluar se të tjerët, të dëshmuar në profesionin e tyre, të ndershëm etj. pra “të zgjedhurit e popullit”. Ky është një gjykim i drejtë, sepse kështu duhet të jetë, kështu duhet të funksinojë!

Por, de facto gjendja është shumë dëshpëruese, shumë e tendosur dhe degraduese. S’di nëse gabohem të them se edhe de jure situata është në të njëjtin binar. Sistemi i kurdisur legjislativ pas pavarësimit të Republikës së Maqedonisë dhe plotësim ndryshimet ligjore të mëvonshme janë bërë më tepër në favor të të regjurve, hajdutëve, kusarëve, bandave, interesave klanore etj. se sa në favor të nevojave reale të vendit dhe të qytetarëve. Dhe pikërisht kjo gjë është përgatitur dhe hartuar nga “intelektuali injorant” që na del përballë çdokund  dhe po na zë frymën sot si “anal-ist politik, ekonomik…”  etj. Shumë nga ata që dështuan (por xhepat i zmadhuan) dikur në sferën politike, ekonomike, etj. (për shkak se u diplomuan dhe nuk u shkolluan, e të mos flasim për edukimin) sot “shesin mend” nëpër mediat vendore dhe rajonale për interesa të caktuara.  Kjo racë intelektualësh, ka bërë dhe vazhdon të bëjë kërdinë në të gjitha nivelet e funksionimit të shoqërisë dhe shtetit. Kuptohet se, një situatë e tillë patjetër që reflekton dukshëm edhe në zhvillimet globale.

Nga kjo klasë intelektualësh injorant, kultivohen filiza të rinjë që se kanë pikën e idesë për vetë jetën e tyre, që nuk kanë koncept të qartë për të drejtat dhe obligimet e tyre, si student, si bashkëshort, si prind, si shtetas etj. S’di nëse gabohem të them se produkti i kesaj klase intelektualësh injorant janë pikërisht një “masë e hutuar” dhe një “rini që mendon vetëm për seks dhe facebook”. Kjo mendësi e pacipë, i shndërroi shkollat dhe universitetet në vende ku shfaqet moda, pallatet e kulturës në qendra të amoralitetit, shtëpitë e Zotit në qendra formalitetesh, spitalet në qendra biznesi, kafenetë në qendra debati, institucionet shtetërore në shtëpi të tyre, tokën pjellore në djerrinë, ajrin e pastër në helm,… etj.  Thënë pak më ndryshe, shfrenimi i intelektualit e shndërroi qenien njerëzore në mall tregtie, keqpërdori aftësitë dhe mirësjelljen e tij, përdhunoi vlerat që ai i çmon lartë, e bëri atë të ndjehet i huaj në shtëpinë e tij, e largoi atë nga prona dhe atdheu i tij,.. Por, çështja që na bën të ndjehemi edhe më të trishtuar është  këmbëngulja për të vazhduar kjo mendësi!

Për fund, pasojat e këtij shfrenimi apo egërsimi intelektual i ka vuajtuar dhe vazhdon t’i vuajë vetë shoqëria njerëzore dhe veçanërisht njerëzit e thjeshtë, ata të cilët mundësuan që këta të paskrupull të jenë aty ku janë. Edhe pse kjo është kategoria shoqërore që shpresoi më shumë nga këta të diplomuar, sot kjo pjesë e shoqërisë ndjehet më pak e përfaqësuar, me pak ose aspak dinjitet dhe vlerë si qenie njerëzore dhe shoqërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button