Zjarri në platformën e kompanisë azere, vazhdojnë kërkimet për 29 të zhdukurit

Ekipet e shpëtimit kanë gjetur një trup të pajetë dhe vazhdojnë kërkimet edhe për 29 punonjësit e tjerë të zhdukur, pas zjarrit të djeshëm në platformën e naftës të kompanisë azerbajxhanase SOCAR në Detin Kaspik, raporton Anadolu Agency (AA).

“Nga platforma janë shpëtuar 33 punonjës, trupi i pajetë i një punonjësi është gjetur, ndërsa edhe më tej kërkojmë 29 punonjësit e tjerë të zhdukur në platformë”, deklaroi zëvendësdrejtori i kompanisë SOCAR, Hosbaht Yusifzade në konferencën për shtyp në mëngjes.

Ai më tej theksoi se moti me stuhi vështirëson punën e ekipeve të shpëtimit dhe zjarrfikësve. Yusifzade tha se një erë e fuqishme po fryn tashmë 27 orë pa ndërprerje dhe se gjatë ditës së djeshme lartësia e dallgëve në det ndaj platformës mbërriti disa metra.

“Një tubacion gazsjellës nuk u rezistoi goditjeve të dallgëve dhe shpërtheu. Në platformë ishin fikur të gjitha dritat. Disa punonjës janë humbur në errësirë, por shumica kanë mbërritur deri te varka. Për shkak të dallgëve të larta ata nuk mund të lëshoheshin në det, ndërsa as edhe varkat e ekipeve të shpëtimit nuk mund t’i afroheshin platformës. Mbrëmë në orën 22:30 kanë prerë litarin dhe varkat me punonjësit kanë rënë në det. Kanë pasur jelekë shpëtimi, por ka qenë vështirë të gjenden në errësirë dhe në det të trazuar”, deklaroi Yusifzade.

Ai tha se ka gjasa të vogla të kenë mbijetuar mbrëmjes së stuhishme, porse mrekullitë ndodhin dhe se nuk guxon t’i shpallë të vdekur derisa nuk gjejnë trupat e tyre.

Bëhet fjalë për një platformë e cila ka 28 burime edhe atë 24 të naftës dhe katër burime të gazit natyror. Është ndërtuar në vitin 1984 dhe në dit prodhon një milionë kub gaz dhe 900 tonë naftë. Jetëgjatësia e saj është 50 vjet.

Yusifzade po ashtu tha se është në rrjedhë edhe hetimi për shkaqet e shpërthimit të zjarrit në platformë, dhe se për ndonjë sabotim të pretenduar gjasat janë shumë të vogla.

Derisa ekipet zjarrfikëse tentojnë të shuajnë zjarrin, një numër i madh i varkave dhe katër helikopterë edhe më tej kërkojnë të zhdukurit, ndërsa institucionet kompetente të vendeve fqinjë Rusisë, Iranit dhe Kazakistanit kanë paralajmëruar se trupat e të zhdukurve mund të arrijnë në brigjet e tyre.

Në konferencën për shtyp u treguan edhe incizime të zjarrit në platformë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button