Obama: Nuk do të terrorizohemi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka shprehur përkushtim se hetuesit federalë do ta zbulojnë motivin, i cili ndikoi që një çift bashkëshortor në Kaliforni, t’i vrasë 14 persona, më 2 dhjetor.

“Ne jemi të fortë dhe të qëndrueshëm dhe ne nuk do të terrorizohemi”, tha presidenti Obama, gjatë fjalimit javor të shtunën.

Sulmuesja Tashfeen Malik (29 vjeçe) dhe burri i saj, Syed Farook (28 vjeç), ishin vrarë gjatë të shtënave me policinë të njëjtën ditë, pasi i kishin kryer vrasjet në San Bernardino.

“Është krejtësisht e mundshme që këta dy sulmues ishin radikalizuar për ta kryer këtë akt të terrorit. Nëse del se po, atëherë kjo do ta theksojë kërcënimin, në të cilin ne kemi qenë të fokusuar për katër vjet – në rrezikun e njerëzve që përfshihen nga ideologjitë ekstremiste të dhunshme”.

“Ne e dimë se ISIL-i dhe grupet e tjera terroriste, në mënyrë aktive po i inkurajojnë njerëzit, në gjithë botën dhe në vendin tonë, të kryejnë akte të tmerrshme të dhunës, në shumë raste si aktorë të vetmuar. Madje, derisa ne po punojmë për parandalimin e sulmeve, të gjithë ne, qeveria, agjencitë e zbatimit të ligjit, komunitetet, liderët fetarë, duhet të punojnë së bashku për të parandaluar që njerëzi të mos bëhen viktima të këtyre ideologjive urrejtëse”, theksoi Barack Obama, transmeton REL.

Presidenti amerikan, në fjalimin e tij javor, të titulluar “Ne nuk do të terrorizohemi”, i publikuar nga Shtëpia e Bardhë, prek edhe çështjen e pajisjes me armë në Shtetet e Bashkuara.

“Ne ndoshta nuk do të jemi në gjendje ta parandalojmë secilën tragjedi, por së paku, t’i zvogëlojmë ato në minimum, ne nuk duhet ta bëjmë shumë të lehtë për terroristët dhe kriminelët potencialë, që të marrin armë në duar, të cilat mund t’i përdorin kundër amerikanëve”, shtoi Barack Obama.

Zyrtarët e agjencive të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara thanë se hetimet për të shtënat më 2 dhjetor në një agjenci të shërbimeve sociale në Kaliforni, me ç’rast u vranë 14 vetë dhe u plagosën 21 të tjerë, po zhvillohen si për një akt të terrorizmit.

Zyrtarët thanë se gruaja, e cila së bashku me bashkëshortin e saj, është e dyshuar për involvim në masakër, kishte deklaruar lojalitet ndaj grupit militant, Shteti Islamik, në postimet në mediat sociale.

E përditshmja Los Angeles Times ka raportuar se bashkëshorti Farook, po ashtu, kishte kontakt me së paku dy grupe militante, përfshirë Frontin Nusra, që është i ndërlidhur me al-Kaidën dhe grupin Shabab në Somali.

Drejtori i agjencisë FBI, James Comey, u tha reporterëve në Uashington se rasti është shndërruar në hetim federal të terrorizmit.

“Arsyeja për këtë është se hetimet e deritashme i kanë zhvilluar indikacionet për radikalizimin e vrasësve dhe inspirimin potencial nga organizatat e jashtme terroriste”, tha James Comey.

Sipas tij, nuk ka indikacione se çifti ishte pjesë e ndonjë celule ose rrjeti terrorist.

Nga ana tjetër, grupi ekstremist, Shteti Islamik, në një radio transmetim në Internet, tha se dy mbështetës të tyre e kanë kryer sulmin.

“Mbështetësit e Shtetit Islamik, para disa ditësh, e sulmuan një qendër në San Bernardino, në Kaliforni”, raportoi radioja e grupit militant, al-Bayan.

Më herët, David Bowditch, ndihmësdrejtor i agjencisë FBI në zyrën në Los Anxhelos, tha se hetuesit ishin duke shikuar për “gjurmë të gishtërinjve digjitalë” në kompjuterë dhe në vende të tjera dhe se dy telefona mobil, pjesërisht të shkatërruar, janë gjetur në mbeturina të shisheve të zbrazëta, jo larg nga vendi ku janë kryer të shtënat, në agjencinë për shërbime sociale në San Bernardino, 100 kilometra në lindje të Los Anxhelosit.

Autoritetet thanë se Malik dhe Farook i kishin shkrepur më tepër se 75 karikatorë me plumba në një dhomë ku ishin sulmuar njerëzit në agjencinë sociale, ndërsa aty ku ishin vrarë sulmuesit, ishin gjetur 1,600 karikatorë.

Më vonë policia kishte gjetur edhe 12 bomba gypore, mjete për prodhimin e eksplozivit dhe më tepër se 4,500 karikatorë në shtëpinë që e kishin marrë me qira.

Ky çift bashkëshortor ishte vrarë disa orë më vonë, pas ndjekjes me vetura dhe luftës së ashpër me armë kundër policisë.

Malik ishte e lindur në Pakistan, dhe kishte ardhur në vitin 2014 në Shtetet e Bashkuara, me vizë të fejesës.

Farook ishte i lindur në Çikago, nga prindërit pakistanezë, dhe ishte rritur në pjesën jugore të Kalifornisë.

Ai punonte si inspektor shëndetësor. Para se të martohej me Farookun para dy vjetësh, Tafsheen Malik kishte jetuar në Arabinë Saudite.

Zyrtarët thanë se derisa vrasjet kanë mundur të jenë të inspiruara nga militantët e Shtetit Islamik, nuk ka dëshmi se ky grup radikal e ka udhëhequr këtë sulm.

Kjo vrasje në Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar debat të ashpër për legjislacionin e mbajtjes së armëve dhe shkallën e lartë të vrasjeve masive nga sulmet me armë.

Po ashtu, janë shtuar shqetësimet se njerëzit e radikalizuar ose ata që janë mbështetës të Shtetit Islamik, mund të hyjnë në Shtetet e Bashkuara së bashku me refugjatët nga Siria ose nga vendet e tjera.

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës prej vitit 2012 në Shtetet e Bashkuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button