‘Lagjja e Trimave’-Kumanovë: Disa presin seancën gjyqësore, të tjerët fundin e ndërtimeve (FOTO)

Ndonëse kaluan rreth 7 muaj nga konflikti i armatosur që u zhvillua në ‘Lagjen e Trimave’ në Kumanovë, banorët e lagjes ende nuk mund t’i kthehen normalitetit. Familjet e të burgosurve po presin të fillojë seanca gjyqësore ditën e hënë. Disa nga banorët, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan janë vendosur nëpër shtëpi të reja, por disa të tjerë presin të përfundojë ndërtimi.

I pyetur se çfarë pret nga procedura gjyqësore që fillon nesër, Samet Fejzullahu ndonëse i dëshpëruar, deklaroi se ende ka një shpresë që rasti të përfundojë në favor të vëllaut, Fadilit.

“Ta shohim, ne presim të jetë mirë, por prej shtetit nuk mund të kemi asnjë të mirë. Por të shohim! Shpresa kemi, por optimizëm në këtë shtet nuk mund të ketë… shpresa kemi, por në këtë shtet nuk punohet e drejta, ky është problemi.”  -tha Sameti, ndërsa i pyetur se cilat prova i japin shpresë u shpreh: “Vëllau ka qenë në shtëpi të vetë, nuk ka pasur ku të shkojë pos shtëpisë së vetë… vetëm ta  braktisë shtëpinë e të shpërngulet diku në xhungël, pasi tjetër gjë neve shqiptarëve nuk na ka mbetur.”

Ai tha se ka qenë tepër vështirë për familjen që ta përballojë mungesën e Fadilit gjatë tërë kësaj kohe, siç theksoi “Ishte tepër keq, por njeriu qenka në gjendje të përballojë gjithçka . Ata brenda kanë pasur maltretime, rrahje të shumta.”

“Shpresojmë se do të marrim lajme të mira. Shpresat nuk i humbim.”-tha e përlotur Ekreme Lutfiu, bashkëshortja e Irfanit, “Shumë rëndë e kam përballuar mungesën e Irfanit deri tani, por faleminder Zotit që i kam fëmijët, se po të mos i kisha edhe këto do të ishte edhe më rëndë.”

Shtepia e te burgosurit, Besnik Ajdini
Shtepia e te burgosurit, Besnik Ajdini

Shaban Demiri përfaqësues i ‘Shtabit të krizës’ deklaroi se nga të gjitha shtëpitë e dëmtuara në lagje vetëm dy nuk janë ndërtuar edhe atë shtëpitë e dy të burgosurve: Fadil Fejzullahu dhe Irfan Lutfiu, të cilat as nuk janë vlerësuar. Ndërsa njoftoi  se me donacione humanitare nga qytetarët, ka filluar të ndërtohet shtëpia e Besnikut, të burgosurit tjetër.

Rreth shtëpive që tërësisht ishin të shkatërruara Demiri tha: “Shumica e shtëpive kanë përfunduar fazën e ndërtimit me tulla dhe mbulimit.” I pyetur nëse pritet që punimet të përfundojnë së shpejti, ai tha se kjo gjë varet nga moti, ashtuqë rënia e temperaturave mund të shkaktojë anulimin e tërësishëm të punimeve ndërtimore.

12325346_1685029005076364_1077257204_n

Skender Azemi tregoi se tashmë 3 muaj është vendosur në shtëpi me familjen e tij 5 anëtarëshe. “Shtëpinë e pata blerë më 6 maj, ndërsa më 9 maj ndodhi konflikti. Nuk munda ta gëzoj shtëpinë që sapo e bleva. Nga konflikti u dëmtua 50% poshtë, lartë 100%. Kur na i dha shteti paratë menjëherë filluam ta ndërtojmë dhe për tre muaj e përfunduam. Faleminder miqve dhe donacioneve arritëm t’i blejmë edhe mobiljet dhe pajisjet e nevojshme. Por sërish inspektorët dhe policët bënë shumë dëme, për të cilët nuk më kanë kompenzuar.” Sipas 57 vjeçarit, shumica e banorëve të tjerë ende janë duke qëndruar me qira. Ai nuk beson se këtë dimër të njëjtit do të mund ta kalojnë në lagje, pasi sipas tij, për shkak të motit shtëpitë nuk mund të përfundojnë së ndërtuari.

Shabi Shabani dhe Halil Shabani, shtëpitë e të cilëve ishin tërësisht të shkatërruara kanë përfunduar me ndërtimin e shtëpive dhe lyerjen e tyre nga pjesa e jashtme, por siç deklaron Halili “Brenda në shtëpi ende duhet shumë të punohet. Vetëm në podrum kemi disa gjëra dhe jemi vendosur që të mos paguajmë qira, por nuk i kemi ende orenditë e nevojshme.”

Ndërsa Memet Memeti me të vëllanë, Ergin Memetin ende janë duke qëndruar në shtëpinë e dëmtuar nga konflikti. Memeti sqaroi se nga paratë e grumbulluara nuk kanë investuar në shtëpinë e dëmtuar, pasi si e tillë sipas tij, nuk ishte e përshtatshme më për banim.

“Siç mund ta shihni kjo shtëpi është e dëmtuar, por nuk kam tjetër zgjidhje. Shtëpia e re ka mbetur vetëm me tulla. Nuk arrij ta lyej e as të siguroj dritare e dyer që të vendosem. Këtë dimër duhet ta kaloj në shtëpinë e vjetër, ndërsa në mungesë të financave nuk besoj se ndonjëherë do të vendosem në shtëpinë e re.”

2Ndryshe, nga konflikti i armatosur që ndodhi në ‘Lagjen e Trimave’ më 9 dhe 10 maj të këtij viti, ishin vrarë 10 anëtarë të grupit të armatosur, 8 pjesëtarë të policisë maqedonase dhe 37 të tjerë u lënduan. Për rastin në fjalë fillimisht ishin arrestuar tridhjetë persona dhe 7 tjerë në aksionin policor të tetorit. U dëmtuan 127 familje apo gjithsej 549 banorë; 26 shtëpi u dëmtuan pjesërisht, ndërsa 17 tërësish/Portalb.mk

 

 

 

 

Shtepia e familjes Memeti
Shtepia e familjes Memeti
"Lagjja e Trimave" Kumanovë, 06.12.2015
“Lagjja e Trimave” Kumanovë, 06.12.2015

4

5

6

7

8

 

9

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button