Pas 5 vitesh në gjyq, Samsung dhe Apple arrijnë në një marrëveshje

Gjigantët e teknologjisë kanë gati 5 vjet që enden nëpër gjykata, pasi Apple akuzoi Samsung-un se ka kopjuar dizajnin e iPhone.

Që kur u lançua telefoni i parë Galaxy i Samsung-ut, në vitin 2011, Apple e paditi kompaninë koreane me pretendimin se versioni i saj Android dhe ndërfaqja TouchWiz përfshinin disa teknologji dhe patenta të dizajnit që gjendeshin tek sistemi iOS. Samsung u gjobit në fillim me më shumë se 1 miliard dollarë, por e apeloi çështjen disa herë.

Në gusht të vitit 2012, juria shpalli fajtor Samsung për cenimin e gjashtë patentave të Apple, dhe i dha Apple një nga dëmshpërblimet më të mëdha të këtij lloji në histori. Aktgjykimi dhe shpërblimi prej 1 miliard dollarë në dëme, shiheshin si një fitore masive për Apple. Në mars të vitit 2013, një gjyqtare ri-ekzaminoi shpërblimin prej 1 miliard dollarë që i është dhënë Apple dhe reduktoi shifrën, duke thënë se dëmet do të vlerësoheshin në një gjykim të ri.

Themeluesi i Apple-it, Steve Jobs, deklaroi në atë kohë:

“Do të kaloj ditët e mia të fundit të jetës, nëse është e nevojshme, si dhe do të shpenzoj çdo qindarkë nga 40 miliardë dollarët që Apple ka në bankë për të kërkuar të drejtat që na takojnë. Do ta shkatërroj Android-in, pasi është një produkt i vjedhur. Jam gati të luftoj për të.”

Si duket dëshira e tij do të plotësohet, edhe pse në një mënyrë më pak dramatike. Samsung ka rënë dakord që t’i paguajë fillimisht Apple-it 548 milionë dollarë brenda 10 ditëve. Grupi i dytë i dëmeve do të vendoset nga gjykata në vitin 2016.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button